Skip to Content

Tezë doktorature në fushën e terapisë rigjenerative indore dhe trampianteve kërcore

Një tjetër doktorant mbrojti me sukses punimin e doktoraturës në UBT, nën udhëheqjen shkencore të Prof. Dr Erinda Lika, zv/Rektore për Shkencën. Taulant Goga, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare u prezantua me një studim të avancuar në fushën e biomaterialeve dhe rigjenerimit osteokondral duke u vlerësuar nga Komisioni me pikët maksimale.


Punimi shkencor me titull “Studimi tomografik i rigjenerimit kockor në matricat (scaffolds) osteokondrale me biomateriale të ndryshme” trajton një nga çështjet më aktuale në mjekësinë veterinare dhe atë regenerative, duke analizuar përdorimin e biomaterialeve të ndryshme në riparimin e defekteve kockore. Studimi vjen në bashkëpunim edhe me Universitetin “Aldo Moro” të Barit, duke sjellë një qasje ndërkombëtare në kërkimin shkencor.


Kërkimi evidenton se matricat me përbërje kompozite paraqesin performancë më të lartë në rigjenerimin osteokondral, ndërsa theksohet roli i rëndësishëm i magnezit në përmirësimin e osteogjenezës dhe procesit të mineralizimit. Gjithashtu, studimi arrin në përfundimin se stabiliteti i rigjenerimit mund të arrihet që në fazat e hershme, duke hapur perspektiva për aplikime të mëtejshme në praktikën klinike.


Juria vlerësuese përbëhej nga përfaqësues të Universitetit Bujqësor të Tiranës: Prof. Dr. Luljeta Dhaskali, Prof. Dr. Rezart Postoli dhe Prof. Asoc. Ilir Kusi, si dhe nga Prof. Dr. Xheladin Draçini, Rektor i Universitetit të Mjekësisë dhe Prof. Dr. Vera Ostreni.


Vlerësimi maksimal i këtij studimi dëshmon nivelin e lartë të kërkimit shkencor dhe rëndësinë në rritje të bashkëpunimeve ndërkombëtare. Në këtë kuadër, një kontribut të veçantë në realizimin e këtij punimi ka dhënë edhe Prof. Dr. Antonio Crovace nga Universiteti i Barit, i cili ka qenë një mbështetës i rëndësishëm gjatë zhvillimit të studimit.


Ky rezultat përforcon më tej rolin e Universitetit Bujqësor të Tiranës si një qendër e rëndësishme e kërkimit shkencor në fushën e mjekësisë veterinare.