FJALA PËRSHËNDETËSE NGA REKTORI I UBT-SË, PROF. DR. FATBARDH SALLAKU

Dua fillimisht t’ju uroj për fillimin e vitit të ri akademik 2020-2021, me dëshirën për të qenë një vit i suksesshëm dhe i mbarë për të gjithë ju, ndonëse ka nisur dhe zhvillohet në rrethana aspak të favorshme, të kushtëzuara nga pandemia globale e COVID 19. Shpresoj fort dhe uroj që kjo periudhë të zgjasë sa më pak dhe të kalojë me sa më pak pasoja për secilin prej jush, pasi shëndeti dhe mirëqënia e gjithësecilit janë parësore. Në cilësinë e Rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës do të kërkoja mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj për ta vijuar këtë vit akademik me të gjitha kapacitetet tona, përkushtimin, vullnetin e mirë dhe besimin e palëkundur se shumë shpejt do t’i rikthehemi normalitetit, se gjithçka do të funksionojë siç duhet dhe se shpresa për t’ia dalë mbanë e për t’u ngritur më të fortë, nuk do të humbasë për asnjë moment.

Më lejoni të shpreh mirënjohjen time për gjithkënd nga ju, për punën e kryer deri tani.

Më lejoni të dashur studente/ë t’ju falenderoj që keni zgjedhur të studioni në auditoret e UBT-së e të frekuentoni degët e shumta që ky Universitet ofron.

Ky vit kalendarik por edhe akademik gjithashtu, na përballi me një sërë sfidash, por gjithashtu edhe me momente të cilat do të lënë gjurmë në jetën time, siç ishte përzgjedhja në krye të UTB-së, në postin e Rektorit, detyrë për të cilën ju jam mirënjohës pa fund. Ju falenderoj që besuat tek unë për të shërbyer në këtë detyrë ndaj ju siguroj se mbështetja ime do të jetë maksimale. Zgjedhja ime si Rektor i UBT-së përkon edhe me 70-vjetorin e themelimit të këtij institucioni kaq të rëndësishëm dhe unik në llojin e tij në vendin tonë dhe për pasojë përgjegjësia, detyrimi profesional e personal, përkushtimi e angazhimi, dëshira dhe ambicia ime për ta çuar këtë organizëm në etapa edhe më të suksesshme të tij, do të jenë akoma më të mëdha. Por i gjithë ky rrugëtim sigurisht nuk mund të jetë i njëanshëm, por do të jetë bashkë me Ju, ndaj unë kërkoj dhe do të kërkoj bashkëpunimin tuaj, të dashur studente/ë dhe kontributin tuaj të vyer, të nderuar kolege/ë.

Ne jemi përpjekur gjithmonë për të ndërtuar një universitet modern, fleksibël dhe proaktiv që përqëndrohet tërësisht tek studenti në mënyrë që ai të ndihet gjithmonë i kënaqur dhe i përmbushur në të gjitha aspektet akademike, si një institucion që në të njëjtën kohë zhvillon potencialet shkencore dhe teknologjike në fushat e Shkencave Bujqësore, të Ekonomisë dhe Agrobiznesit Bujqësor, Mjekësisë Veterinare, Inxhinierisë Pyjore dhe Teknologjisë Agroushqimore. Ky universitet dëshiron dhe synon të trajtojë maksimalisht arritjet dhe rezultatet e mira si një proçes i vazhdueshëm përmirësimi që na çon drejt sfidave dhe mundësive të reja për zhvillim dhe rritje individuale.

Unë jam i bindur se komuniteti akademik i UBT-së dhe ekspertiza që ai mbart është shumë e besueshme dhe me vlerë për publikun e gjerë, thelbësore për orientimin e fermerëve në treg mbi subvencionet, marketingun, cilësinë e ushqimeve, cilësinë e mjedisit, shëndetin e bimëve dhe kafshëve, etj. Po ashtu është në interes të zhvillimit të programeve dhe thithjes së fondeve të BE-së nga ana e qeverisë shqiptare. Në këtë aspekt, çdo ide apo inisiativë e re e secilit prej jush, por jo vetëm, është e mirëpritur.

Kritere të vlefshme për ne si institucion janë rezultatet e arritura në formën e bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar, pjesëmarrja në projekte vendore dhe ndërkombëtare, shifrat e regjistrimit dhe shkëmbimet e studentëve, organizimi dhe pjesëmarrja në konferenca ndërkombëtare, seminare dhe tubime shkencore, përgatitja e studentëve për konkurse të ndryshme dhe sfidat e ardhshme profesionale, veprimtaria botuese dhe shumë më tepër se kaq.

Po aq e rëndësishme për UBT-në është jeta sociale dhe shoqërore e studentëve dhe për këtë arsye, mbështesim fort aktivitetin social të tyre për të gjithë brezat. Vazhdimisht kemi promovuar klubin Alumni, duke nxitur kështu krijimin e rrjeteve bashkëpunuese midis studentëve në mënyrë që ata të mbështeten tek njëri-tjetri në jetën e tyre të ardhshme profesionale por edhe private.

UBT u ofron gjithashtu studentëve mundësi të shumta për aktivitete sportive, një aspekt mjaft i rëndësishëm ky në mirëqënien fizike dhe mendore të tyre. Për studentët e punësuar, universiteti ofron mundësi kombinimi të studimeve dhe të punës, por jo vetëm kaq, pasi UBT nuk anashkalon edhe ata që janë të interesuar për udhëtime dhe përvoja ndërkombëtare, duke iu ofruar dhe mundësuar praktika jashtë Shqipërisë.

Ne jemi jashtëzakonisht krenarë që po festojmë 70- vjetorin e universitetit tonë këtë vit, një tregues ky padyshim i një suksesi të madh, veçanërisht në sfidat e një mbijetese në kushtet e një konkurence të vazhdueshme si pasojë e reduktimit të numrit të studentëve.

Në këtë përvjetor, ne vlerësojmë me përulje kontributet e brezave dhe të kolegëve të cilët i përkushtuan vite jetë dhe vazhdojnë të japin kontribut pranë universitetit tonë. Përvoja e tyre është pjesë e vlerave dhe traditës, është e pranishme në auditoret dhe laboratorët tanë, në programe mësimore, në metodologjinë e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor, në publikime dhe arritjet tona të përditshme, ndaj për secilin prej tyre shprehim mirënjohje të pamatë.

Aktualisht UBT ka hyrë në etapën e tretë afatgjatë të zhvillimit duke synuar standartet europiane të mësimdhënies, në kërkim shkencor dhe në ofrimin e produkteve e shërbimeve për të tretët.

Gjatë gjithë kësaj kohe universiteti ynë është cilësuar si një institucion i respektueshëm, shembullor dhe pa problematika që mund të cënojnë apo dëmtojnë reputacionin e fituar ndër vite. Vlen të përmendet gjithashtu se Universiteti Bujqësor i Tiranës duke u bazuar në performancën akademike të mësimdhënies dhe aktivitetin kërkimor-shkencor, ka shënuar arritje të ndjeshme edhe në klasifikimin botëror përsa i përket performancës së tyre.

Pas një vlerësimi të shkëlqyer mbi plotësimin e të gjitha standarteve të Akreditimit të vlerësuara nga Kompania Britanike dhe APAAL vjeshtën e vitit 2016, Këshilli i Lartë për Kërkime Shkencore (Consejo Superior de Investigaciones Científicas, CSIC.), http://www.webometrics.info/en/Europe/Albania, organi më i madh publik i Kërkimit në Spanjë, e renditi Universitetin Bujqësor tëTiranës në vend të parë ndër të gjithë Universitetet Shqiptare gjatë periudhës 2018-2019.

Renditja e Universitetit Bujqësor në vendin e parë në Shqipëri, e vendos këtë Universitet në elitën e Universiteteve Europiane dhe botërore, si një Qendër që përfaqëson aktualisht universitetin me eksperiencën më të gjatë në fushën e arsimit të lartë publik në Shqipëri (70 vjet); unikal për programet e studimit që ofron; lider në fushën e kërkimit në bujqësi, blegtori, agromjedis, ushqim, ekonomi dhe menaxhim, pyje, veterinari, etj; në universitetin me një bashkëpunim shumë të gjatë me institucione prestigjioze brenda dhe jashtë vendit; në një universitet me standarde mjaft të larta në edukim, kërkim dhe programe studimore fleksibël që mundësojnë përzgjedhje shumë të mira dhe që ofrojnë kompetenca të shumëfishta për të gjithë të diplomuarit në vend.

Për sa përmenda më lart, të gjithëve ne, na takon të japim kontributin personal për ta bërë këtë universitet më të mirë akoma, më të suksesshmin jo vetëm në vend por edhe përtej kufijve, për të punuar sa më shumë në emër të kësaj të mire të përbashkët, për të krijuar fushat e komunikimit, arsimimit dhe kërkimit shkencor sa më komode dhe të përshtatshme.

Në këtë kuadër unë dhe i gjithë stafi akademik dëshirojmë t’u sigurojmë studentëve tanë një bazë të shëndoshë dhe solide të njohurive që mund t’i ndihmojë ata në karrierën e tyre të sigurtë në të ardhmen.

Marëdhënia institucionale midis Rektorit dhe të gjithë aktorëve të tjerë (staf akademik e studentë) është një marëdhënie reciproke, e ndërsjellë dhe si e tillë ka të drejta e detyrime për palët. Unë kam besim tek të gjithë ju, kolegë e studentë të UBT-së. Le të vijojmë bashkarisht këtë rrugëtim të bukur në udhën e dijes, studente/ë të dashur, të përpiqemi për më të mirën, kolegë të nderuar, pavarësisht kushteve në të cilat ndodhemi.

UBT garanton cilësi në mësimdhënie pavarësisht situatës aktuale dhe angazhim maksimal për të përmbushur të gjitha detyrimet ndaj studentëve, në misionin e bukur të mësimdhënies.

 

Uroj edhe një herë që shumë shpejt të rikthehemi në auditoret tona.

Ruani veten të dashur miq, zbatoni protokollet e sigurisë.

Ruani shëndetin , studente/ë e kolege/ë.

Suksese dhe vit të mbarë shkollor.