Inaugurimi në UBT i “German Corner’’ degës së qendrës “Goethe’’ e cila do të jetë në shërbim të studenteve/ëve të këtij kampusi universitar që dëshirojnë të mësojnë apo të perfeksionojnë gjuhën gjermane, ishte një tjetër risi dhe arritje për UBT. Hapja e zyrës në shtator të këtij viti, u mundësua me mbështetjen e Goethe-Zentrum Tirana, pjesë e rrjetit ndërkombëtar të Instituteve Gëte dhe ka mision nxitjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë.
Ky kënd i ngritur në UBT do të jetë një kontribut i vazhdueshëm në implementimin e strukturave të nevojshme didaktike në implementimin e gjuhës gjermane. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, zv/rektorë, dekanë të fakulteteve të UBT-së, pedagogë e drejtues të departamenteve të gjuhëve të huaja dhe jo vetëm, administratori i UBT-së; atasheu kulturor në ambasadën gjermane në Shqipëri, Martin Zickendraht; drejtuesja e Goethe-Zentrum në Tiranë, Alketa Kuka; Katharina Franz/përfaqësuese e Shërbimit Gjerman për Shkëmbim Akademik – DAAD, Dr. Ingrid Christian, koordinatore shkencore ndërkombëtare në UBT, etj. Këtë vit gjuha gjermane do të jetë pjesë e kurrikulës së studimit për studentët e masterit shkencor që konsiderohet si një element i nevojshëm edhe në drejtim të vazhdimësisë së studimeve në nivelin e tretë të programeve të doktoraturës apo edhe të studimeve post-doktoraturë ndërsa gjithashtu në këtë qendër përveç kurseve të gjuhës së huaj do të zhvillohen edhe aktivitete e veprimtari të DAAD, etj.
Në takimin e zhvilluar fillimisht në ambientet e rektoratit të UBT-së, përfaqësuesit gjermanë dhe shqiptarë nga ambasada gjermane dhe Instituti Gëte u njohën shkurtimisht nga Rektori Sallaku me atë se çfarë ofron UBT dhe kapacitetet e tij. Ndërkaq z. Zickendraht nga ambasada gjermane tha se UBT është një partner shumë i rëndësishëm për ta dhe se është kënaqësi të bashkëpunojnë për të finalizuar projekte të tilla të rëndësishme.
Në këtë kuadër Prof. Sallaku foli për traditën e gjatë të bashkëpunimit me Gjermaninë dhe mbështetjen e vazhdueshme që ky vend ka dhenë për këtë IAL, por sipas tij është i nevojshëm intensifikimi i këtyre marëdhënieve me partnerët gjermanë .
Duke e konsideruar si një lëvizje strategjike tepër të rëndësishme marrëdhënien me partnerët gjermanë, Prof. Sallaku foli për bashkëpunimin e frytshëm që UBT ka patur dhe ka me GIZ Albania, për mbështetjen e kësaj të fundit në organizimin e konferencës që do të zhvillohet me rastin e 70-vjetorit të themelimit të UBT-së, për ndërtimin e laboratorit ndihëms për detektimin e Sars CoV-2 në ujërat e ndotura, për projektet mbështetëse për studentët Phd etj.
Referuar këtij bashkëpunimi por edhe atyre që do të pasojnë, Rektori i UBT-së garantoi se ky institucion është një partner serioz tek i cili partnerët gjermanë mund të gjejnë gatishmërinë, mbështetjen dhe vullnetin e mirë për të promovuar idetë dhe projektet e tyre.
Instituti Gëte që ka mundësuar edhe ndërtimin e Këndit Gëte në UBT, është instituti kulturor i Republikës Federale të Gjermanisë, i cili përcjell gjuhën dhe kulturën gjermane në 98 vende të botës.
Goethe-Zentrum mbështet bashkëpunimin gjermano-shqiptar në fushat e arsimit dhe kulturës ndërmjet të tjerash nëpërmjet kurseve dhe provimeve të gjuhës gjermane, kualifikimeve për stafin pedagogjik dhe projekteve me shkollat dhe universitetet, aktiviteteteve kulturore të filmit, dansit, muzikës, teatrit, ekspozitave, letërsisë dhe përkthimit.