Ky Fakultet, shumë shpejt u kthye në një pikë referimi për të gjithë shërbimin veterinar duke u bërë qendra e vetme në vend për nivelin universitar dhe pasuniversitar. Fakulteti i Mjekësisë Veterinare përpiqet të ofrojë një nga programet më të mira në Shqipëri që ka në fokus interesat kombëtare socio-politike dhe ekonomike. Promovimi i shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve janë kryefjala e përpjekjeve tona. Në fushën akademike, të kërkimit dhe të shërbimeve, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare përpiqet të jetë një partner i plotë dhe kompetent për ndërmjetësimin e marrëdhënies njeri-kafshë. Gjatë gjithë viteve ky Fakultet është karakterizuar nga progresi i vazhdueshëm, si në pjesën e programeve ashtu dhe në ritjen e kapaciteteve klinike dhe laboratorike.
Sfidat e zhvillimt kërkojnë një bashkëpunim të plotë ndërmjet
stafit pedagogjik, studentëve, autoriteteve drejtuese, Ministrisë së Arsimit,
Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Urdhrit Profesional të Mjekut
Veterinar si dhe të gjithë institucioneve shtetërore dhe private që kanë sadopak
lidhje me ketë Fakultet. Gjatë këtyre viteve, Fakulteti i Mjekësisë
Veterinare ka qenë partner aktiv në shumë projekte dhe aktivitete me karakter
shkencor dhe praktik, ndër të cilat përmendim Programin IPA, Horizon
2020, Programi CEEPUS dhe ERASMUS +.
Edukimi i plotë veterinar nuk mund të mendohet vetëm me njohuritë
mjekësore pa i ndërlidhur ato edhe me njohuritë menaxheriale, për të plotësuar
kështu staturën e plotë jo vetëm të një specialisti të kualifikuar veterinar,
por edhe të një menaxheri të mirë. Nisur nga ky vizion, Fakulteti ofron
Programin me Karakter Profesional “Menaxhim Veterinar” i dizajnuar për të
trajnuar specialistë me standardet më të larta për të punuar profesionalisht në
një ekipi veterinar dhe brenda sektorëve të përafërt. Ky program është ideal
për ata që dëshirojnë të ndjekin një karrierë që përfshin menaxhimin e
praktikës veterinare.
Fakulteti i Mjekësisë Verinare po përpiqet vazhdimisht të arrijë
rezultate më të mira në programet ku është i përfshirë. Nga viti 2005,
Fakulteti i Mjekësisë Veterinare ka bashkëpunuar me sukses me fakultetet
veterinare në Brno, Budapest, Vjenë, Košice, Wroclav, Zagreb, Sarajevo,
Prishtinë dhe Shkup në kuadër të rrjetit VetNEST. Shkëmbimi i studentëve dhe
personelit akademik midis institucioneve të lartpërmendura kryhet kryesisht në
kuadër të programit CEEPUS dhe Erasmus +.
Fakulteti prej vitesh merr pjesë aktive në programin Erasmus+.
Janë nënshkruar disa marrëveshje dypalëshe me institucione të arsimit të lartë,
si psh: Zagrebi, Kroacia (Universiteti i Zagrebit, Fakulteti i Mjekësisë
Veterinare); Milano, Itali (Universiteti i Milanos, Fakulteti i Mjekësisë
Veterinare); Kordova, Spanjë (Fakulteti i Mjekësisë Veterinare); Perugia, Itali
(Fakulteti i Mjekësisë Veterinare); Torino, Itali (Fakulteti i Mjekësisë
Veterinare); Cluj-Napoca, Rumani (Universiteti i Shkencave Bujqësore dhe
Mjekësisë Veterinare).
Në dekadën e mëparshme, një rëndësi të veçantë i është kushtuar
rinovimit të pajisjeve dignostike, si dhe modernizimit të objekteve didaktike.
Vitet e fundit vëmendja më e madhe i është kushtuar zbatimit të kurrikulave të
azhornuara universitare dhe pasuniversitare, duke marrë parasysh ndryshimet që
garantojnë "kompetencat e ditës së parë" që mund të arrihen në kohën
e diplomimit.