Skip to Content

103 vite Shërbim Pyjor Shqiptar: UBT bashkon ekspertë, studentë, me pjesëmarrjen e Ministrit të Mjedisit

Universiteti Bujqësor i Tiranës, përmes Fakultetit të Shkencave Pyjore, mblodhi sot ekspertë të fushës me kontribute të rëndësishme në menaxhimin e pyjeve, pedagogë dhe studentë, në kuadër të shënimit të 103-vjetorit të Shërbimit Pyjor Shqiptar. Aktiviteti shërbeu si një moment reflektimi mbi rrugëtimin historik të shërbimit pyjor në Shqipëri, si edhe një hapësirë për të ndarë vizionin për të ardhmen e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve pyjore.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe Ministri i Mjedisit, Z. Sofjan Jaupaj, i cili vlerësoi rolin e institucioneve akademike në forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe në hartimin e politikave afatgjata për mbrojtjen e pyjeve. Diskutimet theksuan se sot mbrojtja e pyjeve nuk është më vetëm çështje administrimi, por një politikë strategjike që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes dijes shkencore dhe institucioneve publike.

Gjatë aktivitetit, u ndanë certifikata mirënjohjeje për disa ekspertë të fushës, në vlerësim të kontributit të tyre afatgjatë dhe profesional në zhvillimin, studimin dhe mbrojtjen e pyjeve shqiptare, duke theksuar rolin e ekspertizës shkencore në ruajtjen e këtij pasurie kombëtare.

Fakulteti i Shkencave Pyjore në UBT ka qenë dhe mbetet një partner kyç në ndërtimin e politikave moderne për menaxhimin e pyjeve, duke lidhur kërkimin shkencor dhe formimin akademik me proceset e vendimmarrjes publike. Në qendër të aktivitetit ishte edhe roli i studentëve, të cilët po formohen si profesionistët e ardhshëm të sektorit, me një qasje të bazuar në dije, inovacion dhe përgjegjësi ndaj natyrës.