Skip to Content

“Receta e gjyshes është moderne”, studentët promovojnë produktet vendase

Aroma e flisë së Dibrës e Kukësit, lakrorit të Korçës, tavës së dheut tiranase dhe specialitete të tjera autentike nga krahina të ndryshme të vendit sollën në Universitetin Bujqësor të Tiranës një atmosferë të veçantë feste, kulture dhe identiteti.


Studentët e programit të Masterit Profesional “Menaxhim i Turizmit Rural” dhe të programit profesional dyvjeçar “Agroturizëm dhe Mikpritje” në UBT organizuan një aktivitet të veçantë kushtuar promovimit të produkteve tradicionale dhe identitetit kulturor shqiptar, si pjesë e lëndës “Produktet e Territorit”.


Aktiviteti kishte si qëllim ndërgjegjësimin e studentëve mbi rëndësinë që produktet vendase kanë në zhvillimin ekonomik të komuniteteve rurale, në forcimin e turizmit dhe veçanërisht të agroturizmit. Përmes kësaj detyre, studentët u nxitën të eksplorojnë, vlerësojnë dhe promovojnë produkte autentike tradicionale, duke kuptuar më mirë rolin e tyre në ruajtjen e identitetit lokal dhe zhvillimin e zonave rurale.


Nën sloganin “Receta e gjyshes është moderne”, studentët prezantuan gatime autentike nga zona të ndryshme të Shqipërisë, duke sjellë së bashku shijet tradicionale, veshjet popullore, muzikën dhe elemente të trashëgimisë kulturore të krahinave të tyre. Aktiviteti u kthye në një festë të larmisë kulturore dhe gastronomike shqiptare, duke treguar se tradita mbetet një vlerë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit bashkëkohor.


Në hapje të aktivitetit, Prof. Asoc. Xhevaire Dulja përgëzoi studentët për motivimin, përkushtimin dhe organizimin e shkëlqyer, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit, promovimit dhe integrimit të produkteve të territorit në ofertat agroturistike si një mënyrë për t’i dhënë identitet dhe autenticitet turizmit shqiptar.


Aktivitetin e përshëndeti edhe Dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Prof. Dr. Remzi Keço, i cili vlerësoi nismën dhe angazhimin e studentëve, duke u ndalur te perspektivat që ofron turizmi rural dhe agroturizmi për zhvillimin ekonomik të vendit.


Përmes kësaj veprimtarie, studentët patën mundësinë të lidhin njohuritë teorike me praktikën, duke promovuar vlerat e trashëgimisë gastronomike shqiptare dhe potencialin e saj për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit rural.