Universiteti Bujqësor i Tiranës organizoi një takim informues me stafin akademik dhe doktorantët për programin READ – Research Expertise from the Academic Diaspora, nën kujdesin e Zëvendës Rektores për Shkencën dhe Projektet, Prof. Dr. Erinda Lika, në kuadër të përpjekjeve të universitetit për zhvillimin e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në arsimin e lartë.
Gjatë takimit u prezantuan mundësitë që programi READ ofron për akademikët dhe doktorantët e UBT-së, duke krijuar ura bashkëpunimi me studiues shqiptarë që veprojnë në universitete dhe qendra kërkimore ndërkombëtare. Ky bashkëpunim synon shkëmbimin e njohurive, përvojës dhe praktikave bashkëkohore në fushën e kërkimit shkencor.
Ndër vite, Universiteti Bujqësor i Tiranës ka përfituar nga ky program bashkëpunime të rëndësishme në fusha si bujqësia, blegtoria, siguria ushqimore, sjellja konsumatore dhe disiplina të tjera të lidhura me zhvillimin e qëndrueshëm. Këto projekte kanë dhënë një kontribut të vlefshëm në avancimin e kërkimit shkencor dhe në rritjen e rolit të UBT-së si institucion lider në këtë fushë.
Ky angazhim në projektet READ përforcon rolin e UBT-së si qendër kryesore kërkimore në Shqipëri, duke lidhur kërkimin shkencor me praktikat dhe teknologjitë bashkëkohore ndërkombëtare. Më tej, universiteti inkurajoi stafin dhe doktorantët të aplikojnë në thirrjet e rradhës të programit, që ofrojnë grante kërkimore dhe mundësi bashkëpunimi me diasporën akademike.
Këto projekte synojnë të sjellin ekspertizë të avancuar shkencore dhe teknologjike në fusha të rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë dhe arsimit të lartë në Shqipëri.



