Universiteti Bujqësor i Tiranës si partner në Projektin “AMORE-AL”(Assessment of Pollutant Emissions to support River Basin Management in Albania according to the EU Water Framework Directive – AMORE AL), i financuar nga programi APPEAR, dhe në bashkëpunim me BOKU Wien, TU Wien dhe Karlsruhe Institute of Technology, po zhvillon një studim të dedikuar për vlerësimin e proceseve të erozionit të tokës dhe rrjedhjes sipërfaqësore të ujit në tokën bujqësore.
Për realizimin e këtij studimi janë ngritur pesë parcela eksperimentale me përmasa 22 m x 1.5 m secila. Parcelat janë të izoluara ndërmjet tyre me profile ndarëse, duke siguruar kontroll të plotë mbi rrjedhjen sipërfaqësore të secilës njësi. Në fund të çdo parcele janë instaluar disa rezervuarë, të destinuar për mbledhjen dhe ruajtjen e ujit dhe sedimenteve të transportuara gjatë reshjeve.
Monitorimi i procesit po kryhet si në kushte të reshjeve natyrore, ashtu edhe në kushte të simulimit artificial, përmes një sistemi spërkatësish të kalibruar që mundësojnë kontroll të intensitetit dhe kohëzgjatjes së reshjeve. Kjo qasje eksperimentale siguron të dhëna të qëndrueshme, të riprodhueshme dhe krahasuese mbi ndikimin e mbulesës bimore dhe trajtimeve të ndryshme bujqësore. Aktualisht, një pjesë e parcelave janë të mbjella me kultura bujqësore tipike, ndërsa njëra prej tyre është lënë qëllimisht e zhveshur për tu trajtuar si një parcele ku mungon mbulesa bimore.
Qëllimi kryesor i eksperimentit është vlerësimi sasior i humbjeve të tokës, duke u mbështetur në Ekuacionin Universal të Humbjes së Tokës (USLE). Në të njëjtën kohë, synohet analizimi i rrjedhjes sipërfaqësore dhe përmbajtjes së elementëve kimike (azot, fosfor, metale të rënda) që transportohen prej saj.
Ky eksperiment pritet të ofrojë një kuptim të avancuar mbi ndërveprimet midis mbulesës së tokës, përdorimit të plehrave kimikë dhe proceseve të erozionit.
Të dhënat e gjeneruara do të shërbejnë si input shkencor i drejtpërdrejtë për modelin MoRE, duke kontribuar në zhvillimin e moduleve të parashikimit të ndotjes dhe në hartimin e strategjive të menaxhimit të qëndrueshëm të tokës dhe burimeve ujore në nivel baseni.