Një delegacion i Universitetit Bujqësor të Tiranës nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, i përbërë nga Dekanati dhe shefat e departamenteve, zhvilloi një vizitë zyrtare pranë University of Natural Resources and Life Sciences, Vienna (BOKU University) në Vjenë, gjatë datave 15–17 Qershor 2026.
Kjo vizitë u realizua në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për ndërkombëtarizimin e veprimtarisë akademike dhe rritjen e kapaciteteve kërkimore të fakultetit, duke synuar zgjerimin e partneriteteve strategjike me institucione të njohura europiane të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Gjatë vizitës, delegacioni i UBT zhvilloi një sërë takimesh me profesorë dhe kërkues shkencorë të BOKU, të organizuara sipas fushave përkatëse të ekspertizës. Takimet përfshinë diskutime në fushat e Agronomisë, Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Hortikulturës, Mbrojtjes së Bimëve, Shkencave Zooteknike dhe Akuakulturës e Peshkimit.
Në secilin takim u diskutuan prioritetet aktuale të kërkimit shkencor, sfidat me të cilat përballen sektorët përkatës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe mundësitë konkrete për bashkëpunim në të ardhmen. Diskutimet u fokusuan veçanërisht në:
- zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore;
- aplikimet në programet europiane të financimit, përfshirë Horizon Europe dhe Erasmus+;
- shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve;
- organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore
- transferimin e njohurive dhe inovacionit drejt sektorit agro-ushqimor dhe rural.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua identifikimit të fushave me interes të ndërsjellë ku ekspertiza e të dy institucioneve mund të kombinohet për të adresuar sfida aktuale që lidhen me bujqësinë e qëndrueshme, menaxhimin e burimeve natyrore, ndryshimet klimatike, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin rural.
Vizita shërbeu gjithashtu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave mbi organizimin e mësimdhënies, modernizimin e kurrikulave dhe integrimin e kërkimit shkencor me procesin mësimor. Delegacioni i UBT pati mundësinë të njihej nga afër me praktikat dhe modelet e suksesit të BOKU në lidhje me kërkimin e aplikuar dhe bashkëpunimin me industrinë dhe komunitetin.
Në përfundim të vizitës, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin institucional dhe për të konkretizuar idetë e diskutuara në iniciativa dhe projekte konkrete. Kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit ndërmjet UBT dhe BOKU University, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin akademik, shkencor dhe profesional të stafit akademik.





