U mbajt sot më 2 Shtator 2024 Ceremonia e Konstituimit të Senatit Akademik dhe Emërimit të Drejtuesve të Njësive Kryesore të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT).
Kjo është një ngjarje tepër e rëndësishme për zhvillimin dhe forcimin e strukturës akademike të UBT-së që do të ndihmojë në jetësimin e vizionit për të ardhmen e Universitetit.
Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, shprehu mirënjohjen dhe falenderimet për kontributin e çmuar e të frytdhënës të drejtuesve të njësive të UBT që përfunduan mandatin dhe uroi drejtuesit e rinj për një mandat të suksesshëm, të përkushtuar në përgjegjësitë e tyre të reja, strategjitë efektive dhe objektivat premtuese të UBT.
Ndërsa ritheksoi strategjitë dhe prioritetet e UBT për katër vitet e ardhshme, Rektori Sallaku shprehu bindjen se konsolidimi i strukturës së brendshme të Universitetit do të rrisë akoma më tepër efikasitetin dhe cilësinë e arsimit dhe kërkimit shkencor në institucion.
Rektori Sallaku në mbështetje të Ligjit nr. 80/2015 për Arsimin e Lartë emëroi:
Prof. Dr. Seit Shallari, Dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit,
Prof. Dr. Remzi Keco, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit,
Prof. Dr. Rezart Postoli, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare,
Prof. Dr. Kapllan Sulaj, Dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit
Prof. Dr. Elvin Toromani, Dekan i Fakultetit të Shkencave Pyjore,
Prof. Dr. Valbona Hobdari, Drejtor i Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve.