Universiteti Bujqësor i Tiranës mirëpriti një grup prej 7 studentësh nga Turqia, të cilët morën pjesë në një leksion të posaçëm mbi biosigurinë në praktikat veterinare, të zhvilluar nga Prof. Dr. Xhelil Koleci, pranë Fakultetit të Mjekësisë Veterinare.
Leksioni u fokusua në rëndësinë e biosigurisë në fermë dhe në praktikën veterinare, si dhe në përdorimin e pajisjeve mbrojtëse personale për të garantuar sigurinë e profesionistëve dhe mirëqenien e kafshëve. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe studentë të UBT-së nga Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, nga vitet e dyta dhe të treta, të cilët së bashku me studentët turq patën mundësinë të mësojnë më shumë mbi këtë temë dhe të zhvillojnë diskutime interaktive.
Studentët nga Turqia, të cilët ndjekin studimet në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Afyon Kocatepe University në Turqi patën mundësinë të ndjekin nga afër një qasje praktike dhe bashkëkohore për temën e biosigurisë.
Ata u prezantuan edhe me laboratorin e shëndetit të kafshëve në UBT, ku u njohën me mënyrën e funksionimit të laboratorit, pajisjet moderne dhe rastet konkrete që trajtohen në lidhje me diagnostikimin dhe sigurinë veterinare, në përputhje me temat e trajtuara gjatë leksionit.
Gjatë ditëve në vijim studentët do të vijojnë të njihen me praktikat në terren, duke përfituar një eksperiencë të plotë studimore dhe profesionale.






