Universiteti Bujqësor i Tiranës ishte pjesë e eventit të rëndësishëm “Match-Maker Albania 2026”, i zhvilluar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, një platformë që bashkoi aktorët kryesorë të ekonomisë, investimeve, inovacionit dhe zhvillimit në vend.
Ky aktivitet, i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), synoi të krijojë ura konkrete bashkëpunimi mes institucioneve publike, universiteteve, kompanive vendase dhe ndërkombëtare, si dhe startup-eve inovative, duke i kthyer idetë në projekte të zbatueshme dhe investime reale.
UBT u përfaqësua në “Smart Agriculture Zone”, një nga hapësirat më të rëndësishme tematike të eventit, e dedikuar modernizimit të sektorit bujqësor dhe promovimit të zgjidhjeve inovative.
Zv. Rektorja Prof. Asoc. Romina Koto prezantoi platformën PHITO, një zgjidhje digjitale që synon të lidhë të dhënat me aktorët e zinxhirit bujqësor përmes një sistemi të thjeshtë dhe të aksesueshëm. Platforma ofron këshillim bujqësor të bazuar në të dhëna për tokën, ujin dhe kulturat, duke iu përshtatur veçanërisht nevojave të fermerëve dhe bizneseve të vogla bujqësore.
PHITO synon gjithashtu të forcojë bashkëpunimin mes fermerëve, konsumatorëve dhe ofruesve të shërbimeve, duke kontribuar në zhvillimin e sistemeve lokale të njohurive dhe inovacionit në bujqësi. Një nga elementët dallues të kësaj platforme është thjeshtimi i përdorimit të teknologjive digjitale dhe shfrytëzimi i të dhënave të hapura për të mbështetur vendimmarrjen në sektorin bujqësor.
Nga ana tjetër, Prof. Alketa Grepcka prezantoi programin inovativ të studimit të UBT-së “IT në Bujqësi dhe Mjedis” i fokusuar në integrimin e teknologjisë në bujqësi dhe mjedis, si dhe në zhvillimin e kompetencave të avancuara në automatizim, bujqësi precize dhe sisteme inteligjente. Ajo theksoi gjithashtu sfidat aktuale të sektorit, duke evidentuar boshllëqet në aftësitë teknike dhe digjitale, si një ndër pengesat kryesore për modernizimin e bujqësisë në Shqipëri.
“Smart Agriculture Zone” mblodhi institucione kombëtare dhe ndërkombëtare si Ministria e Bujqësisë dhe FAO, investitorë të huaj, si dhe startup-e inovative që prezantuan zgjidhje për monitorimin inteligjent të tokës, parashikimin e dëmtuesve dhe optimizimin e proceseve bujqësore, duke theksuar rolin e teknologjisë në transformimin e sektorit.
Nëpërmjet projekteve inovative dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, UBT vijon të kontribuojë në krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm zhvillimi dhe në rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor shqiptar.








