Skip to Content

Kërkimi shkencor në UBT: Fokus në drejtim të inovacionit në shkencat e jetës dhe teknologji

Kërkimi shkencor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, nëpërmjet bashkëpunimit midis Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Departamenti i Mjekësisë Precize dhe Regjenerative dhe i Zonës Joniane – DIMEPRE-J, përmes programit të Doktoraturave të përbashkëta, ka arritur që të bëjë hulumtime shkencore në fushën e terapisë së indeve të buta. Kjo metodë inovative e aplikueshme sot në qasjen "Një Shëndet" ka për synim rigjenerimin e indeve të buta në njerëz dhe në kafshë nëpërmjet metodave inovative të nxitjes së krijimit të qelizave staminale, për rigjenerimin e indeve të dëmtuara në mënyrë të pakthyeshme. 

Nxitja e qelizave staminale në rigjenerimin e indeve është një fushë kyçe e mjekësisë rigjeneruese dhe biologjisë qelizore.

Në këtë kuadër Prof.Dr. Erinda Lika ishte e ftuar në Departamentin e Mjekësisë Precize dhe Regjenerative dhe i Zonës Joniane – DIMEPRE-J në  Universitetin eBarit “Aldo Moro” si Visiting Professor. 

Kjo metodologji synon të aplikohet si në mjekësi veterinare ashtu edhe në mjekësi humane nëpërmjet ekselencës shkencore të Departamentit të Mjekësisë Precize dhe Regjenerative dhe të Zonës Joniane – DIMEPRE-J, për rigjenerimin e indeve të tendinave të muskujve, të neuroneve, të fijeve nervore, si edhe të qelizave të miokardit.

Ky projekt kaq ambicioz e vizionar, në drejtim të dhënies së zgjidhjeve që deri tani kanë qenë kaq sfiduese, siç janë rigjenerimi i indit nervor, ka dhënë rezutate fillestare shumë të suksesshme, të cilat vërtetojnë se shumë shpejt këto do të jenë të aplikueshme edhe në njerëz.

Edhe njëherë shumë mirënjohje dhe vlerësim për profesor Antonio Crovace, Departamenti i Mjekësisë Precize dhe Regjenerative dhe i Zonës Joniane – DIMEPRE-J. Po ashtu falenderime për kontributin dhe angazhimin maksimal të doktorantëve Bledar Goxhaj dhe Taulant Goga, të cilët me shumë sukses po përfundojnë doktoraturat e tyre në këtë fushë, nën udhëheqjen e përbashket të Prof. Dr. Erinda Lika, Zv.Rektore për Shkencën dhe Projektet në UBT dhe profesor Antonio Crovace.

Ky kontribut forcon pozicionin e Universitetit Bujqësor të Tiranës si një aktor i rëndësishëm në kërkimin e shkencave mjekësore të përbashkëta, duke lidhur dijen akademike me aplikimin praktik dhe duke promovuar inovacionin në shërbim të mirëqenies dhe shëndetit. Në të njëjtën kohë, ai krijon baza të forta për zhvillime të mëtejshme shkencore në këtë fushë me rëndësi të veçantë për shendetin e njerëzve dhe të kafshëve.