Skip to Content

Njihuni me ekselentët e UBT për 2025-ën

Universiteti Bujqësor i Tiranës vijon të konsolidojë traditën e ekselencës akademike, duke vlerësuar studentët me arritje të larta dhe ata ekselentë për vitin akademik 2025. Këta studentë përfaqësojnë jo vetëm rezultate të shkëlqyera në studime, por edhe përkushtim, disiplinë dhe një vizion të qartë për të ardhmen profesionale. Në këtë vit, një grup i spikatur studentësh janë dalluar për performancën e tyre të lartë akademike, duke u bërë shembull frymëzimi për gjithë komunitetin universitar. 


Ndër ta janë: Adela Bushi, Arlind Qoli, Belinda Dhami, Estela Pinderi, Fjona Allko, Gledis Sina, Letisia Muça, Mateo Lazri, Uendi Gjata, Sergej Qama, Rabie Ahmetaj dhe Erta Cali, të cilët kanë arritur rezultate të larta dhe janë vlerësuar për përkushtimin e tyre në studime. 


Në total, 13 studentë u shpallën ekselentë për vitin 2025, duke përfaqësuar nivelin më të lartë të arritjeve akademike në universitet. Në mënyrë të veçantë, titullin e ekselentes me notë absolute e ka merituar Klea Ramaliu Lena, e cila përfaqëson kulmin e ekselencës akademike në UBT dhe një model frymëzimi për të gjithë studentët. Këta studentë u vlerësuan me certifikata dhe trofe gjatë ceremonisë së diplomimit të mbajtur në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës më 8 prill, në një atmosferë festive ku morën pjesë drejtues të universitetit, staf akademik, përfaqësues institucionalë dhe familjarë të studentëve. Këto arritje janë rezultat i një pune të palodhur individuale, por edhe i mbështetjes së vazhdueshme që UBT ofron përmes stafit akademik, programeve të përditësuara dhe një mjedisi që nxit zhvillimin profesional dhe personal të studentëve. 


UBT mbetet i përkushtuar në krijimin e një brezi të ri profesionistësh të kualifikuar, të cilët jo vetëm do të kontribuojnë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe shkencave të jetës, por edhe në përparimin e përgjithshëm të vendit. Studentët me arritje të larta dhe ekselentët e vitit 2025 janë dëshmi konkrete e këtij misioni.