Universiteti Bujqësor i Tiranës falë bashkëpunimit me GIZ dhe Helvetas Albania po krijon gjithnjë e më tepër mundësi të reja për aftësimin e studentëve dhe zhvillimin e karrierës së tyre profesionale.
Përfaqësues nga GIZ dhe Helvetas Albania zhvilluan një sesion informues për studentët e Departamentit të Mjedisit dhe Burimeve Natyrore me temë “Sfida Inovative për Bio-Mbetjet” që synon të trajtojë problemin e mbetjeve të biodegradueshme në Shqipëri përmes avancimit të zgjidhjeve praktike të ekonomisë qarkulluese.
Ky program ndihmon në transformimin e ideve inovative në zbatime reale, duke mbështetur, individë, biznese dhe projekte në zhvillimin e sistemeve efektive për menaxhimin e bio-mbetjeve që kontribuojnë për qytete më të pastra dhe më të gjelbra.
Ndaj, UBT fton studentët të bëhen pjesë e kësaj nisme duke aplikuar me idetë e tyre inovative për të përfituar mundësinë që të testojnë zgjidhjet e tyre në treg, me mbështetje teknike dhe financiare deri në 50,000 euro për ekip.
Thirrja është e hapur nga data 10 Tetor deri më 24 Tetor 2025.