THIRRJE PER APLIKIM
Hapen proçedurat e pranimit dhe regjistrimit në programin e specializimit afatgjatë në fushën e mjekësisë veterinare, në Universitetin Bujqësor, Tiranë, për vitin akademik 2024-2025.
Fakulteti i Mjekësisë Veterinare për programet e ciklit të tretë të studimeve, specializime afatgjata, për vitin akademik 2024-2025, hap procesin e regjistrimeve në programin e studimit: Specializim Afatgjatë në “Siguri Ushqimore dhe Shëndet Publik Veterinar” 12 kuota
Afati i pranimit të kërkesave për aplikim në Programin e specializimit afatgjatë në “Siguri Ushqimore dhe Shëndet Publik Veterinar”, në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare për vitin akademik 2024-2025, fillon më datë 19 Gusht 2024 dhe përfundon më datë 30 Gusht 2024. Programi i specializimit do të zhvillohet në gjuhën angleze në harkun kohor të 2 viteve, me një total prej 120 kreditesh.
Programi i Studimeve Afatgjata të Specializimit në “Siguri Ushqimore dhe Shëndet Publik Veterinar”, synon të formojë specialistë veteriner me aftësi të shkëlqyera profesionale në fushën e mjekësisë veterinare. Qëllimi themelor i programit të Specializimit në “Siguri Ushqimore dhe Shëndet Publik Veterinar”, është përgatitja e mëtejshme e specialistëve veterinarë, për të përballuar sfidat lidhur me sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.
Fusha e sigurisë ushqimore ka një interes të veçantë për shëndetin publik sidomos në stadin aktual të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye, programi i studimeve afatgjata të specializimit (cikli i tretë), synon formimin e brezit të ardhshëm të specialistëve në fushën e shëndetit publik veterinar dhe sigurisë ushqimore, e ngjashme me eksperiencat europiane.
Objektivi kryesor i këtij programi është trajnimi i thelluar pas diplomimit, mësimi gjatë gjithë jetës dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional. Objektivat specifike të këtij programi janë përmirësimi i: I) cilësisë së edukimit nëpërmjet përdorimit të metodave inovative të mësimdhënies/të nxënit; II) njohurive dhe aftësive në disiplina të rëndësishme të sigurisë ushqimore, shëndetit publik dhe prodhimit të kafshëve; III) marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe krijimi i rrjeteve formuese ndërmjet institucioneve, agjencive dhe universiteteve.
Numri maksimal i studentëve që do të pranohen në Programin pasuniversitar për vitin akademik 2024-2025 është 12 studentë.
Studentët që do të pranohen në Programin e Studimeve Afatgjata të Specializimit në Siguri Ushqimore dhe Shëndet Publik Veterinar, do të mbështeten nga projekti “Development of an innovative Postgraduate Education programme in Veterinary Public Health and Food Safety in Western Balkan area”, PEVULOS, në kuadër të Programit ERASMUS-EDU-2022-CBHE (Capacity building in the field of higher education).
Programi pasuniversitar do të zhvillohet bashkërisht nga lektorë nga Universiteti i Milanos (Itali) dhe Portos (Portugali). Programi mësimor do të zhvillohet duke kombinuar mësimdhënien me praninë fizike dhe virtuale on-line. Plani studimor pasuniversitar i programit është i përafërt me të njëjtat programe që zhvillohen në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, Universiteti i Milanos.
Të gjitha aktivitetet që do realizohen gjatë programit do të kenë karakter ndërdisiplinor dhe integrimi i moduleve të ndryshme do të zbatohet sa më shumë që të jetë e mundur me synimin për të patur një vizion të përgjithshëm përfundimtar të konceptit One Health.
Studentët e diplomuar do të dërgojnë kompetencën e tyre në sektorët e përfshirë në zinxhirin agroushqimor (fermerët, mbarështuesit e kafshëve, industrinë e përpunimit të ushqimit, institutet qeveritare që lidhen me mjedisin, shëndetin e kafshëve dhe njerëzve, nutricionistët, ligjvënësit).
A. Kërkesat për aplikim në Programin e Studimeve Afatgjata të Specializimit në “Siguri Ushqimore dhe Shëndet Publik Veterinar”
Kanë të drejtë të aplikojnë për programet e specializimeve afatgjata, në fushën e mjekësisë veterinare, kandidatët që:
1. Kanë përfunduar në Republikën e Shqipërisë me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse, në programin e integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave” në Mjekësi Veterinare;
2. Janë diplomuar jashtë vendit në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave” në Mjekësi Veterinare dhe kanë kryer njësimin e diplomës pranë institucionit përgjegjës në Republikën e Shqipërisë.
3. Kanë notë mesatare të të gjitha viteve të programit të studimit universitar jo më të vogël se 7 (shtatë). Për studentët e diplomuar jashtë shtetit në vendet perëndimore, nota mesatare më e vogël se 7 (shtatë) nuk përbën kriter përjashtues për pranimin në programet e specializimeve afatgjata;
4. Zotërojnë të paktën një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, në nivelin B2, e vërtetuar përmes testeve të njohura ndërkombëtare, në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri;
5. Nuk janë duke kryer një program tjetër të ciklit të tretë të studimeve.
Informacionin e plotë lidhur me procedurat e pranimit dhe regjistrimit në programet e specializimit afatgjatë për vitin akademik 2024-2025, në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, i gjeni në rregulloren e programit të studimit.
B. Dokumentat për aplikim
Universiteti Bujqësor i Tiranës, njofton të gjithë kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë në programin specializues afatgjatë në “Siguri Ushqimore dhe Shëndet Publik Veterinar”, se dokumentacioni i nevojshëm për aplikim është si më poshtë:
1. Formular aplikimi, sipas modelit të parashikuar në shtojcën nr. 1
2. Letër motivimi i/e aplikantit;
3. CV personale e shoqëruar me një listë të botimeve shkencore, pjesëmarrje me prezantime në evente shkencore, trajnimeve të njohura me çertifikatë të cilat duhet të jenë pjesë e dosjes së aplikimit (në rastin kur personi që aplikon ka të tilla);
4. Fotokopje e dokumentit të identifikimit të vlefshëm, kartë identiteti ose pasaportë;
5. Kopje e njësuar me origjinalin në Republikën e Shqipërisë e diplomës universitare dhe listës së notave. Për rastet e diplomave të huaja paraqitet kopje e njësuar me origjinalin e vërtetimit të njohjes në Republikën e Shqipërisë, e shoqëruar me diplomën dhe listën përkatëse të notave ose të një dokumenti tjetër të vlefshëm për regjistrimin në Universitet në vendin ku janë kryer studimet të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë përkatës. Në rast se njohja e diplomës nuk ka përfunduar ende, kandidati paraqet vërtetim që ka dorëzuar dokumentacionin për njohje në MAS, dhe duhet të dorëzojë dokumentin e njohjes jo më vonë se data e parashikuar për konkurim, si dhe përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar nga Komisioni i Vlerësimit;
6. Kopje e njësuar me origjinalin ně Republikën e Shqipërisë e dokumentit që vërteton njohjen e gjuhës së huaj, (anglisht, italisht, frengjisht, gjermanisht, spanjisht) në nivelin B2, si kriter minimal në programet e studimit të ciklit të tretë; 7. Mandat pagesa për tarifën e konkurrimit në vlerën 2000 (dy mijë) lekë;
8. Dy foto personale.
Personat e interesuar duhet të dorëzojnë pranë Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, dosjen me dokumentacionin e kërkuar dorazi duke filluar nga data 19 Gusht deri më datë 30 Gusht 2024.
Me dorëzimin e dokumenteve aplikanti informohet në mënyrë të detajuar mbi programin e specializimit, rregulloren, kohëzgjatjen e programit të studimit, proçedurat e vlerësimit të kandidatëve përpara paraqitjes në konkurim, sigurimin e mandat pagesën për tarifën e konkurrimit etj.
Aplikimet që nuk përmbajnë dokumentet e sipërpërmendura nuk merren në konsideratë. Dokumentat e dorëzuara gjatë këtij aplikimi, nuk mund të tërhiqen nga aplikanti, por arkivohen në institucion.