Universiteti Bujqësor i Tiranës mori pjesë në aktivitetin “Open Day” të organizuar nga Shkolla e Mesme Profesionale “Rakip Kryeziu” në Fier, një institucion i njohur i arsimit profesional me profil bujqësor dhe veterinar. Aktiviteti bëri bashkë nxënës, mësues dhe përfaqësues institucionesh, duke krijuar një hapësirë informuese mbi mundësitë e studimit dhe formimit profesional në fushën e bujqësisë dhe veterinarisë.
UBT u përfaqësua në këtë aktivitet nga Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, Prof. Dr. Rezart Postoli, si dhe Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun, Besmira Pelushaj, të cilët prezantuan risitë që universiteti po zbaton në kuadër të reformës UBT2030.
Gjatë aktivitetit, drejtori i shkollës, Alket Merdanaj, u bëri të pranishmëve një tur në ambientet dhe laboratorët e shkollës, ku u prezantuan nga afër hapësirat praktike të formimit profesional, si stalla e lopëve, pularia, qendra për kafshët e vogla, laboratorët e përpunimit të produkteve të bulmetit dhe mjedise të tjera të dedikuara për praktikën mësimore.
Nxënësit treguan interes të veçantë për broshurat e UBT-së me programet e reja Bachelor, të cilat përputhen ngushtë me profilet profesionale që ata ndjekin në shkollë. Diskutimet u fokusuan te mundësitë për vazhdimin e studimeve në fushat e veterinarisë, bujqësisë, teknologjisë ushqimore dhe zhvillimit rural, si dhe te rëndësia e lidhjes së arsimit profesional me arsimin universitar dhe tregun e punës.
Pjesëmarrja e UBT-së në aktivitete të tilla synon të forcojë bashkëpunimin me shkollat profesionale në vend dhe të orientojë të rinjtë drejt programeve moderne të studimit, të harmonizuara me standardet europiane dhe nevojat reale të sektorit agro-ushqimor.









