Skip to Content

Në kujtim të Prof. Dr. Bujar Mane, figurë e shquar e Biokimisë Veterinare


Nekrologji – Në kujtim të Prof. Dr. Bujar Mane

Universiteti Bujqësor i Tiranës shpreh hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Bujar Mane, një nga figurat e shquara të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në fushën e Biokimisë Veterinare.

Prof. Dr. Bujar Mane e nisi veprimtarinë akademike në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në vitin 1973, si asistent në lëndën e Biokimisë, duke kontribuar që herët në aktivitetin mësimor dhe shkencor. Ai hartoi dhe publikoi veprën “Praktikum i kimisë biologjike të kafshëve” në vitin 1978 dhe më pas botimet “Biokimia e kafshëve” (1989) dhe “Biokimia” (2005, 2011), të cilat shërbyen për breza të tërë studentësh të fakultetit.

Veprimtaria shkencore e Prof. Dr. Bujar Mane përfshinte publikime në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrje në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit. Ai udhëhoqi punën shkencore të aspirantëve për gradat “Kandidat i Shkencave” dhe “Doktor i Shkencave”, duke kontribuar në formimin e brezave të rinj të studiuesve.

Gjithashtu, ai ishte një bashkëpunëtor aktiv në jetën akademike, duke marrë pjesë në recensimin e teksteve universitare dhe në oponencat e disertacioneve. Studimet e tij shkencore trajtonin fusha me rëndësi praktike dhe kërkimore, si ketozat subklinike te lopët, problemet metabolike në shpendët e rritjes industriale dhe parametrat metabolikë të Salmo letnica të liqenit të Ohrit.

Për kontributin e tij të çmuar, Prof. Dr. Bujar Mane u nderua me gradën “Kandidat i Shkencave” në vitin 1980, titullin “Docent” në vitin 1990 dhe titullin “Profesor” në vitin 1995. Ai doli në pension në vitin 2011, duke lënë pas një trashëgimi të vyer profesionale dhe njerëzore.

Universiteti Bujqësor i Tiranës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mane, të afërmve, kolegëve dhe gjithë komunitetit akademik për këtë humbje të madhe.

U prehtë në paqe.