Gjatë aktivitetit të Skemës Kombëtare të Trajnimit në Bujqësi 2022–2025, që u zhvillua në Elbasan, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, mbajti një fjalë përshëndetëse ku theksoi rëndësinë e investimit te dija, inovacioni dhe te brezi i ri për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.
Rektori Sallaku vlerësoi bashkëpunimin mes fermerëve, eksportuesve, përpunuesve dhe ekspertëve të fushës, duke nënvizuar se skema e trajnimit ka kontribuar në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe në modernizimin e sektorit bujqësor. Ai theksoi se UBT mbetet një aktor kyç në lidhjen e arsimit, kërkimit shkencor dhe praktikës në terren.
Duke u ndalur veçanërisht te roli i të rinjve, rektori i ftoi ata të angazhohen aktivisht në ndryshimin që ka nisur UBT për Shqipërinë e viteve 2030. Sipas tij, e ardhmja e bujqësisë dhe e zhvillimit rural lidhet ngushtë me përfshirjen e të rinjve të arsimuar, të aftë për të sjellë ide të reja, teknologji moderne dhe modele të qëndrueshme zhvillimi.
“UBT është e angazhuar të krijojë hapësira reale për edukim, trajnim dhe inovacion, duke e parë rininë si motorin kryesor të transformimit të vendit,” u shpreh Rektori, duke theksuar se ky vizion kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve, sektorit privat dhe komunitetit akademik.
Aktiviteti shërbeu si një platformë reflektimi mbi arritjet e deritanishme në sektorin e bujqësisë në vend dhe sfidat për të ardhmen.
Gjatë tre viteve të fundit, Universiteti Bujqësor i Tiranës ka zbatuar me sukses Skemën Kombëtare të Trajnimit në Bujqësi, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe modernizimin e sektorit bujqësor në vend. Në kuadër të kësaj skeme:
- Mbi 1,400 fermerë nga e gjithë Shqipëria kanë marrë pjesë në programet e trajnimit
- Janë përfshirë rreth 300 specialistë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
- Janë realizuar mbi 200 ditë trajnime intensive teorike dhe praktike
- Janë monitoruar dhe mbështetur më shumë se 45 ferma model, si shembuj të praktikave më të mira bujqësore
Kjo nismë përfaqëson një angazhim konkret të UBT-së për zhvillimin e një bujqësie të qëndrueshme, të bazuar në dije, inovacion dhe bashkëpunim institucional.