Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri



Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Luigi Soreca vizitoi më 1 prill 2021, Universitetin Bujqësor të Tiranës ku u mirëprit nga Rektori i këtij institucioni, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe stafi drejtues i tij, me të cilët bisedoi për një sërë çështjesh.

Misioni i BE-së në vendin tonë në vazhdimësi ka mbështetur dhe mbështet zbatimin e një sërë programesh arsimore, disa prej të cilave kanë përfshirë edhe UBT-në. Një ndër to është programi ERASMUS+, i cili ka për qëllim rritjen e aftësive, punësimin, modernizimin e sistemit arsimor, trajnimin dhe punën e të rinjve. Duke folur për këtë program, Soreca theksoi se ka patur mundësinë të shohë mirëfunksionimin dhe zbatimin e fondeve të dhëna nga BE në UBT nëpërmjet programit SMART AL.

Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian e cilësoi si mjaft të rëndësishëm programin ERASMUS + prej të cilit tha se mund të përfitojnë dhe të mësojnë edhe akademikët jo vetëm në Shqipëri por edhe në shkëmbim me BE.

“Sot kemi pasur kënaqësinë që të festonim dhe të bisedonim edhe për një gjë tjetër shumë të rëndësishme për ERASMUS+. Është lançimi i fazës së dytë të  këtij programi dhe lajmi i mirë është se për vitin 2021-2027, fondet e këtij programi janë pothuajse dyfishuar tërësisht. Pra nga 14 miliardë euro që ka qenë më parë buxheti, tashmë ka arritur në 26 miliardë euro. Nga ky fond do të përfitojnë studentët e akademikët shqiptarë duke shkëmbyer përvojat e tyre dhe për mësimdhënien në BE dhe anasjelltas. Me këtë dëshirojmë të themi që Europa është këtu, ne jemi këtu për të ndihmuar studentët dhe akademikët shqiptarë që të gjithë së bashku, të bëjnë më shumë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”– theksoi Soreca.

“Shqipëria ka qenë vend edhe vazhdon të mbetet për ERASMUS+, pararojë në rajon, sepse Shqipëria ka qenë vendi i parë i rajonit i cili në vitin 1992 u bë pjesë e programit ERASMUS ose i atij që ishte programi pararendës i ERASMUS-it. Gjatë kësaj kohe 8 mijë studentë dhe akademikë shqiptarë kanë shkuar në institucionet e arsimit të lartë të Bashkimit Europian, e ndërkohë 5 mijë studentë dhe akademikë të BE, pra qytetarë të BE, kanë ardhur në Shqipëri për të përfituar nga institucionet e arsimit të lartë shqiptar. Ky është edhe vizioni ynë, pikë e cila na bashkon të gjithëve. Ne në BE, por edhe ju dhe ne të gjithëve, na bën së bashku arsimi”, u shpreh ambasadori Soreca.

Ndërkaq Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Sallaku e prezantoi z. Soreca me arritjet e deritanishme të Universitetit Bujqësor të Tiranës, me ambiciet e tij dhe stafit akademik për ta bërë atë një ndër IAL-të lider jo vetëm në vend por edhe më tej. Kreu i delegacionit të BE-së pa nga afër ambientet e Laboratorit Kompjuterik të Masterit Ekzekutiv ndërtuar falë financimit të projektit SMART AL. Në vijim ai zhvilloi edhe një takim me pedagogë dhe studentë të programit Master Ekzekutiv në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit në UBT. Duke premtuar se kjo nuk do të jetë vizita e fundit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, z. Soreca ndër të tjera iu drejtua të rinjve duke u bërë thirrje që të shfrytëzojnë të drejtën e votës së tyre për të ndryshuar të ardhmen dhe për këtë arsye të mos humbasin mundësinë t’u drejtohen kutive të votimit në datën 25 prill.