Nga auditorët tek zemra e Alpeve shqiptare. Studentët e vitit të parë dhe të dytë të Inxhinierisë Pyjore në UBT zhvilluan një praktikë mësimore në terren në zonën e Tropojës dhe Luginës së Valbonës, në kuadër të moduleve Botanikë Pyjore dhe Kontrolli i Erozionit.
Gjatë dy ditëve të aktivitetit, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me pasuritë natyrore dhe ekosistemet pyjore të një prej zonave më të rëndësishme të vendit për biodiversitetin dhe vlerat mjedisore. Praktika synoi të forcojë njohuritë teorike të fituara në auditor përmes vëzhgimeve dhe analizave të drejtpërdrejta në terren.
Studentët hulumtuan mbi diversitetin e specieve bimore dhe pyjore, duke identifikuar bimësinë dhe drurë karakteristikë që shtrihen nga zonat e ulëta deri në ekosistemet e larta malore. Kjo eksperiencë u mundësoi atyre të kuptojnë më mirë shpërndarjen e vegjetacionit, karakteristikat ekologjike të specieve dhe rolin e tyre në ruajtjen e ekuilibrave natyrorë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe analizimit të proceseve të erozionit.
Nën mbikëqyrjen e stafit akademik, studentët vëzhguan nga afër forma të ndryshme të erozionit sipërfaqësor dhe në thellësi, duke diskutuar faktorët që ndikojnë në shfaqjen e tyre, pasojat mbi tokën dhe mjedisin, si dhe masat praktike që përdoren për parandalimin dhe kontrollin e këtyre fenomeneve. Përmes kësaj praktike, ata u njohën me metodat e vlerësimit në terren, mbledhjen e të dhënave dhe interpretimin e fenomeneve natyrore, aftësi të domosdoshme për profesionin e ardhshëm të inxhinierit pyjor.
Praktika shërbeu gjithashtu si një mundësi për të kuptuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe mbrojtjes së ekosistemeve pyjore dhe është një komponent thelbësor i formimit akademik dhe profesional të studentëve tanë.









