Skip to Content

Bujqësia e së Ardhmes: Teknologjia dhe integrimi i të dhënave

Nis dita e dytë e Konferencës së 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë e Shqipërisë 2030 në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Pas ditës së parë të mbushur me diskutime, ide dhe prezantime shkencore, konferenca vijoi këtë të martë me sesionin plenar me temë “Transformimi i bujqësisë përmes të dhënave: sensing në distancë, ujitje e zgjuar dhe zgjidhje dixhitale”,  moderuar nga Prof. Ilir Kapaj dhe Znj. Lorena Pullumbi.

Kjo seancë theksoi qartë se e ardhmja e bujqësisë qëndron në integrimin e të dhënave, teknologjisë dhe zgjidhjeve inteligjente, për një prodhim më efikas, të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin.

Gjatë këtij sesioni, Prof. Daniel Müller nga Universiteti Humboldt i Berlinit, foli mbi mënyrën se si procesi i integrimit në Bashkimin Evropian mund të transformojë qeverisjen e tokës dhe politikat bujqësore në Shqipëri.

Prof. Edmond Nurellari nga Universiteti i Lincoln prezantoi një projekt inovativ mbi përdorimin e rrjeteve të sensorëve pa tela dhe integrimin e AI me IoT për ruajtjen e patateve në shkallë industriale.

Prof. Luuk Fleskens nga Universiteti Wageningen trajtoi çështjen e zhvillimit të mjeteve dixhitale për fermerët e vegjël, duke theksuar rëndësinë e përshtatjes së teknologjisë me nevojat reale në terren.

Prof. Endrit Kullaj nga Universiteti Bujqësor i Tiranës prezantoi studimin mbi përdorimin e parametrave fiziologjikë dhe teknologjive të sensing-ut për monitorimin e statusit të ujit tek pemët frutore, si një qasje moderne për menaxhimin e ujitjes.

Ndërsa, Dr. Francelino Rodrigues nga FAO – Shqipëri solli një prezantim të projektit “Remote Sensing for Agriculture (RS4Ag)”, duke shpjeguar kalimin nga kërkimi shkencor drejt sistemeve që mbështesin vendimmarrjen në bujqësi.

Në përmbyllje, Lorena Pullumbi, Përfaqësuese e FAO-s në Shqipëri, ndau perspektivën e organizatës mbi inovacionin për një bujqësi dixhitale dhe të qëndrueshme në vend.




ICOALS 2025, Rektori Sallaku: UBT, motori akademik i transformimit drejt BE-së