Skip to Content

THIRRJE PËR APLIKIM – PROJEKTI UBT–BOKU 2030

Mobilitete akademike dhe kërkimore për studentë të doktoraturës, kërkues dhe staf të ri akademik

Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT), në kuadër të projektit bashkëpunues me Universitetin BOKU dhe Universitetin VETMEDUNI të Vjenës, shpall thirrjen për aplikim për mobilitete akademike dhe kërkimore, me synim zhvillimin e kapaciteteve kërkimore dhe mësimore të stafit akademik. Projekti “UBT–BOKU 2030” ofron një mundësi të çmuar për studentët e doktoraturës dhe stafin akademik të përfitojnë nga përvoja në dy nga universitetet më të specializuara në fushat e bujqësisë, mjedisit, shkencave të aplikuara, dhe mjeksise veterinare, duke mbështetur kështu përmirësimin e cilësisë së kërkimit shkencor dhe mësimdhënies në UBT.

Kjo thirrje është e hapur për studentë të doktoraturës që janë në vitin e parë ose të dytë të studimeve te doktorates, udheheqesit dhe bashkeudheheqesit e tyre shkencore, kërkues postdoktoraturë si dhe pedagoge te tjere te UBT. Mobilitetet do të kenë kohëzgjatje nga tre deri në gjashtë muaj, në varësi të planit të punës dhe objektivave kërkimore të paraqitura nga aplikanti. Pjesëmarrja në këtë program është një mundësi konkrete për të thelluar ekspertizën akademike, për të realizuar kërkime shkencore në bashkëpunim me profesorë të universiteteve BOKU dhe VETMEDUNI Vjenë, për të ndërtuar rrjete ndërkombëtare bashkëpunimi dhe për të integruar praktika të avancuara në fushën përkatëse.

Në të njëjtën kohë, kjo thirrje është e vlefshme edhe për stafin akademik të universiteteve BOKU dhe VETMEDUNI, të cilët dëshirojnë të zhvillojnë cikle leksionesh dhe module të veçanta në UBT. Përmes këtij programi, profesorët e ftuar do të kenë mundësi të ndajnë ekspertizën e tyre me studentët dhe stafin e UBT-së, duke sjellë praktika bashkëkohore në mësimdhënie dhe kërkim, si dhe duke kontribuar në pasurimin e programeve akademike të universitetit.

Gjithashtu, pjesëmarrja e stafit të BOKU dhe VETMEDUNI në mobilitete të tilla krijon hapësira për shkëmbim të përvojës profesionale, zhvillim të projekteve të përbashkëta kërkimore dhe nxitjen e një bashkëpunimi afatgjatë ndërinstitucional. Ky ndërveprim i ndërsjellë synon jo vetëm ngritjen e kapaciteteve akademike të UBT-së, por edhe forcimin e lidhjeve mes universiteteve partnere, duke kontribuar në ndërtimin e një rrjeti të qëndrueshëm të ekselencës akademike dhe kërkimore.

Projekti mbulon shpenzimet e udhëtimit vajtje-ardhje, akomodimin, shpenzimet mujore të jetesës dhe lëvizjet lokale gjatë qëndrimit të nevojshme për realizimin e projektit, sipas kushteve të përcaktuara në propozimin e projektit.  

Për palën austriake (BOKU dhe VETMEDUNI), projekti mbulon gjithashtu shpenzimet e transportit, akomodimit, jetesës gjatë qëndrimit në Shqipëri, si dhe një pagesë honorare në formë vlerësimi për kontributin e tyre në procesin mësimor, shkencor dhe aktivitete të tjera akademike.

Kriteret e përzgjedhjes dhe mënyra e vlerësimit janë të përcaktuara në Termat e Referencës (ToR), të miratuara nga Senati Akademik i UBT, të cilat mund të konsultohen në faqen zyrtare të universitetit. Të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen pranë zyrës së projektit UBT-BOKU 2030, Godina e FBM (kati i parë), Rruga Paisi Vodica 1025, Tiranë.

UBT inkurajon të gjithë të interesuarit, që plotësojnë kriteret, të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi për të përmirësuar më tej aktivitetin e tyre akademik dhe kërkimor, si dhe për të kontribuar në forcimin e kapaciteteve institucionale të universitetit, në përputhje me standardet evropiane të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

ToR_Programi_Mobiliteteve_BOKU_UBT 


UBT publikon Listat e Kandidatëve Fitues të Raundit 1. Viti Akademik 2025-2026