Universiteti Bujqësor i Tiranës vijoi aktivitetet në kuadër të misionit të 19-të të universitetit BOKU nga Vjena, duke zhvilluar një seri sesionesh pune të fokusuara në forcimin e administrimit universitar, zhvillimin programeve të doktoraturave dhe promovimin e programeve të studimit.
Dita e dytë nisi intensive me një sesion të dedikuar për administrimin universitar, ku Drejtoresha e Burimeve Njerëzore Etleva Shore nga UBT dhe Anika Stork e Prof. Hubert Hasenauer nga BOKU prezantuan situatën aktuale në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Në këtë sesion të parë morën pjesë zëvendësrektorët, dekanët si dhe përfaqësues të administratës së universitetit, përfshirë drejtues të financave, burimeve njerëzore dhe zyrës së projekteve. Diskutimet u fokusuan në analizën e proceseve aktuale administrative, identifikimin e nevojave dhe objektivave të institucionit, si dhe në përcaktimin e hapave të mëtejshëm për përmirësimin e funksionimit të strukturave administrative.
Punimet e ditës së dytë vijuan me aspekte të tjera administrative dhe akademike ku u zhvillua një analizë e detajuar e situatës ekzistuese dhe u diskutua për përcaktimin e përgjegjësive, analizën e boshllëqeve institucionale dhe nevojave të universitetit në këtë drejtim. Në këtë sesion kontribuoi Zv/rektori për Mësimin në UBT Prof.Dr. Ilir Kapaj dhe Prof. Dr. Endrit Kullaj nga Zyra e Marrëdhënieve me Jashtë.
Një sesion i veçantë i grupit të kërkimit shkencor mbi rregulloret e programeve PhD në UBT u mbajt në mesditë, i drejtuar nga zëvendësrektorja për kërkimin shkencor Prof. Dr. Erinda Lika dhe Prof. Dr. Spase Shumka. Në këtë takim u prezantua procedura aktuale e doktoraturës në universitet, zhvillimet më të fundit dhe sfidat që lidhen me përmirësimin e këtij procesi. Diskutimet u përqendruan gjithashtu në programin e mobilitetit akademik dhe në procedurat e aplikimit për studiuesit dhe doktorantët.
Pasdite u zhvillua sesioni i dedikuar për komunikimin dhe promovimin e programeve të studimit i cili u prezantua nga zëvendësrektorja për komunikimin Prof.Asoc.Romina Koto dhe Drejtorja e Marrëdhënieve me Publikun Besmira Pelushaj. Në këtë takim u diskutua për strategjitë e marketingut, aktivitetet promovuese dhe komunikimin e brendshëm institucional.
Grupi nga BOKU vlerësoi punën e bërë nga UBT deri më tani në shumicën prej detyrave të cilat vinin nga takimi i fundit që Universiteti I BOKU-t kishte zhvilluar në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Këto sesione janë pjesë e procesit më të gjerë të reformimit dhe modernizimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës në kuadër të strategjisë AUT Strategy 2030, e cila po zhvillohet me mbështetjen akademike dhe ekspertizën e universitetit BOKU nga Vjena.

















