UBT nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me UHZ në Pejë



Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti “HAXHI ZEKA” në Pejë nënshkruan në 03.06. 2021 një marrëveshje bashkëpunimi e cila u firmos nga rektorët përkatës të këtyre institucioneve, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe Prof. Dr. Fadil Millaku. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje të dy institucionet ranë dakort të bashkëpunojnë për nxitjen e shkëmbimit të shumëanshëm në funksion të zhvillimit institucional. Ndër të tjera marrëveshja konsistonte në shkëmbimin e rekomandimeve dhe ekspertizave profesionale të cilat janë të nevojshme veçanërisht në projekt-ide të ndryshme, projekte rajonale dhe ndërkombëtare, në projekte pilot dhe programet e caktuara që kanë segmente të rëndësishme të angazhimit me këtë marrëveshje. Qëllimi i marrëveshjes ishte përcaktimi i fushave dhe mënyrave të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve. Këto të fundit kanë si qëllim të përbashkët identifikimin e nismave për promovimin dhe mbështetjen profesionale në zhvillimin e gjithanshëm universitar të dy institucioneve të arsimit të lartë.

Fushat e bashkëpunimit ndërmjet UBT dhe UHZ përfshijnë shkëmbime të personelit akademik në mbështetje të proçesit mësimor, shkëmbime të personelit akademik, të ekspertëve, të kërkuesve shkencorë dhe studentëve në kuadrin e veprimtarisë kërkimore-shkencore, shkëmbime të literaturës shkencore dhe botime në fusha me interes të dyanshëm, bashkëpunim për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore si; kuvende, kongrese, konferenca, workshope, forume, simpoziume, etj, bashkëpunim për kryerjen e studimeve të përbashkëta, bashkëpunim për aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta shkencore vendore, rajonale dhe evropiane dhe bashkëpunim për shkëmbimin e përvojës lidhur me menaxhimin institucional.

Në takimin për firmosjen e marrëveshjes në Pejë, përfaqësues të UBT-së ishin: Rektori i institucionit, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku; zëvendësrektori për mësimin, Prof. Dr. Iir Kapaj; zëvendësrektori për marrëdhëniet me institucionet dhe publikun, Prof. Dr. Alban Ibraliu, zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet Prof. Asoc. Dr. Erinda Lika, administrator Edmond Tërthorja; Elsa Zela, shefe e marrëdhënieve me jashtë dhe Mirela Basha.

Ndërkaq ekipi i pedagogëve të UHZ përfaqësohej nga Rektori, Prof. Dr. Fadil Millaku; zëvendësrektori për marrëdhëniet ndërkombëtare, Prof. Dr. Ibish Mazreku; zëvendësrektori për buxhetin, financat dhe infrastrukturën, Prof. Dr. Afrim Selimaj; sekretari i përgjithshëm Astrit Ademaj; dekani i Fakultetit të Agrobiznesit, Prof. Asoc. Dr. Nexhdet Shala; dr për bashkëpunim ndërkombëtar Skënder Shala dhe Prof.Ass. Dr. Albiona Shala Abazi nga Fakulteti i Menaxhimit në turizëm, Hoteleri dhe Mjedis.


Studentë të UBT-së vlerësohen me çmime nga FED invest