Me mjaft interes u përcoll në mediat kombëtare dhe jo vetëm vizita e Kryeministrit shqiptar në qershor të këtij viti në UBT, ku ndër të tjera ai theksoi se UBT është një nga pikat më strategjike ku projektohet zhvillimi i vendit, ku jepet dija për një sektor që do të shkojë duke u zhvilluar. Në takim morën pjesë përveç stafit akademik të UBT-së, përfaqësuesve të MBZHR apo institucioneve në varësi, student/ë të UBT-së edhe fermerë nga vende të ndryshme të Shqipërisë. Edhe një herë ai shprehu mbështetjen e qeverisë që ai drejton për qasjen e re ndaj sistemit arsimor në tërësi dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës në veçanti.
Për herë të parë këtë vit fermerët u mbështetën me naftë pa akcizë, pa taksë karboni, pa taksë qarkullimi për punimet e mekanizuara në bujqësi, ku kanë përfituar 19.213 fermerë nga e gjithë Shqipëria. Për këtë proces, për programin e naftës falas për fermerët dhe për planet e qeverisë për sektorin e bujqësisë foli në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Kryeministri Rama në takimin e zhvilluar nw UBT.
“Skema jo vetëm që nuk do të ndërpritet por do të shtohet në mbështetje financiare. Nëse sot ne kemi vënë në shërbim të fermerëve naftën pa akcizë 10 milionë, në 2025 të kemi shkuar në 50 milionë. Sot unë flas këtu në emër të një force që ka marrë mandatin të vazhdojë. Në 2025 jemi ne që do japim llogari. Ky është objektivi. Ne nuk do ta ndërpresim por ta rrisim çdo vit ndihmën, në mënyrë që të stimulojmë fermerët të bëjnë ato gjëra që duhen bërë për t’u formalizuar dhe për të hyrë në një sistem. Ne duam ta trefishojmë sipërfaqen e serave, ç’ka është përsëri e mundur. E kemi parë si ka funksionuar dhe çfarë ka sjellë përpjekja për rritjen e sipërfaqeve të serave’’– tha Rama.
Rama tha se nga janari janë 146 milion euro në dispozicion të fermerëve. Kreu i qeverisë theksoi po ashtu se dronët inteligjentë që do të vihen në funksion do të ndihmojnë edhe në sektorin e bujqësisë. Sipas tij, falë tyre s’do të ketë më nevojë për inspektorë në terren dhe do të lehtësohet ndërveprimi i qytetarëve me Kadastrën.
Ai u shpreh ndër të tjera se në katër vitet e ardhshme Shqipëria do të shkojë në kufirin e 1 miliardë eksporteve bujqësore, nga 400 që është sot, ndërsa shtoi se do të bëhen përpjekje për të rritur interesin e të rinjve për Universitetin Bujqësor, i cili deri më sot sipas tij, është parë me paragjykim.
‘’Besoj shumë që UBT është një nga pikat më strategjike ku projektohet zhvillimi i vendit, ku jepet dija për një sektor që do të shkojë duke u zhvilluar.
Për çdo vajzë dhe djalë që vjen në këtë universitet, ka mundësinë t’i krijojë vetes një fuqi të mjaftueshme për të hyrë në një treg që bëhet gjithmonë e më dinamik. Ka paragjykim për këtë universitet dhe për degë të caktuara, por nëse arrijmë të përçojmë mesazhin dhe përmbajtjen e mesazhit në lidhje me të kundërtën, ky interes do të rritet-theksoi Rama.
Ndërkaq Rektori i UBT-së në fjalën e mirëseardhjes shprehu falenderimet përkatëse që kreu i qeverisë bashkë me anëtarë të tjerë të qeverisë dhe jo vetëm, zgjodhën ambientet e universitetit për të shpalosur edhe një herë ecurinë e masave mbështetëse për fermerët shqiptarë dhe për të prezantuar edhe disa nga politikat bujqësore në vend.
Prof. Dr. Fatbardh Sallaku tha se nga kjo skemë ndihmëse ka përfituar edhe vetë UBT duke e implementuar atë në fermën e universitetit.
Ai theksoi se promovimi i të tilla eventeve përsa i përket sektorit të bujqësisë, është në dobi edhe të vetë universitetit pasi sa më shumë të promovohen ato, aq më shumë të rinj do të kenë interes për të zgjedhur të studiojnë në UBT.
Më tej Rektori i UBT-së foli për gatishmërinë e tij dhe atë institucionale për t’i ofruar strukturave të MBZHR të gjitha kapacitetet dhe potencialet që ka ky universitet për të gjitha shërbimet e nevojshme që ministria mund të kërkojë për të mirën e përbashkët.
Në emër të UBT-së, Prof. Sallaku theksoi se ky IAL është i gatshëm të ofrojë kontributin e tij në një sërë sektorësh të tillë si studimi agronomik i tokave, ngritjen e sistemit të regjistrave të fermave e të tjera. Ai përmendi edhe Bankën e Resurseve Gjenetike si një aset mjaft i rëndësishëm që mund t’i shërbejë një sërë programeve ndihmëse apo politikave të ndryshme të MBZHR. Të gjitha këto-shtoi Rektori i UBT-së, janë kontribute që i nevojiten jo vetëm palëve të përfshira, por edhe vetë ekonomisë së vendit dhe aspiratave integruese të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.