Të nderuar të prisnim në universitetin tonë SH. S. Znj. Tanja Fajon, Zv.Kryeministren dhe Ministren për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane të Republikës së Sllovenisë, një figurë që ka luajtur rol të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së duke kontribuar në procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptarë.
E shoqëruar nga Ambasadori i Sllovenisë në Shqipëri, Sh.T. Z. Milan Jazbec dhe stafi i Ambasadës, Znj. Fajon u prit në një takim të veçantë nga Rektori i UBT, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku së bashku me gjithë ekipin drejtues.
Në këtë takim, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë mes dy vendeve dhe rëndësia e përkrahjes së integrimit evropian të Shqipërisë.
Vizita e Znj. Fajon në UBT tregoi edhe njëher tjetër dashamirësinë e dy palëve për të ndërtuar lidhje të reja dhe për të forcuar angazhimin e tyre në projekte të përbashkëta që do të sjellin përfitime të dyanshme, duke përfshirë zhvillimin e politikave të reja për bujqësinë dhe inovacionin.
Takimi pasoi me vizitën në Qendrën e Arsimit dhe Formimit Profesional dhe Laboratorit të Sigurisë Ushqimore dhe Shëndetit të Kafshëve në UBT, ku me shumë mirënjohje kujtojmë dhe vlerësojmë kontributin që Qeveria Sllovene ka dhënë më herët për ndërtimin e kësaj Qendre, së bashku me USAID.