Profesori i Asociuar Reinhard Neugschwandtner nga Universiteti BOKU i Vjenës, i cili prej disa ditësh ndodhet në Tiranë në kuadër të bashkëpunimit akademik me Universitetin Bujqësor të Tiranës, ka ndarë reflektime mbi sfidat dhe perspektivat e sektorit bujqësor në një kohë ndryshimesh të mëdha globale.
Sipas tij, bujqësia po përjeton një periudhë shumë interesante, e ndikuar nga ndryshimet klimatike, transformimi i sistemeve ushqimore dhe kërkesat e reja të shoqërisë. Këto zhvillime, ndonëse paraqesin vështirësi, krijojnë njëkohësisht edhe mundësi të reja si për Shqipërinë, ashtu edhe për vende të tjera europiane.
Ai inkurajoi fermerët shqiptarë për përballimin e këtyre sfidave, duke e vënë theksin te përmirësimi i sistemeve të kultivimit, përdorimi i bujqësisë precize dhe rëndësia në rritje e dixhitalizimit, njohur si Bujqësia 4.0, veçanërisht për fermerët e rinj.
Në vlerësimin e tij, Universiteti Bujqësor i Tiranës ka një rol kyç në zhvillimin e sektorit bujqësor në vend, si i vetmi universitet i specializuar në këtë fushë. Ai theksoi rëndësinë e tij në bujqësi, pylltari dhe shkencat veterinare, duke u shprehur optimist për kontributin e universitetit në të ardhmen e sistemeve bujqësore dhe të shoqërisë shqiptare.
Profesori çmoi bashkëpunimin afatgjatë mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit BOKU të Vjenës, i cili vitet e fundit është forcuar ndjeshëm. Ky bashkëpunim përfshin projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbim pedagogësh dhe studentësh të nivelit master dhe doktoraturë, si dhe fokus të veçantë në agronomi, prodhimin e kulturave bujqësore, pylltari dhe menaxhimin e ujit dhe burimeve ujore.