Skip to Content

Trajnimi rajonal FAO-LEAP mbi vlerësimin e shërbimeve të Ekosistemit në Agrosistemet e Blegtorisë

Kjo e mërkurë mblodhi në UBT, ekspertë, studiues dhe përfaqësues institucionesh nga rajoni me një synim të përbashkët: të analizojnë se si sistemet tona blegtorale ndikojnë tek natyra dhe çfarë shërbimesh i ofrojnë ekosistemit.

Pas prezantimeve, pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre, nga fermat e vogla familjare deri tek projektet e mëdha të qëndrueshmërisë. Pjesë e diskutimeve ishin edhe dy ekspertë ndërkombëtarë të FAO-s: Francesco Accatino, Konsulent për Shërbimet e Ekosistemit, dhe Yuriy Nesterov, Specialist për sektorin Blegtoral.

Trajnimi u ndërtua mbi bashkëpunimin në grup, pyetje praktike dhe shembuj konkretë nga Shqipëria. Temat e trajtuara ishin: Çfarë shërbimesh të ekosistemit ofron blegtoria jonë? Cilat prej tyre nuk maten? Kush duhet të jetë i përfshirë? Dhe mbi të gjitha - cilat janë sfidat që na pengojnë të kemi një qasje më të qëndrueshme?

Më pas fokusi kaloi tek zgjidhjet. Grupet diskutuan se si mund të forcohet roli i aktorëve të ndryshëm — fermerëve, institucioneve, akademisë dhe politikëbërësve. Dhe në fund, pjesëmarrësit ndanë konkluzionet e tyre, duke theksuar se rruga përpara kërkon bashkëpunim dhe ndërgjegjësim të vazhdueshëm. Për UBT-në, ky trajnim ishte jo vetëm një mundësi e vlefshme për të mësuar, por edhe për të kontribuar në zhvillimin e praktikave të qëndrueshme në rajon.