UBT
PDF Printoni E-mail

Klikoni në menun djathtas për të patur Informacionin e plote >
 
 

HISTORIK I SHKURTËR

Kronograma historike e FAKULTETIT TE SHKENCAVE PYJORE, e cila si fillesë të saj daton Shtatorin e vitit 1959, në përmbajtjen e vetë konturon etapat më kryesore të zhvillimit, arritjeve si dhe ndihmesën që ky Fakultet, si njësi Universitare, ka ofruar për pergatitjen e rreth 1500 specialistëve të lartë të Pyjeve dhe të Industrisë së Drurit, të cilët me perkushtim të larte tekniko – profesional kanë kontribuar apo vazhdojnë të kontribuojnë për rritjen, zhvillimin dhe mbrojtjen e pyjeve si ndër pasuritë më rëndësishme të vendit. Para viteve ’40 dhe ’60, për drejtimin e sektorit pyjor, u ndoq praktika e përgatitjes së specialistëve jashtë shtetit, në vendet Perëndimore dhe ato të Lindjes, të cilët së bashku edhe me stafin e teknikëve dhe rojtarëve pyjore dhanë ndihmesën e tyre në shërbim të rritjes, zhvillimit, shtimit dhe ruajtjes së burimeve pyjore shqiptare. Por natyrisht, e gjithë rruga e zhvillimit të Pylltarisë Shqiptare, perfshin dhe sektorë të tjerë të veçantë, të lidhur me pyjet si shfrytëzimi dhe industria e drurit, krahas kontributit të deri atëhershëm të një numri modest inxhinierësh dhe teknikësh, diktonte praninë e një mendimi dhe drejtimi më të gjerë tekniko-shkencor, ende të pakët për gamën e gjerë të problemeve dhe shtrirjen e pasurisë pyjore të vendit tonë.

Në këtë sfond zhvillimi u konturua idea e çeljes së Fakultetit të Pyjeve, ide e cila u konkretizua me hapjen e tij në Shtator të vitit 1959, pranë Institutit të Lartë Bujqësor tëe Tiranës, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Modeste si vetë fillimi ishin dhe kushtet e punës dhe të mësimit në Fakultet, në bankat e të cilit, me endrrën sublime për t`u diplomuar si inxhinier pyjesh u ul grupi i parë i studentëve, të ardhur nga të katër anët e vendit, shumica me pervojen disavjeçare të teknikut të mesëm të pyjeve, të cilët përmenden dhe sot si brezi i parë i të diplomuarve, së bashku me të parët pedagogë dhe tepër të respektuar si Llazar TRESKA, Xhevdet HARBULI, Temo MANDILI, Alaudin FRASHËRI etj.

Edhe mbas vitit akademik ‘63 –‘64, viti që mbylli ciklin e parë të studimeve, Fakulteti vazhdoi punën me të njëjtin plan mësimor, ndërsa në pikepamje strukturore dhe didaktiko-organizative po futeshin  forma dhe elementë të rinj. Gjithmonë e në rritje, numri i studentëve, më i plotë dhe cilësor stafi akademik dhe personeli ndihmës-mësimor, duke veçuar dhe ngritjen e katedrave, më tepër ambjente mësimore-laboratorike, salla studimi, kabinete dhe atelie shërbimi, tekste mësimore bazë dhe ndihmës, qendra didaktike brenda dhe jashtë Fakultetit, në sherbim të studentëve, etj.

Viti 1969, viti i dekades së krijimit te Fakultetit dhe diplomimit deri atëhere të rreth 170 Inxhinierë Pyjesh të profilit të përgjithshëm, shënohet dhe si një vit ndryshimesh për Fakultetin për disa arsye, dhe konkretisht:

(i) u krye transferimi i Fakultetit në një godinë të veçantë, me ambjente të bollshme dhe funksionale;

(ii) u ristrukturua plani mesimor egzistues;

(iii) u projektua përgatitja e specialistëve të lartë të pyjeve në tri profile të veçanta Silvikulturë - Shfrytëzim Pyjesh - Përpunim Druri.

Mbas viteve `80 Fakulteti i rikthehet edhe njëherë sistemit të studimeve me plan mësimor unik dhe përgatitjes së specialistëve të lartë të profilit të Përgjithshëm, por tashmë vetëm në fushën e Silvikulturës dhe Shfrytëzimit Pyjor, sistem i cili vazhdoi të zbatohej deri në prag të vitit Akademik `94 - `95. Ndërkohë, në sektorin e Industrisë së Drurit gjithmonë e më tepër dilnin në pah nevojat dhe kërkesat për specialistë të lartë, duke bërë të mundur që ky shqetësim i sektorëve të prodhimit të reflektohej dhe në memorien e sistemit Universitar. Duke përfituar edhe nga përvoja e viteve të kaluara në vitin akademik ’88 –’89 u rihap dega e Përpunimit të Drurit, plani mësimor i së cilës,  tepër ambicioz,  më i plotë dhe fleksibël nga ai i zbatuar në fillimin e viteve ’70, u nda nga ai i profilit të pyjeve.

Në vitin  akademik `93 -`94, në moshën 35-vjeçare, Fakulteti uli siparin e një etape punë, duke u përfshirë tashmë në vorbullën e një etape të re, atë të ndryshimeve të vrullshme, ku kërkohej dhe në fushën e edukimit Universitar një kthesë rrënjësore në të gjithë komponentët përbërës. I gjithë kompleksi i veprimtarive në Fakultet u iniciua dhe u mbështet me fonde, konsulencë dhe asistencë didaktike, shkencore dhe organizative, nëpërmjet promovimit, kryesisht nga qeveria Gjermane, më vonë dhe nga  projekte të tjera, me fillesë konkretizimi shtatorin e vitit ’94. Ndryshimet synuan përmirësimin e kurrikulave, duke forcuar së tepërmi mendimin ekonomik si një kërkesë e ekonomisë së tregut, nëpërmjet shtimit të numrit të lëndëve me natyrë ekonomike; ristrukturimin organizativ të Fakultetit, ku përshtatur degëve, zunë vend njësitë e reja, Departamentet; më tepër se çdo herë tjetër laboratorët, ateliete dhe kabinetet u pajisen me inventare aparaturash, mjetesh, mekanizmash, maketesh, etj..

Viti 2005 shënon vitin e reformimit radikal të kurrikulës së fakultetit në përputhje me parimet e proçesit të Bolonjës, për të bërë të mundur përafrimin sa më shpejt të diplomave që ofron fakulteti me ato të fakulteteve në Europë e më gjerë.

Që prej vitit 2005 të gjitha programet e studimeve që afron Fakulteti i Shkencave Pyjore, në të tre ciklet e studimit, i përgjigjen plotësisht kritereve të kërkuara për të lehtësuar krahasimin e tyre me programe të ngjashme universitare brenda e jashtë vendit, duke mundësuar kështu mobilitetin e studentëve tanë fillimisht gjatë periudhës së studimeve e më pas në kualifikimet e tyre pas diplomimit.

Duke filluar nga viti 2010 studimet e ciklit te trete pra studimet e Doktorates zhvillohen ne kuadrin e Shkollave te Doktorates qe funksionojne ne te dy departamentet ne kuadrin e studimeve te rregullta universitare.

Numri i studenteve ka ardhur vazhdimisht ne rritje dhe veçanerisht pas vitit 2005 kjo rritje eshte prograsive. Sot Fakulteti i Shkencave Pyjore ka rreth 1300 studente ne te gjitha ciklet dhe programet e studimit.

 

  VIZIONI

FSHP të jetë një qëndër bashkëkohore moderne e edukimit universitar e pasuniversitar, kërkimit shkencor dhe trajnimit në fushën e pyjeve e të drurit dhe pikë referimi për zhvillimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore me kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit.

 MISIONI

FSHP të realizojë edukimin profesional e shkencor të studentëve të tij në nivelin më të lartë cilësor, që u mundëson atyre të përballojnë me sukses nevojat e tregut të punës dhe sfidat e zhvillimit të sektorit të pyjeve e drurit, përmes programeve të avancuara të arsimimit, kërkimit dhe trajnimit.

 

 
 

WEBMASTER:: Fabjan Lashi::
Ndihmuan:: Xhoni Gero - Blenard Spaho::