Skip to Content

UBT, urë lidhëse me inovacionin europian në sektorin agroushqimor

Studentët e vitit të dytë të programit të studimit “Teknologji Ushqimore”, në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit në UBT, ndoqën një leksion të hapur dedikuar ekosistemit europian të inovacionit agroushqimor, duke u njohur nga afër me sfidat globale të sistemeve ushqimore dhe rolin kyç që inovacioni luan në projektimin e ushqimit të së ardhmes.

E ftuar në këtë aktivitet akademik ishte Esmeralda Ballesha, anëtare e EIT Food RIS Policy Council, e cila ndau me studentët përvoja konkrete dhe modele europiane mbi mënyrën se si inovacioni ndërtohet përmes bashkëpunimit të ngushtë midis universiteteve, biznesit, politikëbërjes dhe konsumatorëve.

Një fokus i veçantë iu kushtua EIT Food, si një nga mekanizmat më të rëndësishëm europianë që synon krijimin e një sistemi ushqimor më të shëndetshëm, më të qëndrueshëm dhe më rezistent. Studentët u informuan mbi mundësitë konkrete që ky rrjet europian ofron për të rinjtë, përfshirë programet e të mësuarit gjatë gjithë jetës (lifelong learning), certifikimet profesionale, trajnimet ndërdisiplinore, si dhe skemat e mbështetjes për ide inovative dhe startup-e në sektorin agroushqimor.

Gjatë diskutimeve u theksua gjithashtu rëndësia e prodhimit vendas, sigurisë ushqimore, qëndrueshmërisë së zinxhirit të vlerës dhe roli që profesionistët e rinj, të formuar në institucione akademike cilësore si UBT, mund të luajnë në transformimin e sektorit ushqimor në nivel kombëtar dhe rajonal.

Duke qenë se sistemi ushqimor global përballet sot me sfida të thella sociale, mjedisore dhe ekonomike, të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe inovative, UBT po afirmon gjithnjë e më shumë rolin e saj si një aktor aktiv në ekosistemin europian të dijes dhe inovacionit, duke përgatitur studentë të aftë të kontribuojnë me ide, kërkim shkencor dhe sipërmarrje në ndërtimin e një të ardhmeje ushqimore të qëndrueshme.