Skip to Content

Simpozium kombëtar për bletët në UBT

Në Ditën Botërore të Bletëve, Universiteti Bujqësor i Tiranës zhvilloi këtë të mërkurë simpoziumin kombëtar me temë “Nga Zgjua te Shëndeti: Pesticidet, Bletët dhe Siguria Ushqimore në Shqipëri”, një aktivitet që mblodhi akademikë, ekspertë të sigurisë ushqimore, përfaqësues të sektorit të bletarisë, studiues dhe studentë për të diskutuar mbi ndikimin e pesticideve në bletari dhe sigurinë ushqimore në vend.

Aktiviteti u organizua nga Fakulteti i Mjekësisë Veterinare në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në kuadër të programit READ (Research Expertise from the Academic Diaspora), me mbështetjen financiare të Albanian-American Development Foundation.

Simpoziumi u hap me fjalën përshëndetëse të Rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, i cili theksoi rëndësinë e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtjen e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit agro-ushqimor në Shqipëri. Në fjalën e tij, rektori u shpreh se ishte i kënaqur që aktivitete të tilla po organizohen në UBT dhe se shumë shpejt Fakulteti i Veterinarisë në UBT do të kthehet në një qendër rajonale.

Prof. Dr. Rezart Postoli, Dekan i Fakultetit të Veterinarisë, shprehu vlerësimin për rolin jetik që bletët kanë në ruajtjen e biodiversitetit, sigurinë ushqimore dhe ekuilibrin e natyrës, duke sjellë në vemendje se mbrojtja e tyre është përgjegjësi e përbashkët.

Më tej, Prof. Dr. Kastriot Korro prezantoi rezultatet e para në Shqipëri mbi monitorimin e mbetjeve të pesticideve në mjaltë, polen dhe propolis, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e kontrollit laboratorik dhe ndikimin që pesticidet kanë tek bletët dhe zinxhiri ushqimor.

Një prezencë të konsiderueshme në aktivitet patën bletarë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët morën pjesë në diskutime duke e kthyer simpoziumin në një platformë bashkëpunimi dhe shkëmbimi eksperiencash për sektorin. 

Një ndërhyrje online u zhvillua edhe nga Prof. Albert Licollari, drejtor i laboratorit të toksikologjisë Nucro-Technics në Kanada, i cili foli mbi rolin e analizave të avancuara toksikologjike në garantimin e sigurisë ushqimore dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Pjesë e aktivitetit ishin edhe prezantimet studentore, diskutimet me Dr. Vitor Malutaj nga Federata e Bletarëve dhe Abdyl Arifaj nga Shoqata e Apiterapistëve, si dhe ëorkshop-i i aplikuar mbi praktikat e sigurta në bletari dhe reduktimin e rrezikut nga pesticidet. Në panelin përmbyllës, të moderuar nga Dr. Fatjon Hoxha, u diskutua mbi potencialin dhe të ardhmen e sektorit të bletarisë në Shqipëri, si dhe mbi rekomandimet për politika dhe praktika më të sigurta për sektorin.