Universiteti Bujqësor i Tiranës njofton të gjithë maturantët për nisjen e 9 programeve të reja Bachelor në vitin e ri akademik, të ndërtuara sipas modelit të Universitetit prestigjioz BOKU të Vjenës
Ky rezultat është fryt i një pune të përkushtuar disa vjeçare, ku ekipet akademike të UBT dhe BOKU kanë bashkëpunuar ngushtë për të:
• Përshtatur kurrikulat me standardet ndërkombëtare,
• Trajnuar stafet dhe pedagogët për metodologji moderne mësimdhënieje,
• Integruar elementët praktikë dhe ndërdisiplinorë në programe,
• Ofruar mundësi të sigurta punësimi në vend e jo vetëm,
• Siguruar që të rinjtë shqiptarë të marrin një diplomë që njihet dhe vlerësohet në gjithë hapësirën europiane.
Synimi është i qartë: UBT2030 do të jetë qendra rajonale e Universitetit BOKU, duke sjellë në Shqipëri jo vetëm arsim cilësor, por edhe standarde europiane në kërkim, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Këto 9 programe janë më shumë se diploma, ato janë një investim në të ardhmen e Shqipërisë në BE, duke përgatitur profesionistët që do të kujdesen për mjedisin, ushqimin, tokat, ujërat, biodiversitetin dhe sfidat e reja të klimës dhe teknologjisë.
Në këtë aktivitet ku u prezantua oferta e re akademike e UBT, morën pjesë edhe ata të cilët janë mbështetja më e madhe e kësaj reforme, Kryeministri i Shqipërisë Sh. T. Z. Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Znj. Anila Denaj.