Programet e reja Bachelor dhe Master, si edhe transformimi i Universitetit Bujqësor të Tiranës në kuadër të reformës UBT2030, ishin pjesë e emisionit “Auditor Arsimi” në Radio Televizionin Shqiptar.
I ftuar në studio ishte Prof. Dr. Ardian Maçi, drejtues i Komisionit të Kurrikulës së Studimit në UBT, i cili foli mbi reformimin e programeve të studimit dhe filozofinë e re që po ndiqet në universitet. Ndërkohë, në kronikën e zgjeruar të përgatitur nga gazetarja Edlira Birko, u përfshinë edhe intervista me Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Prof. Dr. Ferdi Brahushi, si dhe përfaqësues të Universitetit BOKU në Vjenë.
Prof. Dr. Ardian Maçi theksoi se reforma UBT2030 mbështetet mbi katër shtylla kryesore: procesin mësimor, kërkimin shkencor, administratën dhe promovimin e universitetit dhe programeve.
“Kjo reformë ka katër kolona. E para është procesi mësimor, të cilin tashmë e kemi rinovuar plotësisht dhe do ta implementojmë nga shtatori me të gjithë paketën e programeve Bachelor, Master dhe më vonë edhe Doktoraturë. Kolona e dytë është kërkimi shkencor, që kërkon gjithashtu një reformim të madh. Kolona e tretë është administrata, e cila do të mbështesë mësimin, kërkimin dhe promovimin. Ndërsa kolona e katërt është vetë promovimi”, u shpreh ai.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, u ndal tek përmbyllja e ofertës së re akademike dhe pritshmëritë e studentëve.
“Besoj se pritshmëritë e studentëve janë përmbushur. Oferta akademike nuk ishte përmbyllur plotësisht në vitin e kaluar, pasi një pjesë e programeve Bachelor u ofruan sipas modelit të BOKU, ndërsa programet e tjera ishin ende në proces ristrukturimi. Tashmë e gjithë paketa akademike është përmbyllur dhe është gati për vitin e ardhshëm akademik, si për ciklin Bachelor ashtu edhe për Master”, tha ai.
Prof. Dr. Ferdi Brahushi, Përgjegjës i Departamentit të Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, foli për implementimin e programeve të reja në bashkëpunim me BOKU University.
“Tashmë kemi një vit që po implementojmë programin e ri në Inxhinieri Mjedisi dhe Uji, i cili është hartuar në bashkëpunim me BOKU Vienna. Ky bashkëpunim na ka ndihmuar të kemi një program dhe kurrikul të ngjashme me atë të BOKU, me një qasje të fortë ndërdisiplinore”, u shpreh ai.
Rektorja e Universitetit BOKU, Prof. Dr. Eva Schulev-Steindl, vlerësoi progresin e bërë në hartimin e programeve Master dhe bashkëpunimin me UBT.
“Jemi në rrugë të mirë me programet Master. Universiteti BOKU bashkëpunon ngushtë me UBT dhe programet Master ndjekin parimet ndërdisiplinore, duke përfshirë shkencat natyrore, teknike dhe socio-ekonomike”, deklaroi ajo.
Ndërsa koordinatori i projektit UBT-BOKU, Prof. Dr. Hubert Hasenauer, theksoi potencialin që Shqipëria ka në zhvillimin e shkencave të jetës dhe bujqësisë.
“Shqipëria është e ngjashme në strukturë me Austrinë, por ju keni një avantazh të madh: detin, të cilin ne nuk e kemi. Në këtë kuptim, do të keni nevojë të zhvilloni më tej bujqësinë dhe sektorin e shkencave të jetës, duke u përballur me sfidat e mëdha të së ardhmes”, u shpreh ai.
Shiko videon e plotë: