Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku zhvilloi takimin e radhës të Asamblesë Akademike në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, të fokusuar tek promovimi i ofertës së re akademike, e cila vjen pas një procesi të rëndësishëm reformimi që është realizuar përmes angazhimit të stafit akademik të UBT-së dhe me ekspertizën ndërkombëtare të BOKU University.
Rektori theksoi se pas përfundimit të kësaj faze të rëndësishme, vëmendja dhe energjitë e institucionit duhet të përqendrohen tashmë te promovimi i programeve të studimit, me qëllim rritjen e vizibilitetit dhe tërheqjen e studentëve të rinj.
Viti akademik 2026–2027 do të nisë me programe studimi tërësisht të reformuara, të ndërtuara mbi parime moderne dhe në linjë me modelet më të mira europiane. Universitetti Bujqësor I Tiranës ofron 13 programe Bachelor dhe 18 programe Master, si dhe programin e Doktoraturës, të përshtatur me standardet bashkëkohore akademike.
Ky takim dhe procesi i reformës pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri dhe integrimin e praktikave më të mira europiane në ofertën akademike të saj.




