Dita e dytë e Misionit të 27-të BOKU–UBT vijoi me një nga proceset kryesore të reformës akademike në Universitetin Bujqësor të Tiranës: riorganizimin e departamenteve dhe përcaktimin e rolit të tyre në strukturën e re të Universitetit.
Ndryshe nga dita e parë, e fokusuar te programet e reja të studimit Bachelor dhe Master, puna u zhvendos në nivelin e departamenteve. Përmes dy sesioneve paralele, përfaqësuesit e tyre prezantuan punën e realizuar deri më tani për strukturën dhe organizimin e ri, ndërsa së bashku me ekspertët e Universitetit BOKU të Vjenës diskutuan çështjet që kërkojnë përmirësim dhe hapat konkretë për zbatimin e modelit të ri.
Në sesionin e parë u përfshinë departamente dhe njësi që mbulojnë fusha si menaxhimi i mjedisit dhe burimeve natyrore, shkencat agronomike, mbrojtja e bimëve, hortikultura dhe arkitektura e peizazhit, akuakultura dhe peshkimi, shkencat zooteknike, teknologjia agroushqimore, shkencat e ushqimit dhe bioteknologjia, kimia, si dhe njësitë e lidhura me Mjekësinë Veterinare.
Paralelisht, sesioni i dytë përfshiu departamentet e menaxhimit të agrobiznesit, turizmit rural, matematikës dhe shkencave kompjuterike, gjuhëve të huaja, financës dhe kontabilitetit, ekonomisë dhe politikave të zhvillimit rural, pyjeve dhe industrisë së drurit, si dhe njësi të tjera akademike dhe kërkimore.
Diskutimet u fokusuan konkretisht në mënyrën se si departamentet do të organizohen për të mbështetur programet e reja Bachelor dhe Master, ndarjen e përgjegjësive akademike, koordinimin e stafit dhe përshtatjen e strukturave ekzistuese me modelin e ri të Universitetit. Për secilin departament u evidentua puna e realizuar deri më tani, çështjet ende të hapura dhe hapat që duhet të përmbyllen në vijim, në funksion të zbatimit të reformës akademike dhe Strategjisë UBT 2030.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm i ditës së dytë ishte administrimi i programeve të reja të studimit. Përgjatë ditës u zhvillua një sesion i posaçëm pune me stafin e administrimit të mësimdhënies, ku u diskutuan procedurat që lidhen me menaxhimin e ofertës së re akademike, organizimin e proceseve mësimore, kërkesat administrative për zbatimin e programeve, si dhe hapat dhe afatet që duhet të ndiqen në vijim.
Në këtë kuadër u prezantua edhe software-i i Sekretarisë Mësimore, i cili do të shërbejë për administrimin dhe digjitalizimin e proceseve që lidhen me studentët dhe mësimdhënien. Prezantimi u fokusua te funksionalitetet e sistemit dhe mënyra se si ai do të mbështesë punën e sekretarive mësimore dhe menaxhimin më efikas të proceseve akademike në kuadër të strukturës së re të UBT-së.
Dita e dytë e misionit solli kështu diskutimin nga konceptimi i programeve të reja te organizimi konkret i strukturave akademike dhe administrative që do t'i zbatojnë ato, duke e çuar reformën drejt fazës së zbatimit praktik.



















