Skip to Content

AI në universitete, workshop në UBT

Në Universitetin Bujqësor të Tiranës u zhvillua workshop-i me temë “Epoka e AI: Si po transformohen universitetet, institucionet dhe kompanitë”, pjesë e projektit LAIA, një aktivitet që bëri bashkë përfaqësues të universiteteve, institucioneve publike dhe sektorit privat për të diskutuar mbi ndikimin që inteligjenca artificiale po sjell në mënyrën e të mësuarit, funksionimit dhe zhvillimit të organizatave moderne.

Gjatë workshop-it u trajtuan mundësitë që inteligjenca artificiale krijon për inovacion, automatizim dhe rritje të eficiencës, si edhe sfidat që lidhen me transformimin e shpejtë teknologjik dhe përshtatjen e tregut të punës me zhvillimet e reja digjitale.

Në panelin e diskutimit ishin stafi i projektit LAIA, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Prof. Dr. Remzi Keço, Klodi Berberi, konsulent, ICT Business Solutions, Kevin Mamaj nga Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike, Emiliano Mankolli nga Ritech dhe Alban Stambolliu nga Isa Consulting.

Të ftuarit ndanë eksperiencat e tyre mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në proceset e punës, ndikimin e saj në sektorë të ndryshëm të biznesit, si dhe mënyrën se si teknologjitë e reja po transformojnë tregun e punës dhe aftësitë që kërkohen nga profesionistët e rinj.

Një fokus i veçantë iu kushtua bashkëpunimit mes universiteteve dhe biznesit, duke theksuar rëndësinë e krijimit të urave lidhëse mes akademisë dhe tregut të punës. Diskutimet evidentuan nevojën për programe studimi më praktike, përfshirjen e industrisë në procesin mësimor dhe krijimin e mundësive që studentët të njihen më herët me teknologjitë dhe kërkesat reale të tregut.

Workshop-i shërbeu si një hapësirë e vlefshme për shkëmbim idesh, eksperiencash dhe perspektivash mbi zhvillimet dhe mundësitë që sjell epoka e inteligjencës artificiale, duke nxitur dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet akademisë, institucioneve dhe biznesit.