Universiteti Bujqësor i Tiranës zhvilloi një mbledhje pune me pjesëmarrjen e Rektorit dhe stafit drejtues të universitetit, e fokusuar në diskutimin e disa çështjeve kyçe që lidhen me ecurinë akademike dhe organizative të institucionit.
Gjatë mbledhjes u diskutua në mënyrë të detajuar mbi përmbylljen e semestrit të parë, duke analizuar ecurinë e procesit mësimor, si dhe mbi përgatitjet për sesionin e ardhshëm të provimeve, me theks te organizimi, transparenca dhe mbështetja për studentët.
Po ashtu, pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishin edhe përgatitjet për misionin e radhës së Universiteti BOKU, në kuadër të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar, i cili synon forcimin e programeve të përbashkëta dhe shkëmbimin e eksperiencave më të mira evropiane.
Aspekte të tjera të rëndësishme në këtë takim u konsideruan edhe rikthimi dhe forcimi i jetës studentore në kampus, si edhe stabilizimi i Shkollës së Doktoraturës, me synim konsolidimin e kërkimit shkencor dhe rritjen e standardeve akademike. Po ashtu, një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu promovimit të programeve të studimit, në funksion të rritjes së interesit dhe informimit të studentëve aktualë dhe atyre potencialë.
Universiteti Bujqësor i Tiranës është i angazhuar për të adresuar në mënyrë të strukturuar sfidat aktuale akademike, për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe për të krijuar një mjedis universitar gjithnjë e më aktiv, bashkëkohor dhe të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm.


