Ambasadori austriak në Shqipëri, vizitë kortezie në Universitetin Bujqësor të Tiranës



Ambasadori austriak në Shqipëri zhvilloi në fund të gushtit një vizitë kortezie në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Dr. Christian Steiner u mirëprit në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës nga Rektori i këtij institucioni arsimor Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe stafi i tij i ngushtë i rektoratit. Ai përgëzoi drejtuesit e UBT-së për përpjekjet e vazhdueshme intensive për evoluimin dhe dëshirën për të progresuar këtë institucion dhe për të zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin e mëtejshëm me fakultete të ndryshme.

Vizita e kortezisë e kreut të diplomacisë austriake në Shqipëri në UBT i paraprinte vizitës që do të zhvillonin përfaqësues të universitetit të famshëm të Vjenës, BOKU, në fillim të shtatorit në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe pasonte takimet dhe diskutimet e frytshme të zhvilluara më herët në Vjenë midis drejtuesve të UBT-së, atyre të universitetit BOKU dhe përfaqësuesve të lartë të qeverive respektive.

Gjatë bisedës me drejtuesit e universitetit, ambasadori Steiner e cilësoi të rëndësishme vizitën e tij në UBT  ndërsa vlerësoi edhe bashkëpunimin që ky IAL ka dhe do të vijojë të ketë me ndërkombëtarët dhe në veçanti me universitetet e huaja mjaft të njohura siç është ai i BOKU.

‘’Si përfaqësues i qeverisë, jam i lumtur për këtë lloj bashkëpunimi midis universiteteve dhe roli ynë është për të lehtësuar sa më shumë këtë proces’’- theksoi ambasadori austriak ndërsa shprehu interes për planet dhe objektivat që ka UBT në lidhje me bashkëëpunimin me universitetin ‘’BOKU’’ apo edhe shkolla të tjera në Austri.

Edhe Rektori i UBT-së ndërsa prezantoi shkurtimisht institucionin që ai drejton, vlerësoi ndër të tjera rolin e qeverisë shqiptare në mbështetjen që po i jep Universitetit Bujqësor të Tiranës në veçanti dhe qasjes ndaj sistemit arsimor në tërësi.

Prof. Dr. Sallaku e njohu ambasadorin austriak me detaje në lidhje me vizitën e zhvilluar në muajin korrik në Vjenë, së bashku me Kryeministrin Rama, ku theksi u vu ndër të tjera në marëdhëniet e bashkëpunimit mes dy universiteteve.

‘’Një ndër qëllimet tona- tha Prof. Sallaku – është të kemi një lloj patronazhimi nga Universiteti ‘’BOKU’’, ta kemi atë si një guidë udhërrëfyese  për vitet që do të pasojnë, duke qenë se është një nga universitetet më të mira në Europë dhe ne dëshirojmë shumë të ndjekim shembullin e më të mirëve’’.

Gjithashtu Rektori i UBT-së theksoi se UBT e konsideron veten më fat që ka mundësinë të bashkëpunojë me Universitetin ‘’BOKU’’ të Vjenës dhe për faktin që edhe qeveria po e mbështet në këtë rrugëtim.

Ai garantoi në emër të institucionit që drejton se do të bëjnë më të mirën e mundshme për të arritur dhe realizuar objektivat e synuara, por për këtë nevojitet pa dyshim edhe mbështetja dhe ndihma e përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Prof. Sallaku sqaroi se UBT ka disa programe të ngjashme me ato të Universitetit “BOKU’’ dhe kështu mund të gjenden edhe më tepër pika të përbashkëta bashkëpunimi por duke mos përjashtuar edhe sektorë të tjerë që janë shumë të rëndësishëm për bujqësinë në Shqipëri. Mund të përmenden këtu bprogramet që lidhen me pyjet, shëndetin public, sigurinë ushqimore e shumë të tjera.

Ai foli edhe për mundësinë e studimeve mastër që UBT mund të ofrojë për studentët e huaj, për një sërë programesh PHd etj, që mund të jenë një mundësi shumë e mirë bashkëpunimi mes IAL-ve.

Rektori i UBT theksoi se universiteti “Boku” mund të shërbejë si një model udhërrëfyes jo vetëm për shqiptarët por edhe për vende të tjera të rajonit që duan ta ndjekin këtë shembull, duke qenë se në Shqipëri studiojnë shumë studentë nga këto vende.

Ambasadori austriak Christian Steiner shprehu gatishmërinë për të qenë mbështetës dhe kontribuues në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre ideve dhe formave të bashkëpunimi.

“Kjo- tha ai- është diçka shumë e rëndësishme dhe besoj se do të jetë frytdhënëse’’.

Ndërkaq duke i vlerësuar si tepër të rëndësishme për universitetin marëdhëniet me ndërkombëtarët, Prof. Dr. Sallaku në përfundim të takimit, e ftoi ambasadorin austriak për të qenë i pranishëm në festimet që do të organizohen këtë vit me rastin e 70-vjetorit të krijimit të UBT, që do të zhvillohen në nëntor, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga Dr. Christian Steiner.



GIZ Albania dhe ekspertët mikrobiologë gjermanë vizitë në UBT për laboratorin e SARS CoV-2