Një ndër aktivitetet më të rëndësishme të zhvilluara në UBT gjatë tremujorit të fundit ishte vizita në këtë IAL e një stafi akademik të lartë nga Universiteti BOKU i Vjenës, vizitë e cila synonte arritjen e një partneriteti strategjik të përbashkët. Takimet e zhvilluara në datat 9 dhe 10 shtator 2021 patën si qëllim ndër të tjera mbështetjen e strategjinë e zhvillimit të Universitetit Bujqësor, “AUT-2030”. Ky bashkëpunim i nisur do të bëjë të mundur që UBT të arrijë brenda një dekade, standartet më të përparuara ndërkombëtare për arsimin e lartë duke synuar deri në unifikimin e programeve të studimit midis 2 universiteteve dhe njëkohësisht duke bërë ndërkombëtarizimin e programeve të studimit për UBT-në. Prof. DI Dr. DDr.h.c. Hubert Hasenauer, Rektori i Universitetit BOKU të Vjenës së bashku me drejtuesit kryesorë të fakulteteve të këtij universiteti i cili është njëri prej universiteteve më prestigjioze në Europë, erdhën për një vizitë në Universitetin Bujqësor të Tiranës në datat 9 dhe 10 shtator 2021. Ditën e parë, miqtë nga Austria, u pritën në një takim në ambientet e kampusit të UBT nga drejtuesit më të lartë të universitetit Bujqësor, kryesuar nga rektori i këtij institucioni, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku.
Ky bashkëpunim i nisur do të bëjë të mundur që UBT të arrijë brenda një dekade, standartet më të përparuara ndërkombëtare për arsimin e lartë duke synuar deri në unifikimin e programeve të studimit midis 2 universiteteve dhe njëkohësisht duke bërë ndërkombëtarizimin e programeve të studimit për UBT-në.
Vizita e delegacionit të akademikëve nga Austria në vendin tonë pasonte takimin e zhvilluar në korrik të këtij viti të Rektorit të UBT-së në Vjenë së bashku me Kryeministrin shqiptar me inisiativë të këtij të fundit në mbështetje të drejtëpërdrejtë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, për të hapur dialogun ndërmjet drejtuesve të të dy universiteteve, në mënyrë që të krijohen hapësirat e mundshme të bashkëpunimit të frytshëm mes tyre.
Në takimin e ditës së parë të vizites, u prezantuan në detaje potencialet dhe kapacitetet e universiteteve respective për realizmin e këtij partneriteti strategjik për të ardhmen. Palët ranë dakort se ekziston mundësia e një bashkëpunimi të qëndrueshëm në fusha të ndryshme të bashkëpunimit, në fushën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe transferimit të njohurive dhe teknologjisë bashkëkohore.
Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Aplikuara të Jetës (BOKU), përfaqësohej në takimin e realizuar në UBT, nga Univ.Prof. DI Dr. DDr.h.c. Hubert Hasenauer, Rektor i Universitetit BOKU të Vjenës; nga Univ. Prof. DI Dr. Hans-Peter Kaul, Drejtuesi i Departamentit të Shkencave të Bimëve të Kultivuara; nga Dr. Margarita Calderón-Peter, Drejtuese e Marrëdhënieve Ndërkombëtare për Universitetin BOKU; PD Mathias Schreiner, drejtues i Departamentit të Teknologjisë dhe Shkencave Ushqimore dhe nga Prof. DI Dr. Thomas Hein, drejtues i departamentit të Mjedisit, Ujit dhe Atmosferës.
Në fund të ditës delegacioni austriak i shoqëruar nga Rektori i UBT-së, Fatbardh Sallaku patën një darkë pune me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Në ditën e dytë të qëndrimit të tyre në Tiranë me ftesë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, profesorë nga universiteti BOKU i Vjenës zhvilluan një vizitë në ambientet e kampusit universitar dhe në njësitë kryesore të tij.
Dita e dytë e vizitës së miqve austriakë vijoi me një takim në ambientet e Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve (IRGJB), pjesë përbërëse e UBT, i cili është aseti më i rëndësishëm kombëtar për ruajtjen ex-situ të resurseve gjenetike të bimëve, të depozituara në formën e fares apo të bankës gjenetike të dru-frutorëve për ruajtjen afatgjatë.
Më pas rektori i BOKU dhe anëtarët e tjerë të delegacionit nga Austria në shoqërinë edhe të homologut të tyre shqiptar, Prof. Sallakut e stafit të tij vazhduan vizitën e tyre në ambientet e Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit.
Laboratori i Agromjedisit dhe Ekologjisë (LAME) ishte një tjetër ndalesë e delegacionit austriak në UBT. Drejtues të këtij laboratori i njohën profesorët e huaj me procesin e punës që zhvillohet aty, me larmishmërinë e analizave që kryejnë dhe me faktin se ky laborator sapo është certifikuar nga DPA për kryerjen e testeve në përputhje me S SH ISO/IEC 17025: 2017, “Kërkesa të përgjithshme për kompetencën e laboratorëve testues dhe kalibrues’’ sipas një liste të përcaktuar analizash.
Më pas vizita e delegacionit austriak vijoi me ndalesën e radhës në Fakultetin e Shkencave Pyjore (FSHP) ku ndër të tjera, u diskutua edhe për gjetjen e hapësirave të mundshme të bashkëpunimit në sektorin e pyjeve dhe jo vetëm. Në këtë fakultet profesorët e BOKU pane nga afër edhe Laboratorin e Silvikulturës dhe Dendrokronologjisë.
Pjesë e vizitës së profesorëve nga Vjena ishin edhe fakultetet e tjera të UBT dhe një sere laboratorësh që ofrojnë ekspertiza specifike ndër më të mirat.
Më tej vizita përfshiu edhe Fermën Didaktike Eksperimentale në Valias (FDE), e cila përfaqëson laboratorin e hapur shkencor në funksion të të gjitha njësive kryesore të Universitetit Bujqësor të Tiranës, në zhvillimin e aktiviteteteve të prodhimit, eksperimentimit shkencor, kërkimit shkencor dhe kërkimit shkencor në funksion të programeve të doktoraturës dhe gjithashtu transferimit të njohurive në fushat: e bujqësisë, agromjedisit&ekologjisë, arkitekturës së peisazhit, ekonomisë dhe agrobiznesit, teknologjisë ushqimore, mbarështrimit të pyjeve, mjekësisë veterinare dhe resurseve gjenetike të bimëve.