Për dekada me radhë, Lumi Ishëm është konsideruar një nga lumenjtë më të ndotur në Shqipëri. Shkarkimet e ujërave të zeza, mbetjet industriale dhe aktivitetet bujqësore të pakontrolluara kanë ushtruar presion të vazhdueshëm mbi ekosistemet ujore, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ujit dhe në shëndetin publik të komuniteteve përreth. Sot, kjo panoramë po ndryshon falë projektit AMoRE-AL, i cili po vendos një standard të ri për monitorimin dhe menaxhimin e ujërave sipërfaqësore në vend.
Projekti AMoRE-AL sjell për herë të parë në Shqipëri një qasje të integruar dhe shkencërisht të avancuar për vlerësimin e ndotjes në basenet lumore. Risia e tij qëndron në kombinimin e monitorimit afatgjatë përmes teknologjisë Large Volume Sampler (LVS) me modelin shkencor MoRE (Model on Emission in Rivers), duke bashkuar analizat laboratorike me modelimin matematik dhe teknologjitë moderne të matjes në terren. Ky integrim siguron të dhëna të sakta mbi flukset e ndotësve dhe krijon bazë të fortë për politika efektive mjedisore.
AMoRE-AL financohet nga APPEAR dhe ADA, dhe realizohet përmes një partneriteti ndërmjet Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe disa prej universiteteve më të njohura europiane. Monitorimi i ujërave sipërfaqësore në basenin e Lumi Ishëm ka nisur në kuadër të projektit AMoRE-AL, nën koordinimin e Prof. Dr. Seit Shallarit nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, i cili drejton zbatimin e projektit në Shqipëri.Partnerët ndërkombëtarë përfshijnë Prof. Thomas Ertl nga BOKU në Vjenë, Prof. Matthias Zessner nga TU Wien, si dhe Prof. Dr. Stephan Fuchs nga Karlsruhe Institute of Technology. Bashkëpunimi realizohet përmes profesorëve dhe ekipeve të tyre kërkimore, duke bashkuar përvojën e universiteteve europiane me ekspertizën vendase për të përmirësuar monitorimin dhe menaxhimin e ujërave në Shqipëri.
Në kuadër të projektit, ka nisur faza e monitorimit të ujërave sipërfaqësore në basenin e lumit Ishëm, me nëntë stacione të vendosura përgjatë lumit dhe degëve kryesore të tij. Mostrat mblidhen në baza mujore dhe tremujore dhe analizohen për tregues fizikokimikë, nutrientë, ndotës organikë, metale të rënda dhe mikro-pollutantë farmaceutikë. Matjet në terren realizohen me pajisje të specializuara për oksigjenin e tretur dhe temperaturën, ndërsa stacioni fundor në Derven është pajisur me sistemin LVS për monitorim afatgjatë dhe për validimin e modelimit MoRE. Kjo metodologji mundëson jo vetëm pasqyrimin e gjendjes aktuale të ujërave, por edhe parashikimin e zhvillimeve të ardhshme dhe planifikimin e masave konkrete për reduktimin e ndotjes.
Tre studiues të rinj nga UBT, Fatos Huqi, Vjola Bakillari dhe Xhuljo Sema po zhvillojnë doktoraturën në kuadër të këtij projekti, duke forcuar më tej dimensionin akademik dhe perspektivën afatgjatë të kërkimit shkencor në fushën e menaxhimit të integruar të burimeve ujore.
Qëllimi i AMoRE-AL është vlerësimi i plotë i ndotjes në ujërat sipërfaqësore të lumit Ishëm, identifikimi i burimeve dhe shpërndarjes së saj, si dhe ndërtimi i një inventari kombëtar të emetimeve në përputhje me kërkesat e EU Ëater Framework Directive. Projekti kontribuon drejtpërdrejt në hartimin e Planit të Menaxhimit të Basenit, një dokument kyç në kuadër të Kapitullit 27 për mjedisin në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Rezultatet e para tregojnë se baseni i lumit Ishëm nuk është më vetëm një simbol i ndotjes, por po shndërrohet në një shembull se si shkenca, teknologjia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mund të kthejnë sfidat mjedisore në mundësi për zhvillim të qëndrueshëm.






