Në misionin e 19-të të përbashkët BOKU-UBT, delegacioni nga Vjena erdhi në Universitetin Bujqësor për të trajtuar tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me përmirësimin e procesit të administrimit, mësimdhënies, promovimin e programit të mobilitetit të UBT-së dhe aspekte të tjera të rëndësishme të reformës.
Punimet e ditës së parë u hapën me fjalët përshëndetëse të rektorit të UBT Prof.Dr. Fatbardh Sallaku. “Këto do të jenë tre ditë intensive por e di që është bërë një punë shumë e mirë dhe një falenderim shumë të madh për grupet e studimit, komisionit, dekanëve dhe zv/dekanëve”, u shpreh rektori Sallaku.
Prof.Dr. Huber Hasenauer, koordinator i misionit të BOKU në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se ideja e këtij workshopi është që të punohet në detajet dhe zbatimin e programeve të mësimdhënies dhe e dyta që të trajtohen me kujdes aspektet e administrimit të universitetit. “Administrata nuk duhet të admistrojë vetëveten, ajo ndihmon proceset kyçe të universitetit, si kërkimin dhe mësimdhënien”, tha ndër të tjera Hasenauer.
Komisioni i Kurrikulës së Studimit drejtuar nga Prof.Dr. Ardian Maçi theksoi se një pjesë e rëndësishme e reformës akademike në kuadër të iniciativës UBT–BOKU 2030 tashmë ka arritur rezultate konkrete, duke përfunduar rishikimin dhe hartimin e disa prej programeve të reja të studimit në nivelet Bachelor dhe Master. Sipas komisionit, këto programe të finalizuara janë ndërtuar në përputhje me standardet akademike europiane dhe modelin e BOKU University Vienna.
Prof.Dr. Xhelil Koleci dhe Petra Winter, në cilësinë e drejtuesve të grupit të punës VetMed paraqitën progresin e bërë pas misionit të fundit të BOKU duke përfshirë përgatitjen e dokumentacionit për kurrikulën e re, harmonizimin e saj me standardet EAEVE dhe kompetencat “Day One” të BE-së. Një vëmendje e rëndësishme iu kushtua edhe modernizimit të infrastrukturës, përfshirë krijimin e një Skills Laboratory, si dhe hapave të ardhshëm për zbatimin e plotë të programit të ri dhe përgatitjen e projekteve dhe aplikimeve për financime evropiane.
Zv/Rektori për Mësimin në UBT Prof.Dr.Ilir Kapaj prezantoi një përmbledhja të programeve të rishikuara Bachelor dhe Master, si pjesë e reformës akademike që po zhvillohet në universitet me asistencën e ekspertëve të BOKU.
Në këtë sesion u diskutua struktura e menaxhimit për zbatimin e programeve të studimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku u prezantua organigrama institucionale që parashikon një koordinim të qartë mes Rektoratit dhe Zv.Rektorit për Mësimdhënien, fakulteteve përmes zëvendësdekanëve për mësimin, si dhe drejtorive përkatëse të sigurimit të cilësisë, shërbimeve studentore dhe statistikave, me qëllim garantimin e një procesi të strukturuar për zhvillimin, monitorimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të programeve të studimit në përputhje me strategjinë AUT–BOKU 2030.
Paralelisht u zhvillua edhe një sesion i posaçëm mbi reformimin e programit të Mjekësisë Veterinare, ku nën drejtimin e Prof.Dr Xhelil Kolecit dhe Petra Winter nga BOKU u diskutua zhvillimi i programit të ri VetMed në Universitetin Bujqësor të Tiranës, me pjesëmarrjen e grupit të punës për këtë program dhe ekspertëve të tjerë të përfshirë në proces.
Dita e parë e misionit u mbyll me sukses, duke shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e reformës akademike dhe duke i hapur rrugë dy ditëve të tjera intensive të diskutimeve dhe punës së përbashkët mes ekipeve të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe ekspertëve të BOKU.
















