Në atmosferën festive të 56-vjetorit të themelimit të Universiteti i Prishtinës, Universiteti Bujqësor i Tiranës nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me këtë institucion, duke shënuar një etapë të re në bashkëpunimin akademik ndërmjet dy universiteteve.
Delegacioni i UBT-së, i kryesuar nga Rektori Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, mori pjesë në këtë aktivitet me ftesë të Rektorit të UP-së, Prof. Dr. Arben Hajrullahu. Pjesëmarrja në këtë përvjetor të rëndësishëm institucional dhe nënshkrimi i marrëveshjes përbëjnë një hap konkret drejt thellimit të bashkëpunimit mes dy universiteteve me peshë në zhvillimin akademik dhe shkencor të Shqipërisë dhe Kosovës.
Marrëveshja vendos një kornizë të strukturuar bashkëpunimi në fushat e procesit mësimor, kërkimit shkencor, inovacionit, mobilitetit të stafit dhe studentëve, si dhe ndërtimit të kapaciteteve institucionale. Ajo synon rritjen e cilësisë akademike dhe forcimin e dimensionit rajonal të arsimit të lartë, duke krijuar sinergji të reja ndërmjet dy institucioneve.
Theks i veçantë u vu në forcimin e bashkëpunimit me Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjekësisë Veterinare, një fakultet ku UBT historikisht ka luajtur një rol kryesor në zhvillimin e kapaciteteve akademike dhe njerëzore. Ky bashkëpunim hap rrugë të reja për projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbime akademike, kurrikula të përbashkëta dhe kontribute shkencore me ndikim.
Gjatë vizitës në Prishtinë, delegacioni i UBT-së zhvilloi gjithashtu një takim me Ambasadorin Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, duke i dhënë bashkëpunimit një dimension të qartë institucional dhe diplomatik.
Ky partneritet i ri pasqyron vizionin e UBT-së për forcimin e lidhjeve strategjike në rajon dhe për konsolidimin e rolit të tij si qendër e rëndësishme e kërkimit, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm akademik në hapësirën shqiptare.




