RREGULLORE E STUDIMEVE UNIVERSITARE.docHYRJE

Rregullorja e Studimeve Universitare është hartuar mbështetur në Ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 (i ndryshuar),   “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”,me ligjin nr 9832, dt 12.11.2007 dhe  ligjin nr. 10307, datë 22.07.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, në udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, në vendimet përkatëse të Senatit të UBT-së dhe në praktikën e deritanishme të studimeve universitare.

Rregullorja e Studimeve Universitare synon:

 

  1. Të krijojë një kuadër koherent dhe operacional mbi studimet universitare;
  2. Të përcaktojë rregulla standarde të përgatitjes, organizimit dhe administrimit të studimeve universitare;
  3. Në këtë kuadër duhet theksuar se kjo Rregullore lejon hapësirat e nevojshme për një menaxhim fleksibël në nivelet e fakulteteve, departamenteve e pedagogëve individualë.

Rregullorja e Studimeve Universitare është konceptuar për të krijuar një kuadër koherent, por ajo pretendon të shtrojë gjithë detajet e aspekteve të përgatitjes, organizimit dhe administrimit të studimeve universitare në Universitetin Bujqësor të Tiranës.   Në këtë kuadër kjo Rregullore duhet kompletuar me rregulloret e fakulteteve, rregulloret e çdo programi të studimeve universitare, rregulloret e zyrave të sekretarisë mësimore dhe, për të qenë e plotë, duhet lexuar së bashku me to.

Rregullorja është konceptuar për t’i shërbyer:

  1. Studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të të gjitha fakulteteve;
  2. Pedagogëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës;
  3. Strukturave drejtuese të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të të gjitha niveleve.

Rregullorja është përgatitur në një kohë kur kuadri nënligjor është në plotësim e sipër. Në këtë kuptim, ajo duhet konsideruar si një dokument i “gjallë”, aspekte të veçanta të së cilës duhet të plotësohen me kohë.

 

Përkufizime

  1. Rregullore e Studimeve e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Rregullorja e Studimeve e Universitetit Bujqësor të Tiranes përbëhet nga kjo Rregullore dhe nga rregulloret e programeve të studimit në nivelin e çdo fakulteti.
  2. Ciklet e studimeve universitare. Programet e studimeve në institucionet e arsimit të lartë organizohen në tre cikle të njëpasnjëshme: cikli i parë, cikli i dytë dhe cikli i tretë.
  3. Programet e studimeve të ciklit të parë synojnë pajisjen me njohuritë bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe formimin e shprehive të veçanta në një llojshmëri të gjerë profesionesh e specialitetesh.
  1. Programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite evropiane (ECTS) (më tej: kredite) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike;
  2. Në përfundim të programeve të studimeve të Ciklit të Parë lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
  1.  Studimet e Ciklit të dytë:
  1. Programet e studimeve “Master i Shkencave”:
  1. Programet e studimeve të Ciklit të Dytë i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor” me njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor në një fushë brenda një specialiteti;
  2. Programet e studimeve të Ciklit të Dytë realizohen me 120 kredite, ku përfshihen 30-40 kredite për projektin kërkimor dhe tezën dhe kohëzgjatja normale e tyre është 2 vite akademike;
  3. Në përfundim të programeve të studimeve të Ciklit të Dytë lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.

  1. Programet e integruara të studimeve të Ciklit të Dytë:

a.   Fakulteti i MjekësisëVeterinarisë ofron programe të integruara të studimeve të Ciklit të parë dhe të Dytë së bashku;

b.   Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është jo më pak se 5 vite akademike;

c.  Studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare;

d.  Në përfundim të programeve të integruara  të studimeve lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.

4.3 Programet e studimeve “Master profesional:

a. Programet e studimeve “Master profesional” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë universitare  së paku “Bachelor”, arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional;

b.  programet e studimeve “Master Profesional” realizohen me 60-90 kredite dhe kohëzgjatja normale  e tyre është 1.5 (një vit e 6 muaj) vit akademik;

c. studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare;

ç. Në përfundim të këtyr programeve të studimeve lëshohet diplomë universitare “Master Profesional” në fushën e arsimimit e të trajnimit profesional të kryer;

d. UBT ka të drejtë të pranojë kandidatë që kanë fituar diplomë “Master Profesional” në studimet e ciklit të dytë për diplomën universitare “Master i Shkencave” dhe të vendosi kritere për njohjen/transferimin e krediteve të vlefshme të fituara në studimet e masterit që i përgjigjen programit të studimeve të ciklit të dytë.

4.4. Studimet e ciklit të tretë:

  1. Programet e studimeve të doktoraturës:
  1. Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese;
  2. në studimet e doktoratës pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave”
  3. Këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite akademike dhe përfshijnë 60 kredite në përputhje me shkollën e doktoraturës. UBT në bazë të rezultateve të arritura në studimet e organizuara teorike vendos kritere klasifikimi për kandidatët që kanë të drejtë të zhvillojnë projektin kërkimor dhe të përgatisin tezën e doktoratës. Gjithashtu përcakton standarde e kritere klasifikuese për njohjen e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare, si dhe metoda për vlerësimin e nivelit teorik të përgjithshëm të kandidatëve. Kandidatët që nuk arrijnë të përmbushin kriteret e vendosura, nuk klasifikohen për të vazhduar më tej studimet e doktoratës dhe pajisen me një dëshmi, në të cilën jepen modulet e zhvilluara së bashku me kreditet e grumbulluara dhe vlerësimin e tyre;
  4. Në përfundim të programeve të studimeve të doktoratës lëshohet diploma për gradën shkencore

“Doktor”(Dr).

4.4.2. Programet e studimeve specializuese afatgjata:

  1. Programet e studimeve specializuese afatgjata janë programe të formimit profesional që ofrojnë njohuri për profesione të veçanta në fushën e Mjekësisë Veterinare. Këto programeve të studimeve përfshijnë studime teorike, të kombinuara me aplikime praktike e trajnime profesionale;
  2. Për kryerjene studimeve specializuese afatgjata , sipas planit dhe programit mësimor të miratuar nga UBT dhe Fakulteti i Mjekësisë Veterinare.
  1. Programet e studimeve të ciklit të parë, të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë janë programe të studimeve universitare.
  2. UBT  ka  të drejtë të ofrojë edhe programe të studimeve jouniversitare, profesionale, pas arsimit të mesëm, me jo më pak se 120 kredite. Kohëzgjatja normale e këtyre programeve është jo më pak se 2 vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet “Diplomë profesionale” në fushën e arsimimit të kryer. Kreditet e akumuluara gjatë studimeve pas arsimit të mesëm mund të transferohen në studimet  universitare të ciklit të parë, në përputhje me kriteret që vendosin njësitë kryesore të UBT-së.
  3. Format e studimeve në institucionet e arsimit të lartë. Format e studimeve në institucionet e arsimit të lartë përfshijnë:  studime me kohë të plotë, studime me kohë të pjesshme dhe studime në distancë.
  4. Sekretaria mësimore. Sekrataria mësimore përbëhet nga Zyra e Studimeve dhe e Studentëve, Zyra e Orientimit dhe e Informimit të Studentëve dhe Sekrataria e Departamentit.
  5. Zyra e Studimeve dhe e Studentëve. Zyrë që ka për objekt mbajtjen e bazës së të dhënave mbi studimet dhe studentët dhe çertifikimin individual të studimeve të kryera.
  6. Zyra e Informimit dhe Orientimit të Studentëve(ZIOS). Zyrë që ka për objekt zhvillimin e aktiviteteve të informimit dhe të orientimit të studentëve në nivel të çdo fakulteti.
  7. Sekretaria e departamentit. Zyrë/punonjës që ka për funksion mbështetjen logjistike të realizimit të programeve të studimeve dhe informimin në proces të studentëve.

 

RREGULLORE E STUDIMEVE

E UNIVERSITETIT BUJQëSOR Të TIRANëS

 

Në zbatim të Statutit të Universitetit Bujqësor të Tiranës (më tej Universiteti) dhe mbështetur në të, Senati miraton këtë Rregullore të Studimeve Universitare:

 

Kreu I:        Parime të përgjithshme

 

Neni 1

Rregullorja e Studimeve Universitare mbështetet në “Ligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqiperisë" nr. 9741, datë 21.05.2007 (i ndryshuar), në ligjin nr. 9832, dt .12.11.2007 dhe në ligjin nr. 10307, datë 22.07.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”në Statutin e këtij Universiteti si dhe në vendimet e Senatit Akademik të UBT-së.


Neni 2

Objekti i Rregullores

Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i rregullave standarde për programet e studimeve universitare. Për të qenë e plotë ajo duhet konsideruar së bashku me rregulloret e programeve të studimit të hartuara në nivelin e çdo fakulteti.

 

Neni 3

Efektet e Rregullores

Kjo Rregullore i bashkëngjitet Statutit dhe i shtrin efektet e saj mbi të gjitha njësitë mësimore-shkecore, studentët dhe personelin e këtij Universiteti.

Kreu II:        Organizimi dhe drejtimi në UBT

 

 

ORGANIZIMI

 

Neni 4

Universiteti përbëhet nga fakultetet, departamentet si edhe nga qendra kërkimore dhe njësi të tjera ndihmëse e shërbimi, sipas përcaktimeve të bëra në Statutin e Universitetit.

 

Neni 5

Universiteti është i organizuar si më poshtë:

 

A. FAKULTETI I BUJQëSISë DHE i MJEDISIT

 

  1. Departamenti i Prodhimit Bimor
  2. Departamenti i Hortikulturës
  3. Departamenti i Mbrojtjes së Bimëve
  4. Departamenti i Prodhimit Shtazor
  5. Departamenti i Agromjedisit dhe i Ekologjisë

 

B. FAKULTETI I EKONOMISË DHE I AGROBIZNESIT

  1. Departamenti i Drejtimit të Agrobiznesit
  2. Departamenti i Ekonomisë dhe i Politikave Agrare
  3. Departamenti i Financë-Kontabilitetit
  4. Departamenti i Matematikës dhe Informatikës

 

C. FAKULTETI I BIOTEKNOLOGJISË DHE I USHQIMIT

  1. Departamenti i Bioteknologjisë Agroushqimore
  2. Departamenti  Biologji – Kimi
  3. Qendra Eksperimentale e Verës

 

D. FAKULTETI I SHKENCAVE PYJORE

  1. Departamenti i  Pyjeve
  2. Departamenti i Industrisë së Drurit

E. FAKULTETI I MJEKëSISë VETERINARE

  1. Departamenti i Lëndëve Morfofunksionale
  2. Departamenti i Shëndetit Publik Veterinar
  3. Departamenti i Lëndëve Klinike

DREJTIMI

Në nivel Universiteti

 

Neni 6

  1. Rektori është autoriteti më i lartë drejtues i Universitetit. Detyrat dhe kompetencat e tij janë përcaktuar në Statut.
  2. Zëvendësrektori për mësimin është personi i ngarkuar me detyra dhe kompetenca në ndjekje të veprimtarisë mësimore në Universitet. Detyrat dhe kompetencat e tij përcaktohen në Statut.
  3. Zëvendësrektori për shkencën është personi i ngarkuar me detyra dhe kompetenca në ndjekje të veprimtarisë kërkimore-shkencore në Universitet. Detyrat dhe kompetencat e tij përcaktohen në Statut.
  4. Kancelari i Universitetit është personi që ndjek mbarëvajtjen ekonomiko-financiare të Universitetit. Detyrat dhe kompetencat e tij përcaktohen në Statut.

 

Neni 7

Drejtimi në nivel fakulteti

  1. Dekani është autoriteti më i lartë drejtues i fakultetit. Detyrat dhe kompetencat e tij përcaktohen në Statut si dhe në rrgulloret e studimeve të fakultetit.
  2. Zëvendësdekani për mësimin është personi i ngarkuar me detyra dhe kompetenca në ndjekje të veprimtarisë mësimore në fakultet. Detyrat dhe kompetencat e tij përcaktohen në Statut dhe në rregulloret e studimeve në fakultete.
  3. Zëvendësdekani për shkencën është personi i ngarkuar me detyra dhe kompetenca në ndjekje të veprimtarisë kërkimore shkencore në fakultet. Detyrat dhe kompetencat e tij përcaktohen në Statut dhe në rregulloret e studimeve në fakultete.
  4. Kancelari i fakultetit është personi që ndjek mbarëvajtjen administrative dhe ekonomike në fakultet. Detyrat dhe kompetencat e tij përcaktohen në rregulloren e studimeve të fakultetit.

Drejtimi në nivel departamenti

Neni 8

  1. Përgjegjësi i departamentit është autoriteti drejtues për departamentin, njësia bazë mësimore dhe shkencore.
  2. Detyrat e kompetencat e tij janë të përcaktuara në Statut dhe në Rregulloren e Studimeve të Fakultetit.
  3. Departamenti organizohet në grupe msimore e kërkimore. Grupi mund të jetë edhe vetëm kërkimor. Titullarët e grupeve duhet të kenë, së paku, titullin shkencor “Prof.as.” dhe përzgjidhen me konkurrim të hapur, të drejtuar nga një komision Ad hoc, i ngritur nga Këshilli i Profesorëve. Procedurat e ngritjes së komisionit Ad hoc dhe të konurrimit përcaktohen në Statutin e UBT.


Kreu III        Programet e studimit dhe kriteret e pranimit

 

Neni 9

Programet e studimit në UBT

Në UBT zhvillohen programet e studimeve universitare sipas sipas Aneksit 1.

Neni 10

Studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës mund të ndiqen nga shtetas shqiptarë, shqiptarët etnikë jashtë kufijve shtetërorë si dhe nga çdo shtetas i huaj, në bazë të kritereve të përcaktuara nga MASH-i dhe kuotave të miratuara nga Këshilli i Ministrave (më tej KM). Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet në Universitetin Bujqësor në ciklin e parë pranohen mbasi të kenë përfunduar maturën shtetërore.

Neni 11

Kritere të veçanta për pranimin në ciklin e parë të studimeve

UBT ka të drejtë të propozojnë kritere të veçanta për perzgjedhjen e kandidatëve, të cilët kanë mbaruar Maturën Shtetërore, për t’u  pranuar në ciklin e parë të studimeve. Këto kritere shqyrtohen dhe vlerësohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në Këshillim me Konferencën e Rektorëve dhe Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës dhe, mbi këtë bazë, ministri miraton, me udhëzim, kriteret dhe procedurat e pranimit në ciklin e parë të studimeve.  

Neni 12

Pranimi në ciklin e dytë të studimeve

  1. Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u regjistruar në programin e studimeve për të fituar Diplomën“Master i Shkencave”individët që kanë përfunduar një program studimi dhe kanë fituar diplomë universitare “Bachelor”në sistemin me kohë të plotë dhe të pjesshme (Vendim Rektorati nr. 121, date 16.10.2008) si dhe plotësojnë kriteret akademike të pranimit të përcaktuara në rregulloret e studimev  të çdo fakulteti. Kriteret akademike duhet të mbajnë parasysh meritën e kandidatëve.
  2. Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u regjistruar në programin e studimeve për të fituar diplomën “Master profesional” individët e diplomuar, me një diplomë universitare  së paku “Bachelor” dhe kanë arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional;
  3. Gjithashtu, në përfundim të programeve të integruara të studimeve lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e Mjekësisë Veterinare.

Neni 12/1

Programet e integruara të studimeve të Ciklit të Dytë:

a.Fakulteti i Mjekësisë Veterinare ofron program të integruar të studimeve të Ciklit të Parë dhe të Dytë së bashku;

b. Programi i integruar i studimeve të ciklit të dytë realizohet me jo më pak se 300 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është me jo më pak se 5 vite akademike;

c. Studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare;

 

Neni 13

Programet e studimeve të doktoraturës:

  1. Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese;
  2. Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u regjistruar në ciklin e tretë të studimeve kandidatë që kanë që kanë fituar universitare diplomë “Master i shkencave”ose një diplomë ekuivalente me të si dhe plotësojnë kriteret e pranimit të përcaktuara nga institucioni përkatës.
  3. Këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite akademike dhe përfshijnë 60 kredite në përputhje me shkollën e doktoraturës që do të zhvillojnë. UBT në bazë të rezultateve të arritura në studimet e organizuara teorike vendos kritere klasifikimi për kandidatët që kanë të drejtë të zhvillojnë projektin kërkimor dhe të përgatisin tezën e doktoratës. Gjithashtu përcakton standarde e kritere klasifikuese për njohjen e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare, si dhe metoda për vlerësimin e nivelit teorik të përgjithshëm të kandidatëve. Kandidatët që nuk arrijnë të përmbushin kriteret e vendosura, nuk klasifikohen për të vazhduar më tej studimet e doktoratës dhe pajisen me një dëshmi, në të cilën jepen modulet e zhvilluara së bashku me kreditet e grumbulluara dhe vlerësimin e tyre;

ç.     Në përfundim të programeve të studimeve të doktoratës lëshohet diploma për gradën shkencore

Doktor”(Dr).

 

Neni 14

Programet e studimeve specializuese afatgjata:

  1. Programet e studimeve specializuese afatgjata janë programe të formimit profesional që ofrojnë njohuri për profesione të veçanta në fushën e Mjekësisë Veterinare. Këto programe të studimeve përfshijnë studime teorike, të kombinuara me aplikime praktike e trajnime profesionale;
  2. Për kryerjen e studimeve specializuese afatgjata , sipas planit dhe programit mësimor të miratuar nga UBT dhe Fakulteti i Mjekësisë Veterinare.

 

Neni 15

UBT  ofron edhe një program të studimeve jouniversitare, profesionale, pas arsimit të mesëm, me jo më pak se 120 kredite. Kohëzgjatja normale e këtyre programeve është jo më pak se 2 vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet “Diplomë profesionale” në fushën e arsimimit të kryer. Kreditet e akumuluara gjatë studimeve pas arsimit të mesëm mund të transferohen në studimet  universitare të ciklit të parë, në përputhje me kriteret që vendosin njësitë kryesore të UBT-së.

 

Neni 16

Pranimi i kandidatëve të rinj në sistemin me kohë të pjesshme bëhet mbi bazën e përfundimit të maturës shtetërore dhe udhëzimeve të MASH-it.

 

Neni 17

  1. Kandidati ka të drejtë të ndjekë studimet në vitin e parë akademik dhe në degën e kërkuar, nëse regjistrohet në ZSS brenda muajit tetor dhe paguan tarifën e shkollimit sipas afateve të përcaktuara në udhëzimet përkatëse. Në të kundërt, ai humbet përfundimisht të drejtën e regjistrimit.
  2. Studentët janë të detyruar të shlyejnë detyrimet financiare në fillim të çdo viti akademik deri në prag të fillimit të sezonit të provimeve të dimrit. Studenti që nuk likuidon detyrimet para sezonit të provimeve të dimrit pengohet për të hyrë në provim.

Neni 18

  1. Për t'u regjistruar studenti paraqet në ZSS dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve të bëra në udhëzimet e MASH-it dhe në këtë Rregullore. Kandidati është i detyruar të shlyejë të gjitha detyrimet e përcaktuara sipas akteve ligjore e nënligjore.
  2. Kandidati fiton statusin e studentit pasi ai është regjistruar në ZSS, ka plotësuar dhe disponon Kartën e tij të Regjistrimit si dhe Librezën e Studentit.
  3. Statusi i studentit përfundon me marrjen e diplomës, me përjashtimin ose largimin e tij nga Universiteti.

Neni 19

  1. Studentët që kanë përfunduar studimet në ciklin e parë dhe janë pajisur me diplomën “Bachelor”dhe që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në një degë të dytë në sistemin me shkëputje nga puna, pranohen sipas udhëzimeve të MASH-it dhe kundrejt tarifave të përcaktuara.
  2. Studenti i sistemit të studimeve me kohë të plotë ka të drejtë të transferojë studimet në sistemin e studimeve me kohë të pjesshme, brenda së njëjtës degë dhe profil studimi, vetëm pasi të ketë përfunduar vitin e parë të studimeve me kohë të plotë dhe kur ka notë mesatare mbi 8.

Kreu IV:        Organizimi i studimeve

Objektivat e studimeve

Neni 20

  1. Studimet ne Universitetin Bujqësor të Tiranës synojnë arsimimin profesional dhe kualifikimin shkencor të studentëve nëpërmjet integrimit të mësimit me kërkimin.
  2. Universiteti Bujqësor i Tiranës ofron programe studimi në fushat e shkencës së bujqësisë, mjedisit, ushqimit, ekonomisë, agrobiznesit, pylltarisë, industrisë së drurit dhe mjekësisë veterinare.
  3. Zhvillimi i programeve të reja të studimit bëhet në përshtatje me nevojat e shoqërisë, kushteve ekzistuese dhe perspektivave të zhvillimit të vendit.
  4. Në Universitetin Bujqësor të Tiranës ofrohen studime me kohë të plotë dhe  me kohë të pjesshme.
  5. Programet e studimit universitar organizohen në tre cikle të njëpasnjeshme; në ciklin e parë, në ciklin e dytë dhe në ciklin e tretë të studimit. Sipas cikleve të studimit studenti pajiset me Diplomën “Bachelor”, për ciklin e parë, në ciklin e dytë pajiset me Diplomën “Master Shkencor”/”Master Profesional”dhe në përfundim të ciklit  të tretë pajiset me diplomën “Doktor” në fushën përkatëse të studimeve. Kërkesat dhe synimet e programeve për secilin cikël hartohen në përputhje me Ligjin nr. 9741, datë 21.05.07 “Për Arsimin e Lartë dhe Shkencën në RSH”, me ligjin nr 9832, dt 12.11.2007 si edhe me Ligjin Nr. 10307, datë 2207.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për Arsimin e lartë në RSH”( të ndryshuar)”.
  6. UBT ofron programe studimi në “Master i  Shkencave” dhe “Master Profesional” me kohë të plotë dhe të pjesshme.
  7. UBT ofron program 2 vjeçar studimi jo universitar  profesional  ne Filialin e Lushnjesdhe ne ate te Gjirokastres.. Ne perfundim te studimeve studenti  pajiset me “Diplome Profesionale” ku citohet emertimi i programit te studimit.
  8. Diplomimi në ciklet e studimeve universitare dhe pasuniversitare siguron formimin e specialistëve të aftë për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve teknike sipas fushave. Programet e studimeve i referohen arritjeve teorike dhe praktike në shkencat bujqësore bashkëkohore dhe synohet në zhvillimin e diplomave të konvertueshme me ato të universiteteve të tjera, sipas marrveshjeve dypalëshe.

Struktura e dhe kërkesat për programet e studimeve

Neni  21

Përshkrimi i programeve të studimit

  1. Fakultetet përcaktojnë në çdo program studimi: emërtimin dhe objektivat formuese të programit, tipet e veprimtarive formuese, kreditet për çdo veprimtari formuese dhe karakteristikat e temës së diplomës.
  2. Për qëllim standardizimi, në përshkrimin e programeve të studimit, njësitë kryesore mbajnë parasysh udhëzimet e MASH-it

Neni 22

Kërkesat për tezat e diplomës

  1. Fakultetet përcaktojnë në rregulloret e tyre të programeve të studimit kërkesat për tezat e Diplomës “Bachelor”, Diplomës “Master i Shkencave” dhe “Master Profesional”.
  2. Kërkesat përfshijnë aspekte të përmbajtjes dhe të formës së paraqitjes së tezës. Në përcaktimin e kërkesave mbi përmbajtjen dhe formën mbahen parasysh udhëzimet e MASH-it.

Neni 23

Kërkesat për tezën e doktoratës

Kërkesat për tezat e doktoratës përcatohen në rregullore të veçantë.

Neni 24

Veprimtaritë e orientimit dhe kujdestarisë

Fakultetet organizojnë veprimtari të orientimit dhe të kujdestarisë së studentëve si më poshtë:

  1. Organizimi i aktiviteteve orientuese për nxënësit në bashkëpunim me shkollat e mesme;
  2. Këshillim për nxënësit në përzgjedhjen e programeve të studimit;
  3. Përpunim dhe shpërndarje informacioni mbi programet e studimit;
  4. Orientim për përfshirjen e studentëve në tregun e punës;
  5. Organizimi i shërbimit të kujdestarisë (tutoratit).

Neni 25

  1. Pranë çdo fakulteti funksion Zyra e Informimit dhe e Orientimit të Studenteve (ZIOS – shih “Përkufizime”). Këto zyra kanë përgjegjësinë institucionale të informimit dhe të orientimit të studentëve dhe të çdo personi tjetër të interesuar për veprimtarinë e fakultetit.
  2. Funksionet kryesore të kësaj zyre në nivel fakulteti janë:
  1. Koordinimi i operacioneve të sekretarisë së departamenteve,
  2. Përgatitja e guidave dhe e fletëpalosjeve të orientimit për studentët,
  3. Përgatitja dhe shpërndarja e librezave të studentëve,
  4. Kërkesa e informimit për diplomat në fakultet,
  5. Pranimi i kërkesave dhe dhënia e përgjigjeve për miratim për ndërprerjen e studimeve,
  6. Pranimi i kërkesave dhe dhënia e përgjigjeve për miratimin e rifillimit të  studimeve,
  7. Pranimi i kërkesave dhe dhënia e përgjigjeve për miratimin e ndryshimit të degës, brenda fakultetit,
  8. Ndjekja e punësimit të të diplomuarve nga ky fakultet.
  1. Në zhvillimin e veprimtarisë së saj ZIOS-ja është nën varësinë e dekanit dhe ka mbështetjen e përgjegjësve të departamenteve për programet e studimit që menaxhohen prej tyre.
  2. Fakultetet, sipas nevojës, mund të shtojnë funksione të tjera për ZIOS-në në rregulloret e tyre të studimeve.

Neni 26

Në fillimin e çdo viti shkollor ZIOS-ja përgatirt dhe shpërndan  informacion të domosdoshëm për studentët e vitit të parë, përfshirë (por pa u kufizuar) në:

  1. Një plan të vendosjes së shërbimeve brenda fakultetit,
  2. Një plan të vendosjes së shërbimeve brenda Universitetit,
  3. Një ekstrakt nga rregullorja e fakultetit (detyrimet dhe të drejtat e studentit) etj.
Afati i studimeve

Neni 27

  1. Koha e  studimeve ndahet në:
  1. Studime jo universitare   profesionale, semestri 1-4( 2 vite akademike). Ne perfundim  te 4 semestrave studenti duhet te siguroje 120 kredite.
  1. Studimet e ciklit të parë (“Bachelor”), semestri 1-6 (3 vite akademike). Në përfundim të 6 simestrave studenti duhet të sigurojë 180 kredite;
  2. Studime të ciklit të dytë (“Master I Shkencave”), zgjatin  1-4 semestra (2 vite akademike) dhe në përfundim të tyre studenti duhet të ketë siguruar 120 kredite ku përfshihen 30-40 kredite për projektin kërkimor dhe  tezën;
  3. Master Profesional, zgjat 1.5 vjet ose 1-3 simestra, në përfundim të të cilëve studenti duhet të grumbullojë 60-90 kredite;
  1.  Studimet e doktorates zgjatin të paktën 3 vite akademike dhe përfshijnë 60 kredite për studimet e organizuara teorike.
  2. Fakulteti i Mjekësisë Veterinare ofron program të integruar të studimeve të Ciklit të parë dhe të Dytë së bashku;

- Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është jo më pak se 5 vite akademike;

- Studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare;

  1. Studentët që nuk i përfundojnë studimet në kohën e rregullt, dmth që nuk arrijnë të pajisen me diplomën “Bachelor” të paktën brenda 5 vjetësh (presence) ose, në vijimësi, nuk arrijnë të fitojnë dhe të pajisen me Diplomën “Master I Shkencave” brenda 4 vjetësh, “Master Profesional” brenda 3 vjetësh janë të detyruar të paguajnë koston e plotë të studimeve. Këto studime quhen jashtë kursit të rregullt.

Neni 28

Viti akademik është njësia kohore bazë e studimeve. Një vit akademik përbëhet nga 2 semestra (dimëror dhe pranveror) dhe shtrihet në intervalin nga 38 deri në 42 javë mësimore, sipas udhëzimeve të MASH-it (30 javë mësim dhe 8-12 javë provime).

Neni 29

Studenti mund t’i ndërpresë studimet pasi të ketë përfunduar vitin e parë të studimeve dhe të ketë fituar, të paktën, 30 kredite, kurdoherë kur të ketë njoftuar paraprakisht për këtë ndërprerje dekanin e fakultetit përkatës. Ai mund  t’i rifillojë studimet para apo pas konsumimit të lejes, në fillim të çdo semestri apo në të njëjtën datë pas së cilës ai është larguar. Në çdo rast, duhet të ketë përmbushur të gjitha detyrimet që  përmban plani aktual mësimor.

Neni 30

  1. Veprimtaritë formuese të një programi studimi klasifikohen në:
  1. Disiplina të formimit të përgjithshëm;
  2. Disiplina të formimit karakterizues të programit;
  3. Disiplina të formimit të ngjashme ose/dhe integruese me disiplinat karakterizuese;
  4. Disiplina formuese të zgjedhura nga studentët;
  5. Disiplina formuese për njohje të gjuhës së huaj, infoamatikës, praktikë;
  1. Teza e diplomës.
  1. Fakultetet në rregulloret e tyre të studimeve kategorizojnë fushat disiplinore sipas veprimtarive formuese.

Neni 31

 

  1. Në përshtatje me kurrikulën e çdo departamenti ose fakulteti, studenti është i detyruar të zgjedhë një numër të caktuar disiplinash me zgjedhje. Fakultetet kanë të drejtë të orientojnë studentët për zgjedhjen e disiplinave.
  2. Për çdo fushë diplomimi studentit i krijohet hapësirë e mjaftueshme për thellimin e dijeve ose specializimin e tij të ngushtë në fusha ku ai ka interes. Kjo realizohet si nëpërmjet tezës së diplomës, ashtu dhe të drejtës për të zgjedhur një numër disiplinash, sipas përcaktimeve në kurrikulat e çdo fakulteti si edhe në përputhje me kërkesat e cikleve të studimeve universitare.

 

 

Neni 32

Vëllimi i studimeve

  1. Vëllimi i studimeve përcaktohet në varësi të kurrikulave të çdo fakulteti, të cilat hartohen nga departamentet dhe miratohen nga këshilli i fakultetit dhe Senati i Universitetit.
  2. Studenti duhet të likujdojë gjatë një viti jo më pak se 60 kredite.
  3. Mbështetur në kurrikul, në fillim të çdo viti akademik, departamentet hartojnë planin mësimor të vitit i cili miratohet nga dekani i fakultetit dhe Rektori i Universitetit. Ky plan përfshin: disiplinat, raportet teori-praktikë, numrin e krediteve, detyrimet mësimore të disiplinës, mënyrat e shlyerjes së detyrimeve, afatet, aftësimin praktik të studentëve etj.

Programet mësimore

Neni 33

  1. Për çdo disiplinë hartohen programe mësimore të cilat përmbajnë titullin e modulit, kategorinë e veprimtarisë formuese, raportin e orëve (leksion, seminar, laboratror, ushtrime etj.), kohëzgjatjen, numrin e krediteve, objektivat e modilit, përshkrimin e shkurtër të programit të modulit, veprimtaritë formuese të modulit dhe vlerësimin, mënyrën dhe peshën e vlerësimit si edhe bilbiografinë e disiplinës. Modeli i paraqitjes së programit të modulit gjendet në Aneksin nr. 2
  2. Programet hartohen nga titullari i disiplinës, pedagogu i disiplinës ose grup pedagogësh, shqyrtohen në departament dhe miratohen nga përgjegjësi i departamentit ose dekani sipas specifikave të çdo fakulteti.
  3. Konform programit të disiplinës në fillim të çdo semestri pedagogu harton planin kalendar.

 

Neni 34

  1. Mësimi zhvillohet në bazë grupi dhe kursi. Leksionet zhvillohen në bazë kursi me jo më pak se 80 studentë; seminaret, ushtrimet etj., zhvillohen në grupe me jo më shumë se 40 studentë, ndërsa për punët e laboratorit jo më shumë se 15 studentë.
  2. Çdo fakultet operon duke u mbështetur mbi këto norma, por dhe në përputhje me mundësitë reale të mjediseve, pajisjeve shkollore, personelit etj., duke patur të drejtën e një tolerance të pranueshme. Për raste të veçanta ndryshimet mund të bëhen vetëm me miratim të MASH-it.

 

Neni 35

  1. Ndarja e studentëve në grupe bëhet nga ZSS-ja. Informacioni mbi ndarjen në grupe kalon nga ZIOS-ja e fakulteteve përkatëse. Pedagogu përgatit Regjistrin e Pedagogut, në të cilin evidenton ecurinë e studentëve lidhur me frekuentimin dhe rezultatet semestrale ose vjetore ( referoju nenit 38).
  2. Modeli i Regjistrit të Pedagogut ndodhet në Aneksin nr. 3.

 

Neni 36

  1. Frekuentimi i veprimtarive formuese (leksione, seminare, ushtrime, punë laboratorike) është i detyrueshëm në masën 80% për programet e studimeve jo universitare   profesionale ,“Bachelor”, “Master i  Shkencave”/”Master Profesional”dhe programeve të studimeve të integruara në Mjekësinë Veterinare. Studentët, të cilët nuk plotësojnë këtë masë frekuentimi, humbasin të drejtën për t’u paraqitur në provim në atë modul - disiplinë.
  2. Studenti e rifiton këtë të drejtë duke plotësuar defiçitin e krijuar në vitin akademik pasardhës.  

 

Neni 37

  1. Koha dhe auditori i zhvillimit të mësimit përcaktohet në orarin e mësimeve. Ai hartohet nga secili fakultet në fillim të çdo semestri dhe shpallet nga sekretaria e departamentit një javë para fillimit të mësimeve. Orari duhet të respektohet rigorozisht nga të gjithë studentët dhe pedagogët e fakultetit.
  2. Orari mësimor ndërtohet mbi kritere pedagogjike, mbi bazën e harmonizimit të elementeve të veprimtarive formuese dhe të shpërndarjes racionale të ngarkesës për studentët dhe pedagogët. Ngarkesa për studentët duhet të jetë jo më shumë se 25 orë në javë.  
  3. Kohëzgjatja e seancave mësimore është 60 minuta.

 

Neni 38

Regjistri i pedagogut

  1. Rregjistri i pedagogut është dokument shtetëror bazë për të evidentuar frekuentimin dhe rezultatet e studentit. Çdo pedagog është i detyruar të shënojë në regjistër emërtimin e disiplinës, veprimtaritë formuese të zhvilluara, të pasqyrojë saktë mungesat dhe rezultatet e studentëve.
  2. Regjistri i pedagogut është dokumenti zyrtar që vërteton ngarkesën e përballuar nga pedagogu në sistemin me kohë të plotë dhe me kohë të pjesshme.
  3. Regjistri i pedagogut kontrollohet dhe vërtetohet nga përgjegjësi i departamentit.

Praktika profesionale

Neni 39

  1. Studentët e sistemit me kohë të plotë kanë të detyrueshme kryerjen e praktikës profesionale kur ajo përfshihet në planet mësimore dhe strukturën e vitit akademik. Me fillimin e vitit akademik sekretaria e departamentit u komunikon studentëve kohën e kryerjes dhe programin e saj.
  2. Studenti që nuk realizon programin e praktikës profesionale i nënshtrohet rregullave të vendosura si për të gjitha veprimtaritë e  tjera formuese.
  3. Studenti merr përsipër të mbulojë të gjitha shpenzimet për realizimin e praktikave mësimore dhe profesionale në terren.

 

Neni 40

  1. Praktikat profesionale zhvillohen në institucione, ndërmarrje shtetërore ose private sipas profilit të përgatitjes së studentit dhe nën drejtimin e pedagogut të caktuar nga departamenti përkatës.
  2. Studenti detyrohet të respektojë rregullat e institucionit apo ndërmarrjes ku kryen praktikën profesionale.

 

Neni 41

  1. Pranë çdo fakulteti organizohet dhe funksionon Komisioni i Praktikës Profesionale. Detyrat e tij përcaktohen në Rregulloren e Studimeve të Fakultetit.
  2. Kohëzgjatja dhe afati i praktikës profesionale përcaktohet në kurrikulat e çdo fakulteti.
  3. Në bashkëpunim me drejtuesit e Universitetit çdo fakultet përcakton vendet e zhvillimit të praktikës profesionale.
  4. Qendrat ku do të zhvillohen praktikat duhet të jenë të miratuara nga organizmat shtetërore përkatëse dhe duhet të kenë detyrime të kontraktuara me UBT-në. Kontrata lidhet për një afat jo më pak se 3 vjet.
  5. Mënyra e zhvillimit dhe e vlerësimit të praktikës profesionale përcaktohet në rregulloret e studimeve të fakulteteve.

Studimet me kohë të pjesshme

 

Neni 42

Studimet me kohë të pjesshme organizohen në fushat: drejtimi i fermave dhe i agrobiznesit, ekonomi dhe politike agrare, financë-kontabilitet, prodhim bimor, agromekanizim, hortikulturë, mbrojtje bimësh, prodhim shtazor, akuakulturë dhe menaxhim peshkimi, teknologji agro-ushqimore, shfrytëzim pyjesh, përpunim druri.

Organizimi dhe zhvillimi i tyre bëhet duke u mbështetur në këto kritere:

  1. Pranimi i kandidatëve në sistemin me kohë të pjesshme bëhet me të njëjat kritere si dhe për sistemin me kohë të plotë;
  2. Departamenti dhe fakulteti, ku organizohen studimet me kohë të pjesshme, përcaktojnë: mënyrën e zhillimit të mësimeve, afatet e likuidimit të detyrimeve, numrin e sezoneve për çdo vit akademik etj. Të gjitha këto u bëhen të njohura kandidatëve përpara fillimit të vitit akademik;
  3. Në programet mësimore të këtij sistemi nuk parashikohet praktika profesionale.

Studimet e dyta me kohë të plotë

Neni 43

Universiteti Bujqësor ofron mundësinë e kryerjes së studimeve të dyta me kohë të plotë pas përfundimit me sukses të studimeve në një nga fushat e diplomimit të këtij Universiteti apo jashtë tij. Pranimi bëhet duke u mbështetur në kuotat e miratuara nga KM-ja.

Kriteret, mbi të cilat bazohen këto studime, janë:

  1. Pranimi i kandidatëve bëhet pa konkurs, por mbi bazën e kritereve seleksionuese të meritës të përcaktuara nga instutucioni dhe kundrejt tarifës së caktuar.
  2. Komisioni i Njohjes së Ekuivalentimit të Studimeve (referoju nenit 74) në nivel fakulteti përcakton detyrimet që duhet të përballojë kandidati për studimet bazë dhe vendimi i marrë prej tij, pasi miratohet nga dekani, i jepet ZSS-së për veprim.

Sekretaria e departamentit

Neni 44

  1. Për të mbështetur në pikëpamje logjistike realizimin e programeve të studimeve pranë çdo departamenti funksionion sekretaria e departamentit.
  2. Funksionet kryesore të sekretarisë së departamentit janë:
  1. Shpërndarja dhe mbledhja e procesverbaleve,
  2. Sekretimi i provimeve,
  3. Mbajtja e kopjve të procesverbaleve,
  4. Dhënia e informacionit për notat në proces,
  5. Infomacione operative mbi orare, salla mësimi e provimi,
  6. Shpallja e kurrikulës, planit, mësimor, grafikut të provimeve.
  1. Fakultetet, nisur nga nevoja e tyre, mund të përcaktojnë detyrime të tjera për sekretarinë e departamentit.

Kreu V:        Kontrolli i dijeve

Parakushtet për hyrjen në provim

Neni 45

  1. Format kryesore të kontrollit për vlerësimin e nivelit të dijeve që studenti ka përvetësuar gjatë zhvillimit të kursit teorik dhe praktik të një disipline janë provimi dhe kolokiumi.
  2. Vlerësimet negative në projektet dhe detyrat e kursit të parashikuara në programin e disiplinës janë penguese për hyrjen e studentit në provimin e radhës. Vlerësimet negative për veprimtaritë e tjera formuese para provimit  nuk janë penguese për futjen e studentëve në provim. Ato merren në konsideratë vetëm në vlerësimin përfundimtar të studentit.
  3. Studentit i lind e drejta e hyrjes në provim, mbasi pedagogu i disiplinës t’ia ketë komunikuar atij këtë të drejtë në orën e fundit të mësimit.
  4. Emrat e studenteve që kanë fituar të drejtën për të hyrë në provimin e disiplinës pasqyrohen në Pasqyrën e Rezultateve të Detyrimeve dhe Provimit., nje kopje te se ciles e dorëzon ne sekretarinë e departamentit/ZIOS
  5. Pasqyra e Rezultateve të Detyrimeve dhe Provimit përgatitet nga ZSS-ja dhe nënshkruhet nga sekretarja përkatëse e ZSS-së, Përgjegjësi i ZSS-së, përgjegjësi i departamentit dhe pedagogët që përbëjnë komisionin e provimit. Kjo pasqyrë mban vulën e ZSS-së.
  6. Modeli i Pasqyrës së Rezultateve të Detyrimeve dhe të Provimit ndodhet bashkëlidhur kësaj rregulloreje, në Aneksin nr.  4
  7. Studentët që kanë humbur të drejtën e futjes në provim për shkak të mos realizimit të detyrës apo projektittë kursit kanë t ë drejtë të bëjnë shlyerjet e tyre në javën e parë të shtatorit.

Vlerësimi i studentëve

Neni 46

Vlerësimi i studentit ndahet në dy pjesë: vlerësimi i vazhduar gjatë vitit për elementet e përcaktuar në programin e modulit dhe vlerësimi përfundimtar. Vlerësimi i vazhduar gjatë vitit përfaqëson 25% deri në 40% të vlerësimit total. Përcaktimi i raporteve mes vlerësimit të vazhduar gjatë vitit dhe vlerësimit përfundimtar bëhet nga çdo pedagog në programin e modulit.

 

Neni 47

Mënyrat e kontrollit të dijes (provim ose kolokium) përcaktohen në programin e modulit dhe planin mësimor  të studimeve.

  1. Provimi është formë e kontrollit të dijeve që duhet të përfundojë brenda afateve të parashikuara;
  2. Kolokiumi është formë e kontrollit të përvetësimit të disiplinës që përfundon brenda periudhës së mësimit pa sezon. Studentet qe rezultojnë  të vlerësuar me notë negative  ose studentët qe pretendojnë të përmiresojnë rezultatin e tyre  mund të përsëritin  kolokiumin brenda javës pasardhëse
  3. Kontrolli i dijeve mund të bëhet: a) me shkrim, b) me gojë, c) i kombinuar (me shkrim e me gojë). Departamenti përcakton nëse pjesa me shkrim e provimit mund të jetë përcaktuese apo eleminuese;.
  4. Tezat e provimit hartohen nga titullari i disiplinës dhe miratohen nga përgjegjësi i departamentit;
  5. Për çdo provim hartohen teza alternative dhe zgjedhja e tezës që u jepet studentëve bëhet në prani të përgjegjësit të departamentit;
  6. Gjatë zhvillimit të provimit nuk lejohet ndërrim teze.

 

Neni 48

Provimet dhe riprovimet për studentët e sistemit të studimeve me kohë të plotë zhvillohen sipas afateve të caktuara në strukturën e vitit akademik, të miratuara nga Këshilli i Fakultetit dhe të pasqyruara në grafikun e provimeve.

  1. Provimet dhe riprovimet zhvillohen në 4 sezone: sezoni i dimrit (shkurt); sezoni i verës (qershor- korrik); sezoni i vjeshtës (10 - 30 Shtator) dhe sezonet plotësues (java e parë e janarit dhe java e fundit e muajit prill). Në sezonet plotësues për çdo disiplinë apo modul do të ketë vetëm tre data provimi. Kete te drejte studenti qe mbart provime nga viti/vitet paraardhesee pasi eshte rregjistruar ne Sektretarine e Departamentit/ZIOS  ne periudhen 10-24 dhjetor dhe 1-15 prill. Datat  miratohen dhe shpallen nga dekani jo më vonë se një muaj para fillimit të sezonit.
  2. Afatet e përcaktuara për provimet dhe riprovimet janë të detyrueshme për zbatim si nga pedagogët, ashtu dhe nga studentët.
  3. Per studentet perserites (me kohe te plote dhe te pjesshme)   te vitit te dyte, vitit te trete, vitit te katert (Bachelor dhe program i integruar )dhe vitit te peste ridhënia e provimeve për modulet e pashlyera, bëhet gjatë vitit në vazhdim, në sezonet e rregullta (dimrit dhe veres) dhe sezonin e vjeshtes.
  4. Per studentet perserites  te vitit te dyte, (Master shkencor dhe Profesional), ridhënia e provimeve për modulet e pashlyera, bëhet gjatë vitit në vazhdim, në sezonet e rregullta (dimrit dhe veres) dhe sezonin e vjeshtes.

 

Neni 49

  1. Studenti në sistemin e studimeve me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme nuk lejohet të hyjë për të dytën herë në provimin e një disipline brenda të njejtit sezon. Studenti nuk mund të hyjë në të njëjtën ditë në dy provime në disiplina të ndryshme.
  2. Studenti paraqitet në provim vetëm me librezën e studentit.
  3. Libreza e studentit plotësohet nga pedagogu i displinës mbas provimit.
  4. Mbas përfundimit të programit të studimeve studenti është i detyruar të dorëzojë librezën e studentit në ZIOS pranë fakultetit përkatës.

 

Neni 50

  1. Provimi ose kolokiumi zhvillohen në orën dhe datën e caktuar. Në rast pamundësie të zhvillimit të provimit ditën e caktuar, për arsye madhore, dekani, me urdhër me shkrim, anulon zhvillimin e provimit ose kolokiumit dhe cakton një datë të mëvonshme e cila u bëhet e njohur studentëve menjëherë.
  2. Komisioni i provimit të një disipline përbëhet nga jo më pak se dy vetë, nga të cilët njëri duhet të jetë pedagogu i disiplinës.
  3. Nëse titullari i disiplinës apo anëtari tjetër për arsye madhore nuk mund të marrë pjesë në provim, përgjegjësi i departamentit cakton me shkrim pedagogun që do t'i zëvendësojë.
  4. Provimet me shkrim bëhen të sekretuara.
  5. Ndalohet hyrja në provim e personave të jashtëm, qofshin dhe anëtarë të stafit akademik të Universitetit, me përjashtim të drejtuesit të departamentit, të fakultetit, Rektoratit dhe personave të tjerë të autorizuar me shkrim nga dekani ose Rektori për të kryer kontroll.

Neni 51

  1. Kohëzgjatja e një provimi me gojë është jo më shumë se 30 minuta për çdo student, ndërsa provimi me shkrim zgjat jo më shumë se 3 orë.
  2. Pas dhënies së tezës në provimin me shkrim nuk lejohet futja në provim e studentëve të tjerë të grupit apo kursit përkatës.
  3. Anëtarët e komisionit të provimit të disiplinës mbikëqyrin zhvillimin korrekt të provimit gjatë gjithë kohës nga dhënia e tezës deri në përfundimin e provimit.

 

Neni 52

  1. Në raste flagrante kur studenti kërkon t'i imponohet ose të kërcënojë me forma të ndryshme anëtarët e komisionit këta të fundit duhet të ndërpresin provimin dhe të kërkojnë ndihmën e të gjitha instancave deri tek organet e ruajtjes së rendit publik për rivendosjen e kushteve normale të zhvillimit të provimit.
  2. Kur ndaj anëtarëve të komisionit të provimit ushtrohet dhunë nga studenti (apo nga ndonjë person tjetër i porositur prej tij), kjo konsiderohet një akt flagrant kriminal dhe, si i tillë, përbën premisë që dekani i fakultetit t’i heqë atij menjëherë të drejtën për të qenë anëtar i Universitetit Bujqësor të Tiranës. Për autorët e akteve të tilla dekani i fakultetit ngre padi për ndjekje penale.

 

Neni 53

Studenti ka të drejtë të ankohet në rast se ndaj tij janë shkelur rregullat proceduriale gjatë zhvillimit të provimit ose ndaj vlerësimit të pamerituar. Ankesa bëhet me shkrim brenda ditës së zhvillimit të provimit dhe i drejtohet dekanit të fakultetit. Ai përcakton nëse ankesa e studentit është e drejtë apo jo dhe merr vendimin përkatës. Ky vendim është i formës së prerë. Në rast se vërtetohen praktika që bien ndesh me dispozitat e kësaj Rregulloreje, atëherë me propozimin e përgjegjësit të departamentit dekani vendos për ndryshimin e komisionit dhe për ridhënien e provimit ose kolokiumit brenda ditës ose të nesërmen, pas përfundimit të tij.

 

Neni 54

Studenti, që për çfarëdo arësye nuk paraqitet në provimin ose kolokiumin e një disipline, humbet të drejtën e provimit dhe konsiderohet mbetës për atë disiplinë në atë sezon. Gjithashtu, studenti vlerësohet mbetës kur:

  1. Nuk është i përgatitur,
  2. Tërhiqet nga provimi,
  3. Kopjon ose mashtron me mjete ndihmëse jo të lejueshme (në këtë rast ai përjashtohet nga provimi),
  4. Pengon zhvillimin e rregullt të provimit ose të kolokiumit (në këtë rast ai përjashtohet nga provimi ose kolokiumi).
  5. Studenti nuk lejohet të mbrojë diplomën, në qoftë se nuk ka shlyer të gjitha detyrimet e vitit të fundit si dhe ato të mbartura.

 

Neni 55

  1. Shkalla e përvetësimit të programit mësimor vlerësohet me sistemin prej dhjetë notash. Nota kaluese më e ulët është nota pesë.
  2. Në format e kontrollit me shkrim përdoret sistemi i vlerësimit me pikë rezultati i të cilit kthehet detyrimisht në notë.  
  3. Kur studenti arrin të grumbullojë 45 pikë në vlerësimin total, (dmth vlerësimi i vazhduar + vlerësimi në provimin përfundimtar), vlerësohet kalueshëm.

Neni 56

  1. Rezultatet e provimit ose kolokiumit u bëhen të njohura studentëve nga komisioni në përfundim të provimit me gojë dhe për provimet me shkrim pedagogu shpall rezultatet pas korrigjimit të tyre.
  2. Në rast se provimi zhvillohet në formën e pyetjeve me përgjigje alternative komisioni shpall dhe çelësin e zgjidhjes.
  3. Një kopje të pasqyrës së detyrimeve dhe provimit (origjinalin) e mban ZSS-ja dhe një kopje e mban sekretarja e departamentit.
  4. Studentët që nuk kanë mundur të informohen në kohë mbi rezultatet e provimit informohen pranë sekretares së departamentit.

Riprovimet dhe mbartja

Neni 57

Studenti në sistemin e studimeve me kohë të plotë i vlerësuar mbetës në dy sezonet e rregullta të provimeve (të dimrit dhe të verës), ka të drejtë:

  1. Që në sezonin e vjeshtës të perdorë të gjitha datat e shpallura nga Fakulteti. Numri i datave të provimeve në këtë sezon është 50% e numrit total të moduleve të secilit vit akademik. Nese numri i moduleve te nje viti akademik eshte tek, numri i datave te provimeve eshte 50%+1.
  2. Pas shpalljes së datave të provimeve të vjeshtës nga dekanati, studentët duhet të paraqesin kërkesën me shkrim pranë sekretarisë se departamenteve/ZIOS, ku të specifikohet moduli që kërkon të shlyejë dhe datën e shlyerjes së tij. Proceverbalet e provimeve të vjeshtës hartohen mbështetur në keto kërkesa. Në asnjë rast nuk pranohet vënia e emrit në procesverbal pa kërkesën e studentit. Në procesverbalet e riprovimeve duhet të jenë të pasqyruara edhe pikët e grumbulluara nga studenti gjatë procesit mesimor
  3. Për të kaluar në vitin e dytë (semestri i tretë), ne Bachelor  studenti duhet të ketë përfituar, minimumi 30 kredite dhe me kohe pjesshme 20 kredite..
  4. Për të kaluar në semestrin e pestë, studenti ne Bachelor duhet të kete përfunduar, domosdoshmërisht, provimet në disiplinat që janë kusht për të vazhduar në disiplinat pasardhëse dhe  të ketë përfituar, minimumi 90 kredite. dhe me kohe pjesshme 65 kredite.
  5. Për të kaluar në vitin e katert (semestri i shtate), studenti ne Bachelor me kohe te pjesshme duhet të ketë fituar minimumi 110 kredite
  6. Për të kaluar në vitin e dytë (semestri i tretë), ne Master  i Shkencave studenti duhet të ketë fituar minimumi 36 kredite.
  7. Për të kaluar  në semestrin e shtate  studenti qe studion ne program te intergruar te ciklit tye dyte duhet të kete përfunduar, domosdoshmërisht, provimet në disiplinat që janë kusht për të vazhduar në disiplinat pasardhëse dhe  të ketë përfituar, minimumi 150 kredite dhe per ate qe kalon ne semestrin e nente  të ketë përfituar, minimumi 210 kredite.
  8. Për studentet që plotësojnë kushtet e pikave, c, d, e, f, g të këtij neni  ridhënia e provimeve për modulet e pashlyera që nuk janë në renditjen e kushtëzuar të njohurive dhe që janë mbartur nga nje vit akademik në tjetrin, bëhet në sezonin plotesues (java e pare e janarit dhe java e fundit e muajit prill). Ne sezonet plotesuese (java e pare e muajit janar dhe java e fundit e muajit Prill), studenti  ka te drejte te shlyej vetem tre module
  9. Per studentet perserites (me kohe te plote dhe te pjesshme), ridhënia e provimeve për modulet e pashlyera, bëhet gjatë vitit në vazhdim, në sezonet e rregullta (dimrit dhe veres) dhe sezonet plotesuese.  
  10. Per studentet perserites  te vitit te dyte (Master shkencor dhe Profesional), per studentet perserites  te vitit te dyte , ne Diplome Profesionale,  studentet e vitit te peste te programit të integruar të studimeve të Ciklit të parë dhe të Dytë ridhënia e provimeve për modulet e pashlyera, bëhet gjatë vitit në vazhdim, në sezonet e rregullta (dimrit dhe veres) dhe plotesuese.
  11. Në rregulloret e tyre fakultetet përcaktojnë renditjen logjike, formuese dhe vijimësinë e disiplinave.

 

Neni 58

Në sistemin e studimeve me kohë të pjesshme studenti është i detyruar të shlyejë paraprakisht kreditet e mbetura nga viti paraardhës në vitin pasardhës. Pas kësaj i lind e drejta të shlyejë detyrimet e kursit që ndjek. Fakultetet përcaktojnë modalitetet në rregulloret e tyre të studimeve.

 

Neni 59

  1. Studenti i vitit të fundit, (viti i dyte për programet e studimeve jo universitare   profesionale, Viti i tretë për Bachelor, Viti i dytë për Master i Shkencave  dhe Master Profesional ) i cili në përfundim të provimeve të kursit në sezonet e rregullta rezulton me deri në tre (tre) detyrime mësimore të pashlyera dhe studenti i vitit të fundit (viti i pestë për programin e studimeve të integruara të ciklit të dytë) i cili në përfundim të provimeve të kursit në sezonet e rregullta rezulton me deri në 4 (kater) detyrime mësimore të pashlyera ka të drejtë t’i shlyejë ato dy javë para fillimit të sezonit të mbrojtjes së diplomave. Nëse këto detyrime nuk shlyhen në afatin e mësipërm, studenti duhet t’i shlyejë ato në sezonet e rregullta apo shtesë  dhe diplomën e mbron pas 6 mujave në sezonin më të afërt.
  2. Studenti i vitit të fundit, (viti i dyte për programet e studimeve jo universitare   profesionale Viti i tretë për Bachelor, Viti i dytë për Master i Shkencave&Master Profesional dhe viti i pestë për Programin e integruar te ciklit të dytë`), i cili në përfundim të provimeve të vitit te dyte për programet e studimeve jo universitare   profesional, te vitit te  të tretë (Bachelor) , vitit të dytë (Master i Shkencave), dhe vitit të pestë për programin e studimeve të integruara të ciklit  të dytë) rezulton me më shumë se tri apo kater(për Programin e integruar te ciklit të dytë`) detyrime të pashlyera, i shlyen ato në sezonet e rregullta apo shtesë  dhe diplomën e mbron në vitin pasardhes

c        Studenti që mbetet apo që nuk paraqitet në provimin e formimit në sezonin e verës, ka të drejtë t’a shlyejë atë në sezonin e dimrit.

Neni 60

Studenti i prapambetur ka këto të drejta dhe detyrime:

  1. I njihen të gjitha detyrimet e shlyera;
  2. Duhet të shlyejë detyrimet e reja që lindin për shkak të ndryshimeve që mund të jenë bërë në planin mësimor;
  3. Studenti me bursë humbet të drejtën e bursës për vitin që përsërit, në rast se ai mbart më shumë se 6 kredite në vitin pasardhës.

Neni 61

  1. Studentët që lëvizin në kuadrin e programit TEMPUS ose programeve të tjera, ku Universteti është palë, kanë status të veçantë dhe lirohen nga detyrimet e kësaj Rregulloreje për frekuentimin.
  2. Atyre u njihen kreditet e fituara jashtë shtetit për disiplinat e ngjashme kur programet barazvlerësohen. Kur kthehen në fakultet duhet të shlyejnë detyrimet për disiplinat e tjera, të cilat nuk duhet të kalojnë masën 50% të detyrimeve vjetore të planit ekzistues mësimor.
  3. Në këto raste, likuidimi i detyrimeve mësimore bëhet me plan individual të hartuar nga departamenti përkatës dhe të miratuar nga dekani i fakultetit, në përputhje me nenet e kësaj Rregulloreje.

Kreu VI:        Diplomimi

Neni 62

  1. Në përfundim të kursit të plotë të studimeve studenti ka të drejtë të diplomohet për të fituar titullin përkatës profesional.
  2. Departamentet përcaktojnë listën e fushave për diploma në fillim të semestrit të pestë. Ky përcaktim bëhet duke u mbështetur në fushat e studimit që mbulon departamenti.
  3. Drejtuesit e temave të diplomës miratohen nga përgjegjësi i departamentit.
  4. Diplomimi në Bachelor  bëhet me mbrojtjen e një teze diplome ose me provim formimi. Diplomimi në Masterin e Shkencave dhe Masterin Profesional bëhet vetëm me mbrojtjen e një teze diplome.
  5. Studentët programeve të studimit në Masterin e Shkencave dhe Masterin Profesional japin deri në diplomim edhe provimin e gjuhës angleze mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare. Për programet e studimeve “Master Profesional” niveli i gjuhës angleze është B2, ndërsa për programet e studimeve “Master i Shkencave” dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë niveli i gjuhës angleze është C1, sipas Kuadrit Europian të Gjuhëve.

 

Neni 63

  1. Diplomimi bëhet në korrik (për Diplomen Profesionale jo universitare, Diplomen Bachelor dhe Diplomën e Integruar të ciklit të Dytë) ose ne shtator per diplomen Bachelor. Për studentët e prapambetur behet, në sezonin e pranverës (mars) dhe në janar (për Diplomën e Integruar të Ciklit të Dytë). Studentit i lejohet të mbrojë punimin e diplomës apo të provimit të formimit, vetëm mbasi të ketë fituar të gjitha kreditet.
  2. Per studentet qe diplomohen ne Master te Shkencave diplomi kryhet ne shtator ose tetor. Për studentët e prapambetur te ketyre programeve diplomi behet, në sezonin e pranverës (mars).
  3. Per studentet qe diplomohen ne Master Profesional  diplomi kryhet sipas afateve te shpallura ne rregulloren e fakulteteve perkatese. Për studentët e prapambetur te ketyre programeve diplomi behet, pas gjashte muajve ne sezonin e shpallur po nga Fakulteti perkates.

 

Neni  64

Procedurat e mbrojtjes së temës së diplomës apo të provimit të formimit përcaktohen në rregulloret e studimeve të fakulteteve.

 

Neni 65

 

Llojet e diplomave

UBT lëshon diplomat që listohen në Aneksin nr. 1.

Modelet e diplomave dhe çertifikatave të miratuara që lëshohen nga UBT-ja ndodhen bashkëlidhur kësaj Rregulloreje në Aneksin nr. 5

Neni 66

 

Regjistrimi i modelit të diplomave në regjistrin shtetëror të diplomave

Modeli i Diplomave Bachelor, Master i Shkencave, Master Profesional, dhe çertifikatave regjistrohen nё regjistrin shtetëror të diplomave dhe çertifikatave për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor qё mbahet në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës.

Neni 67

Shtesa e diplomës

Diplomat Bachelor, diplomat Master i Shkencave, Master Profesional, , që jepen në përfundim të programeve të ciklit të parë, të ciklit të dytë apo të integruar, shoqërohen me suplementin/shtojcën e diplomës.

 Modeli I miratuar i Suplementit/shtojcës së Diplomës ndodhet bashkëlidhur kësaj Rregulloreje në Aneksin Nr. 6

 

Neni 68

  1. Studenti që ka plotësuar të gjitha kërkesat e planit mësimor dhe ka mbrojtur diplomën pajiset me diplomën përkatëse e cila i dorëzohet studentit së bashku me Diplomën Suplement.
  2. Diploma plotësohet me shkrim, qartë dhe me bojë teknike. Diploma është e veçantë për secilin nivel. Diploma nënshkruhet nga përgjegjësi i ZSS-së, dekani i fakultetit dhe Rektori i Universitetit. Nënshkrimi i Rektorit shoqërohet me vulën e Universitetit.

 

Neni 69

  1. Tërheqja e diplomës bëhet nga vetë i diplomuari, kundrejt nënshkrimit dhe evidentohet në regjistrin përkatës. Nëse prania e të diplomuarit është objektivisht e pamundur, tërheqja e diplomës mund të bëhet nga një person i pajisur me prokurë të posaçme, duke paraqitur dhe letërnjoftimin ose pasaportën e tij.
  2. Nëse diploma nuk është plotësuar në rregull, i interesuari nuk duhet ta tërheqë atë dhe të kërkojë pajisjen me diplomë të rregullt. Nëse i interesuari e tërheq diplomën e parregullt, në rast se i humbet ose i dëmtohet ajo dhe bëhet e papërdorshme, Universiteti nuk lëshon dublikatë.
  3. Për raste tepër të veçanta lejohet vetëm dhënia e listës së notave të fituara dhe vërtetimi me fotografi, i cili është ekuivalent me diplomën, pasi të nënshkruhet nga përgjegjesi i ZSS-së, dekani i fakultetit dhe Rektori i Universitetit. Nënshkrimi i Rektorit shoqërohet me vulën e Universitetit.

 

Neni 70

  1. Dorëzimi i diplomave bëhet me ceremoni në Ditën Akademike të Universitetit, në një nëntor. Në ceremoninë e dorëzimit të diplomave marrin pjesë studentë, drejtues të fakultetit si dhe përfaqësues nga Universiteti.
  2. Për studentët që kanë përfunduar studimet me të gjitha notat dhjeta jepet çertifikata "Medalje e Artë".
  3. Për studentët që gjatë studimeve kanë marrë mbi 80% të notave 10 (dhjeta) dhe pjesën tjetër vetëm 9 (nënta), jepet çertifikata "Student i Shkëlqyer”.

 

 

Kreu VII:        Transferimet, ndërrimi i sistemit të studimeve

Neni 71

Njohja dhe ekuivalentimi i diplomave dhe i periudhave të studimeve

UBT-ja bën ekuivalentimin e pjesëve ose programeve të plota të studimi t ose diplomave të marra në institucione të tjera të vendit ose të huaja mbas paraqitjes së kërkesës dhe dokumentacionit të nevojshëm nga të interesuarit.

Neni 72

Transferimet

  1. Universiteti Bujqësor pranon transferime studentësh në vite të ndërmjetme nga universitete të tjera, në të njejtën degë apo sistem dhe lejon largimin e studentëve të tij për në universtitete të tjera, sipas procedurave të parashikuara në këtë Rregullore, pasi studentët kanë ndjekur vitin e parë dhe kanë fituar 30 kredite me notë mesatare mbi 7.
  2. Transferimi është i mundur pas rezultateve të njohjes së periudhave të studimit dhe ekuivalentimit
  3. Procedurat transferuese përfundojnë një muaj para fillimit të vitit akademik.
  4. Vendimi për njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të grumbulluara nga një student, me qëllim vazhdimin e studimeve, i takon strukturës mësimore që pranon studentin sipas kritereve të përcaktuara në Statut dhe në këtë Rregullore.

Neni 73

  1. Kanë të drejtë të transferojnë studimet e tyre në programe të ngjashme studimi në nivelin “Master i Shkencave”/”Master Profesional” , brenda njësisë kryesore universitare, studentet që përfundojne studimet e nivelit Bachelor.
  2. UBT ka të drejtë të pranojë kandidatë që kanë fituar diplomë “Master Profesional” në studimet e ciklit të dytë për diplomën universitare “Master i Shkencave” dhe të vendosi kritere për njohjen/transferimin e krediteve të vlefshme të fituara në studimet e masterit që i përgjigjen programit të studimeve të ciklit të dytë. Këta studentë duhet të shlyejnë të gjitha detyrimet përkatëse të programit të ciklit ku transferohen.
  3. Vendimin për transferim e merr Këshilli i fakultetit, mbasi studenti ka paraqitur kërkesën për transferim dhe dokumentacionin përkatës një muaj përpara fillimit të vitit akademik tek dekani i fakultetit.  

Komisioni i Njohjes dhe Ekuivalentimit të Studimeve

Neni 74

  1. Pranë çdo njësie bazë, me vendim të Këshillit të Fakultetit, ngrihet dhe funksionon Komisioni i Njohjes dhe Ekuivalentimit të Studimeve.
  2. Kriteret e ngritjes dhe funksionimit të këtyre komisioneve përcaktohen në rregulloret e studimeve të fakulteteve.

 

Neni  75

  1. Studentë të Universitetit Bujqësor, të cilët duan të transferohen në universitete të tjera të vendit, në të njëjtën degë apo sistem i paraqesin një kërkesë dekanit të fakultetit, ku ata kryejnë studimet.
  2. Nëse kjo kërkesë miratohet, dekani ia paraqet kërkesën Rektoratit, i cili, pasi merr vendimin miratues, ua përcjell propozimin universiteteve pritëse.
  3. Pas përgjigjes së pranimit nga universiteti pritës, përcillet dokumentacioni i plotë i studentit (fusha e studimit, kursi, sistemi i studimit, detyrimet e shlyera dhe notat perkatëse, kreditet e fituara, çertifikata e gjendjes civile me fotografi, nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo, programet e disiplinave që ka kryer etj.).

 

Neni 76

  1. Për studentët e universiteteve të tjera, të së njejtës degë apo sistem që duan të transferohen në Universitetin Bujqësor, propozimet vijnë nga Rektorati i universitetit përcjellës, shoqëruar me të dhëna të hollësishme për studentin: dega, kursi, sistemi i studimit, detyrimet e shlyera dhe notat përkatëse, kreditet e fituara, çertifikata e gjendjes civile me fotografi, nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo, programet e disiplinave që ka kryer etj.
  2. Vendimin për pranimin e studentëve, propozuar për transferim, e merr Rektorati, pasi ka marrë mendimin e dekanit të fakultetit përkatës.


Neni  77

  1. Kalimi i studentëve nga sistemi i studimeve me kohë të plotë në sistemin e studimeve me kohë të pjesshme, për profile studimesh që mbulon fakulteti, bëhet me vendim të Këshillit të Fakultetit. Kjo lëvizje bëhet me kërkesë të studentit të interesuar, pasi ai të ketë përfunduar vitin e parë.
  1. Kalimi i studentëve nga sistemi me kohë të pjesshme në sistemin me kohë të plotë, kur këtë mundësi e lejon natyra e fushës përkatëse të diplomimit, bëhet me vendim të Këshillit të Fakultetit. Kjo bëhet me kërkesë të studentit të interesuar, pasi ai të ketë përfunduar vitin e parë dhe të ketë notë mesatare mbi 8.
  2. Në të dy rastet e kalimeve të përmendura më sipër nuk duhet të cënohen kuotat e studenteve të kurseve përkatëse të caktuara nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Arsimit dhe Skencës.

 

Neni 78

 

Kalimi i studentëve nga një program studimi në tjetrin, brenda të njëjtit fakultet, bëhet me vendim të Këshillit të Fakultetit.

 

Neni 79

Studenti që fiton të drejtën e regjistrimit në një degë të dytë, në të njëjtin sistem studimi (d.m.th. në  sistemin me kohë të plotë ose në sistemin me kohë të pjesshme), brenda Universitetit Bujqësor të Tiranës, duhet të çregjistrohet më parë nga njëra degë, pastaj të regjistrohet në degën tjetër të të njëjtit sistem. Në këtë rast, sipas përcaktimeve të MASH-it, ai i nënshtrohet detyrimit të pagesës ndaj shtetit për koston e shkollimit të tij në degën e dytë.

Kreu VIII:        Baza e të dhënave mbi studimet dhe studentët dhe çertifikimi i programeve të studimit për studentët

Neni 80

Pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës është ngritur dhe funksionon Zyra e Studimeve dhe e Studenteve. Objekti i i veprimtarisë së Zyrës së Studimeve dhe të Studentëve është:

  1. Regjistrimi i studentëve dhe mbajtja e bazës së të dhënave mbi studentët dhe rezultatet e tyre;
  2. Plotësimi dhe dorëzimi i të gjithë dokumenteve individuale çertifikues mbi rezultatet pjessshme ose të plota të studimeve;
  3. Mbajtja e dokumentacionit mbi procesin mësimor dhe ndjekja e ecurisë së procesit mësimor.
  4. Informimi mbi studimet dhe studentët në nivel Universiteti.

Neni 81

  1. Funksione të Zyrës së Studimeve dhe të Studentëve janë:
  1. Regjistrimi i studentëve.
  2. Mbajtja e bazës së të dhënave me rezultatet e provimeve dhe hedhja e të dhënave në librin e notave.
  3. Plotësimi dhe dorëzimi i diplomave.
  4. Përgatitja e diplomës suplement.
  5. Dhënia diplomës suplement.
  6. Vërtetimi me foto si dokumenti zëvendësues i diplomës,
  7. Hartimi i listës pjesore të notave,
  8. Konfirmimi mbi ciklin e studimeve,
  9. Hartim i procesverbaleve në bashkëpunim me departamentet,
  10. Përgatitja e materialit për transferimin e studentëve nga një fakultet në tjetrin,
  11. Dhënia e programeve mësimore,
  12. Përgatitja e raporteve periodike mbi vërtetimet dhe programet e lëshuara, ndarë me fakultete.

  1. Veprimtaria e ZSS-së rregullohet me rregullore të veçantë.

Kreu IX:        Të drejtat e detyrimet e studentit, të stafit akademik dhe të atij ndihmësmësimor

 

Neni 82

Studenti ka të drejtë:
  1. Të përdorë, sipas rregullave përkatëse, të gjitha mundësitë dhe pajisjet që ofron shkolla për të realizuar programin mësimor dhe punën e programuar në aktivitetin e tij shkencor, bibliotekën dhe mjediset sportive, kulturore etj.
  2. Të marrë pjesë në zgjedhje dhe të përfaqësohet në Këshillin e Fakultetit dhe Senatin e Universitetit në përputhje me rregulloret përkatëse të këtyre organeve.
  3. Të organizohet në shoqata të ndryshme jopolitike në përputhje me aktet ligjore e nënligjore përkatëse.
  4. Të përfitoje bursë studimi brenda ose jashtë shtetit, kur plotëson kushtet e përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave, të Senatit e në marrëveshjet ndërshtetërore ose ndëruniversitare.
  5. Të përfitojë shpërblime të veçanta që administrohen dhe akordohen nga Universiteti sipas kritereve të caktuara nga Senati.
  6. Të strehohet në konviktet që ofron Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve të Universitetit, nëse nuk ka mundësi tjetër strehimi.
  7. Të ndjekë studimet në një degë të dytë, sipas përcaktimeve në këtë rregullore dhe vendimet e Senatit që rrjedhin nga aktet e posaçme të MASH-it.

 

Neni 83

  1. Studenti ka të drejtë të përmirësojë çdo vit mësimor vetëm dy nota dhe disiplinat përkatëse të jenë vetëm nga detyrimet e atij viti.
  2. Kërkesa për përmirësim note i paraqitet Dekanit dhe pergjegjesit te ZSS para sezonit të riprovimeve.
  3. ZSS cakton datat për provimet e përmirësimit të notave për të gjitha fakultetet në dispozicion  të studenteve që pretendojnë të japin  provim për përmirësim note. Datat e provimeve për përmirësim note do të jenë të njejta për të gjithë studentët. Këto data do të fiksohen mbas përfundimit të datave të sezonit të riprovimeve në vjeshtë. Studentët diplomantë do të kenë gjithashtu dy data për provimet e përmirësimit të notave, kurdoherë mbas datave të riprovimeve, por para mbrojtjes së diplomës.

Neni 84

  1. Studenti ka të drejtë të ankohet për shkelje të rregullave të zhvillimit të provimit. Ankesa i paraqitet dekanit menjëherë pas marrjes së rezultatit të provimit.
  2. Dekani i fakultetit, pasi verifikon shkeljet e reklamuara, së bashku me përgjegjësin e departamentit dhe, mbasi konsulton ankesën me komisionin e provimit, merr vendim të formës së prerë. Në rast se ankesa është e drejtë, dekani vendos anulimin e provimit dhe ribërjen e tij ditën e nesërme. Studenti njoftohet menjëherë për vendimin e marrë nga dekani.
  3. Studenti ka të drejtë të ankohet në të gjitha instancat e shkollës, kur ai gjykon se i janë shkelur të drejtat e tij të sanksionuara në aktet ligjore dhe nënligjore.

 

Neni  85

Studenti është i detyruar:

  1. Të njohë me hollësi rregullat e shkollës dhe detyrimet e tij, të jetë i vetëdijshëm për zbatimin e tyre. Në të kundërt shkolla nuk mban përgjegjësi për pasojat që mund të rrjedhin nga mosnjohja e tyre.
  2. Të zbatojë të gjitha rregullat që rrjedhin nga Statuti i Universitetit, nga kjo Rregullore dhe nga çdo akt tjetër ligjor e nënligjor.
  3. Të shlyejë të gjitha detyrimet e përcaktuara në planin mësimor dhe programet e disiplinave.
  4. Të zhdëmtojë, sipas rregullave në fuqi, të gjitha dëmtimet e vlerave materiale të kryera prej tij.

 

Neni 86

  1. Shkelje të rregullave të shkollës konsiderohen të gjitha veprimet e kryera nga ana e studentit që cënojnë personalitetin e pedagogut apo të çdo punonjësi tjetër të shkollës; normat etiko-morale të shoqërisë si kopjimi në provime, falsifikimi i dokumenteve të ndryshme zyrtare etj., aktet e rrugaçërisë, të vjedhjes etj. Këto veprime konsiderohen shkelje të rregullave të shkollës, kur nuk mbartin elemente të veprës penale.
  2. Ndaj studentit që kryen këto veprime merren këto masa disiplinore: a) Vërejtje me shkrim, b) përjashtim nga shkolla për një vit, c) përjashtim nga Universiteti (heqje e së drejtës të studimit të fituar).
  3. Vendimin për përjashtimin e studentit një vit nga shkolla e merr Këshilli i Fakultetit; vendimin për përjashtimin nga Universiteti (heqja vetëm e së drejtës së studimit) e merr Rektorati i Universitetit mbi bazën e propozimit të Këshillit të Fakultetit.

Neni 87

 

  1. Studentët e regjistruar në një program studimi, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do te vazhdojne studimet e tyre me të njejtin program studimi, për kohëzgjatjen e parashikuar të tij, dhe në përfundim do të pajisen me diplomë, sipas përcaktimeve të këtij ligji, në përshtatje me programin e studimit të kryer.
  2. UBT, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përshtat emërtimet e diplomave, që i përkasin programeve të studimeve në vijim dhe i depoziton për miratim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Neni 88

  1. Diplomat e nivelit të pare (DNP), të lëshuara ose të ekuivalentuara me to, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ekuivalente me diplomën universitare “Bachelor”.
  2. Diplomat e nivelit të Dytë (DND) dhe diplomat e integruara të nivelit të dytë (DIND), që kanë grumbulluar në studimet universitare, së paku, 300 kredite, të lëshuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ekuivalente me diplomën universitare “Master i Shkencave”.
  3. Diplomat e studimeve universitare, që kanë zgjatur së paku 4 vite akademike (8 semestra), të lëshuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë ekuivalente me diplomën universitare “Master i Shkencave”
  4. Diplomat “Master i Nivelit të Parë” (MNP), të lëshuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji janë ekuivalente me diplomën universitare “Master Profesional”.
  5. Studimet universitare, në kuadër të programeve të deritanishme të shkollës pasuniversitare të studimeve të thelluara (SHPU) dhe “Master I Nivelit të Dytë” (MND), njihen si të barasvlefshme me diplomat universitare për specializime apo kualifikime post master. Këto studime mund të njihen pjesërisht ose plotësisht për studimet e doktorates në përputhje me përcaktimet e bëra në Statutin e UBT.

 

Neni 89

Të drejtat e stafit akademik dhe të atij ndihmësmësimor

Stafi akdemik dhe ai ndihmësmësimor kanë të drejtë:

  1. Të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë ekzistuese në Universitet, fakultet e departament, duke respektuar të gjitha rregullat e vendosura.
  2. Në funksion të zhvillimit të programit të disiplinës pedagogu ka të drejtë të përdorë forma sa më të larmishme në mësimdhënie, me qëllim që të mundësojë arritjen e objektivave të përcaktuara.
  3. Të kërkojnë nga studentët respektimin e kërkesave të ligjit, statutit dhe rregulloreve të shkollës, duke mos lejuar, në asnjë rast, shkeljen e tyre.
  4. Të kërkojnë nga sudentët një frymë etiko-morale të tillë, që të jetë në pajtueshmëri me traditën si edhe me legjislacionin tonë në fuqi.
  5. Kërkesat që shtrohen gjatë procesit mësimor respektohen dhe zbatohen pa diskutim nga të gjithë. Ato mund të kontestohen në organet drejtuese të departamentit, fakultetit apo Universitetit, vetëm jashtë procesit të mësimit.
  6. Të kërkojnë nga organet drejtuese të departamentit, fakultetit e Universitetit respektimin prej tyre të të gjitha të drejtave që u siguron atyre Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë.

Neni 90

Detyrat e stafit akademik dhe të atij ndihmësmësimor janë:

  1. Pedagogu harton në kohën e duhur programin mësimor të disiplinës dhe, në perputhje me të, planin kalendar. Një kopje të tyre ai e dorëzon në departament.
  2. Të zhvillojnë aktivitetin mësimor, duke zbatuar me përpikëri orarin e hartuar nga departamenti. Moszbatimi i orarit nuk justifikohet për asnjë arsye, me përjashtim të atyre të justifikuara. Në këtë rast departamenti merr masa për zëvendësimin e tij.
  3. Të shfrytëzojnë me efektivitet orën mësimore, duke bërë përpjekje për ta justifikuar sa më mirë atë. Nuk lejohet, për asnjë arsye, fillimi me vonesë dhe përfundimi para kohe i orës së mësimit.
  4. Udhëheqësi i tezave te diplomes “ Master i Shkencave” nuk mbikëqyr më shumë se 5 (pesë) studentë njëkohësisht për temat me karakter kërkimor të aplikuar .
  5. Ngarkesa mësimore e zhvilluar nga personeli akademik në programet e studimeve të ciklit te pare me kohe te plote, ciklit të dytë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë dhe organizimi e drejtimi i tyre, vlerësohen me orë mësimore.
  6. Pedagogu duhet të bëjë përpjekje për ndjekjen sistematike të zhvillimit dhe të arritjeve të shkencës përkatëse në plan kombëtar e botëror dhe ta reflektojë atë në procesin mësimor.
  7. Pedagogu harton në kohën e duhur tezat e provimit dhe i firmos ato tek përgjegjësi i departamentit. Çdo vit tezat e provimit (testimit) duhet të jenë të riformuluara e azhornuara.
  8. Në fillim të vitit akademik pedagogu u bën të qartë studentëve vendin, natyrën, shtrirjen, detyrimet dhe mënyrën e likuidimit të disiplinës përkatëse, në përputhje me planin dhe programet mësimore në fuqi, duke u treguar atyre qartësisht edhe mënyrën e sigurimit të literaturës (tekst në shitje, leksione të shumëfishuara, shënime në klasë, literaturë e huaj etj.
  9. Të respektojnë të gjitha hallkat e procesit mësimor, kërkesat e Ligjit të Arsimit të Lartë, të Statutit si dhe të rregulloreve të Universitetit dhe fakulteteve që kanë të bëjnë me procesin mësimor.
  10. Të respektojnë gjatë gjithë veprimtarisë së tyre parimet e etikës qytetare, duke shfaqur një figurë morale të papajtueshme me veset e këqia. Figura e pedagogut duhet të shërbejë për studentët si shembull i ndershmërisë, largpamjes etj. Pedagogu mban përgjegjësi për shkeljen e rregullave të shkollës. Shkelje të rregullave të shkollës konsiderohen të gjitha veprimet e kryera nga ana e pedagogut që cënojnë personalitetin e studentëve apo të punonjësve të tjerë të Universitetit, normat etiko-morale të mjedisit universitar apo shoqërisë. Ndaj pedagogut që kryen veprime të tilla do të merren këto masa disiplinore:
  1. Vërejtje me shkrim,
  2. Paralajmerim për përjashtim nga puna,
  3. Përjashtim nga puna.

Kreu X:        Dispozita të veçanta

 

Neni  91

Kjo Rregullore shtrin veprimtarinë, duke filluar nga viti akademik 2008 – 2009.

 

Neni  92

Të drejtën e patjetërsueshme për interpretimin e kësaj Rregulloreje e ka Rektorati i Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Miratuar me Vendim të Senatit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, nr. 17, datë 19.05.08.

Amenduar me vendimin e Senatit të UBT-së nr .32   dt . 10.12.2010      , pas ndryshimeve të Ligjit të Arsimit të Lartë nr. 9741, datë 21.05.2007 me  ligjet nr. 9832, dt 12.11.2007 dhe nr. 10307, datë 22.07.2010

 

Kryetari i Senatit

                                                                

                                                                                                                       Prof. Dr. Fatos HARIZAJ

 

Anekse


Aneksi nr. 1: Programet e Studimeve Universitare në UBT

Fakulteti i Bujqësisë dhe i Mjedisit (BM)