E premtja ishte dita e fundit e misionit të 19-të të universitetit BOKU nga Vjena në UBT, një vizitë pune e përqendruar në avancimin e reformave akademike dhe institucionale në kuadër të strategjisë AUT-BOKU 2030.
Në një sesion të hapur me stafin akademik të UBT-së, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës Prof.Dr Fatbardh Sallaku falenderoi delegacionin e BOKU për të gjithë punën e bërë në këto ditë intensive sa i takon programit të doktoraturave, administratës dhe komunikimit e promovimit.
Prof.Dr.Hubert Hasenauer mbajti një fjalim përmbyllës teksa prezantoi rezultatet e sesioneve dhe vendosi fokusin edhe tek hapat e ardhshëm për promovimin e programit të mobilitetit akademik dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare.
Prof.Hasenauer u shpreh se ishte shumë i kënaqur me progresin e bërë nga stafi i Universitetit Bujqesor të Tiranës dhe theksoi se ajo çfarë është më e rëndësishmja është që në UBT ekziston një frymë positive për ti çuar proceset përpara.
Rektori Sallaku dhe koordinatori i BOKU Prof.Hasenauer theksuan rëndësinë e diskutimeve dhe punës së përbashkët mes ekipeve të dy universiteteve, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të rregulloreve dhe strukturës së doktoraturave, forcimit të administratës universitare dhe zhvillimit të strategjive më efektive për komunikimin dhe promovimin e programeve të studimit.
Ekipi nga Vjena la disa detyra për stafin e UBT-së të cilat do të plotësohen në të mirë të universitetit dhe do të diskutohen në misionin e 20-të të BOKU që do të mbahet në maj.
Pas sesionit të hapur me stafin akademik, u mbajt edhe një mbledhje e bordit të menaxhimit të projektit në Rektorat, ku u diskutuan çështje të koordinimit dhe menaxhimit të aktiviteteve të përbashkëta.
Misioni i 19-të i BOKU në Universitetin Bujqësor të Tiranës u përmbyll pas dy ditësh intensive diskutimeshdhe diskutimesh, duke konfirmuar edhe një herë partneritetin e fortë mes dy universiteteve dhe angazhimin për modernizimin e mëtejshëm të UBT në përputhje me standardet evropiane.







