UBT dhe biznese të ndryshme bëhen bashkë në panairin “Ditë e Hapur”



Universiteti Bujqësor i Tiranës e Qendra e Karrierës dhe Alumni në këtë universitet organizuan në datën 30.06.2021 aktivitetin me titull “Ditë e hapur në UBT’’. Në ambientet e kampusit të UBT-së ishin të pranishëm me stendat e tyre përfqësues të bizneseve dhe institucioneve të ndryshme me të cilat UBT bashkëpunon dhe që ofruan mundësinë për vende pune për studentët e interesuar, apo edhe mundësi për kryerjen e praktikave profesionale.  Panairi i organizuar nga Qendra e Karrierës dhe Alumni në UBT pati pjesëmarrjen e një sërë biznesesh të ndryshme, institucionesh shtetërore dhe jo vetëm por edhe një numër të konsideruar studentësh të cilët shfaqën interes për shërbimet e ofruara nga kompani të ndryshme. Qëllimi i panairit ishte pikërisht gjetja e mundësive të bashkëpunimit për të ofruar vende punë për studente/ë të UBT-së, apo krijimin e mundësive për të zhvilluar praktika profesionale në këto biznese dhe zyra shërbimi. Në panair morën pjesë kompani e biznese të njohura në vend dhe jo vetëm, të tilla si: Credins Bank, Union Bank, Mrizi i Zanave agroturizëm, NOA, kredo.al, Zepa natyral, Spitali Veterinar Ndërkombëtar i Tiranës, Deloitte, kantina ‘’Miqësia’’, kantina “Duka”, fabrika e vajit të ullirit Ndroq, Hako, AKP (Agjensia Kombëtare e Pyjeve), Bashkia Tiranë, Mare Adriatik, Birra Stela, AKZM, Albinspekt, duapunë.com , miell Tirana.

Panairi u përshëndet nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku i cili falenderoi ndër të tjera Zyrën e Karrierës dhë Alumni në UBT për organizimin por në veçanti bizneset pjesëmarrëse dhe zyrat e shërbimit të pranishme në aktivitetin e sotshëm.

Rektori Sallaku foli për resurset që ofron UBT, më dëshirën e mirë dhe vullnetin për t’i vënë në dispozicion të bizneseve në mënyrë që bashkëpunimi mes palëve të jetë sa më efikas. Ai tha se UBT është një burim serioz resursesh dhe kapacitetesh dhe gjithmonë në gatishmëri për të gjetur rrugë dhe ura komunikimi me bizneset, pasi sipas tij marëdhënia me biznesin është mjaft e rëndësishme ndaj duhet të jetë e dyanshme. Sallaku shtoi se UBT do ta ketë gjithmonë derën të hapur për të gjitha bizneset që kërkojnë të bashkëpunojnë me këtë institucion.

Në vijim u nënshkruan edhe tre marrëveshje bashkëpunimi me: Duapunë.com më përfaqësues Dritan Mezini; Buna shpk me përfaqësues Shemsi Plaku dhe AKH me përfaqësues Armand Hasko.

Stendat e vendosura më ambientet e kampusit universitar u vizituan nga studentë të UBT por edhe nga stafi akademik të cilët shfaqën interes për produktet apo shërbimet e ofruara. Pjesë e rëndësishme e panairit të punës “Ditë e hapur” ishte edhe takimi i organizuar ndërmjet përfaqësuesve të UBT-së dhe përfaqësuesve të bizneseve pjesëmarrëse në panair.


Rama: UBT është një nga pikat më strategjike ku projektohet zhvillimi i vendit, ku jepet dija për një sektor që do të shkojë duke u zhvilluar.