Marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë Memaliaj

Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku së bashku me stafin e tij akademik kurorëzuan një Marrëveshje Bashkëpunimi me Bashkinë Memaliaj, me përfaqësues Kryetarin e Bashkisë, Z. Albert Malaj, në kuadër të përmbushjes së objektivave të tij në ofrimin e arsimit cilësor, kërkimit shkencor dhe zgjerimit të rrjetit të bashkëpunimeve për transferimin e njohurive dhe trajnimit profesional në fushën e bujqësisë.

Universiteti Bujqësor dhe Bashkia Memaliaj janë pajtuar për një marrëveshje  bashkëpunimi të gjerë, si një hap drejt promovimit të dijes dhe përparimit të qytetarëve të Memaliajit në fushën e bujqësisë, mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Marrëveshja përfshin një varg iniciativash që synojnë të organizojnë seminare, trajnime dhe hapësira punësimi për studentët e Universitetit në lidhje me praktikat më të mira bujqësore, shfrytëzimin e burimeve natyrore, menaxhimin e rreziqeve të tjera mjedisore, menaxhimin e pyjeve dhe kullotave etj.

Po ashtu, Marrëveshja synon të ndihmojë në promovimin e specialistëve të rinj, projekteve të kërkimit shkencor dhe inovacionit në fushën e bujqësisë dhe mjedisit për zhvillimin rural dhe urban në bashkëpunim me komunitetin lokal dhe studentët e UBT të specializuar në fushat përkatëse.

Takimi u përmbyll me vizitën në gjimnazin "Sali Nivica" ku stafi i UBT i njohu maturantët me programet e shumta të studimit që ka UBT, kriteret e pranimit, akomodimin, bursat e studimit, degët prioritare, diplomat duale dhe gjithë shërbimet e tjera që ofron Universiteti për të ndërtuar një karrierë të suksesshme.

Së bashku për Universitetin Bujqësor të së ardhmes 

Thirrje për mobilitete për studentët e Doktoraturës në kuadër të bursës “PIER PAOLO AMBROSI” për kërkime në fushën e zhvillimit rural