UBT i njohu të rinjtë me mundësitë që kanë për tu përfshirë në sipërmarrje apo projekte start up-esh. Universiteti mirëpriti prezantimin e programit kombëtar Start Up Albania, një iniciativë që synon të mbështesë të rinjtë në zhvillimin e ideve inovative dhe krijimin e sipërmarrjeve të reja.
Me ftesë të Zv.Rektores për Shkencën dhe Projektet, Prof.Dr. Erinda Lika, Drejtori i programit, Arjan Ymeri, prezantoi në detaje mundësitë që ofron nisma për studentët dhe të rinjtë shqiptarë, duke përfshirë mbështetjen financiare, mentorimin profesional, trajnimet e specializuara dhe aksesin në rrjete bashkëpunimi. Ai theksoi se programi synon të krijojë një ekosistem të qëndrueshëm inovacioni në vend, ku idetë kreative të të rinjve mund të zhvillohen dhe të kthehen në biznese reale.
Gjatë fjalës së tij, Ymeri u bëri thirrje studentëve të UBT-së që të jenë aktivë dhe të aplikojnë me ide inovative, duke nënvizuar se universitetet janë burimi kryesor i ideve të reja dhe se studentët kanë potencial të madh për të sjellë zgjidhje konkrete në sektorë të ndryshëm, veçanërisht në sektorët prioritarë si energjia e rinovueshme, bujqësia e qëndrueshme, menaxhimi i mbetjeve etj. Po ashtu në sektorin digjital si në IT apo Inteligjencë Artificiale.
Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e gjerë të studentëve dhe pedagogëve, të cilët u njohën nga afër me kriteret e aplikimit, fazat e përzgjedhjes së projekteve dhe përfitimet që ofron programi për fituesit. Diskutimet u fokusuan gjithashtu në rëndësinë e lidhjes së dijes akademike me tregun e punës dhe nxitjen e iniciativave sipërmarrëse që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.





