Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku në fjalën përshëndetëse në Konferencën e 5-të Ndërkombëtare të Universitetit Bujqësor të Tiranës mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë e Shqipërisë 2030, tha se UBT mbetet një nga shtyllat kryesore të dijes dhe zhvillimit kombëtar.
"Me kënaqësi ju konfirmoj se UBT është një histori suksesi në ndërtim, ku përkushtimi ndaj dijes dhe studentëve flet më shumë se çdo perceptim i gabuar. Kjo konferencë ndërkombëtare që zhvillohet sot është një dëshmi e këtij transformimi.
Prania juaj këtu sot është dëshmi e bashkëpunimit tonë të ngushtë dhe e faktit se UBT po bëhet çdo ditë e më shumë i njohur dhe i vlerësuar në arenën ndërkombëtare.”
Rektori theksoi se në kohën kur transformimi i bujqësisë është më i domosdoshëm se kurrë, UBT po luan një rol qendror në këtë proces, jo vetëm si institucion arsimor dhe kërkimor, por si aktor zhvillimi kombëtar, që udhëheq nisma për inovacion, qëndrueshmëri dhe digjitalizim në bujqësi.
"Sot, në këtë ditë të veçantë, Universiteti Bujqësor i Tiranës feston 74 vite histori, 74 vite përkushtim, dije e punë, duke mbetur gjithmonë kështjella e arsimit bujqësor në Shqipëri. Kemi nisur reforma të guximshme, kemi lidhur partneritete të forta ndërkombëtare, kemi hapur programe të reja mësimore, kemi arritur të kemi mbi 20% më shumë studentë të regjistruar falë programeve të reja mësimore me Universitetin BOKU të Vjenës dhe kemi rikthyer besimin se ky universitet është dhe do të mbetet një nga shtyllat kryesore të dijes dhe zhvillimit kombëtar.”
Ai falenderoi të gjithë ekspertët dhe studiuesit nga vende të ndryshme të botës, të cilët përgjatë ditëve të konferencës do të ndajnë përvoja, ide dhe zgjidhje për të ardhmen e bujqësisë,
Po ashtu, Rektori Sallaku përshëndeti në mënyrë të veçantë partnerët dhe bashkëpunëtorët e konferences dhe institucionet më të larta të qeverisjes së vendit për mbështetjen ndaj nismave të rëndësishme të UBT.
Misioni i UBT, sipas Rektorit është transformimi i sektorit të Bujqësisë duke ndjekur vizionin europian në zgjidhje shqiptare – të matshme, të zbatueshme dhe të ndjeshme për fermerin tonë. “Një UBT që eksperimenton në laborator, por transformon në terren. Një UBT që formon mendje, por prek jetën. Sot, kur themi “Next Station: Europe”, ky nuk është një udhëtim gjeografik, por është një udhëtim i dijes, i cilësisë, i përgjegjësisë. Dhe stacioni i radhës për UBT-në është që të bëhet motori akademik i këtij transformimi," përfundoi rektori fjalën e tij.