Në kuadër të projektit GEO-WB6- Ngritja e një qendre gjeoinformative për Ballkanin Perëndimor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në bashkëpunim me Institutin Leibniz për Zhvillimin Bujqësor në Ekonomitë në Tranzicion në Halle (IAMO), Gjermani dhe me financim nga Ministria Federale Gjermane e Ushqimit dhe Bujqësisë (BMEL), në ambientet e UBT filloi kursi i trajnimit “Hyrje në Sistemin e Informacionit Gjeografik” që do të zgjasë deri më 5 Korrik 2024.
Të pranishëm ishin rreth 22 pjesëmarrës, përfaqësues të komunitetit shkencor dhe akademik të disiplinave të ndryshme; përfaqësues nga institucione të ndryshme shtetërore të ardhur nga vendet e Ballkanit Perëndimor të tilla si: Serbi, Maqedonia e Veriut, Kosova; përfaqësus të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; QTTB Fushë-Krujë si dhe staf i interesuar i UBT të cilët do të përfitojnë nga ky kurs njohuri thelbësore dhe aftësi praktike në përdorimin e Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe analizën e të dhënave hapësinore.
Trajnuesit që asistuan në këtë trajnim ishin Bexhet Islamaj, IT dhe Ekspert GIS; Olsid Mema, Asistent Lektor pranë Departamentit të Shkencave Agronomike, UBT dhe ekspert GIS; Max Hofmann nga Instituti Leibniz i Zhvillimit Bujqësor në Ekonomitë në Tranzicion, me njohuri disavjeçare dhe ekspertizë të thelluara në fushën e Sistemeve Informatike Gjeografike dhe procesimit të të dhënave hapsinore.
Ky projekt është dizenjuar për t'i shërbyer
të gjithë personave të interesuar nga të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, ku
krahas trajnimeve të tilla, do të zhvillohen edhe kurse të tjera trajnimi,
shkolla verore e aktivitete të tjera, të cilat do të kryhen në Qendër gjatë
gjithë periudhës 2-vjeçare të këtij projekti. Të gjitha kurset e trajnimit janë
të hapura dhe falas për të gjithë personat nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Së bashku për Universitetin Bujqësor të së ardhmes ☘
️